E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalglish synon top katërshen

Kenny Dalglish ka lavdëruar avancimin e bërë nga skuadra e tij e Liverpoolit dhe tani shpreson që ata të luftojnë për pozitat që sigurojnë kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Reds kanë bërë fillim solid të sezonit në Premierligë, por ende duhet të rikuperojnë pikë ndaj skuadrave që aktualisht gjenden në katër pozitat e para dhe shpresojnë të mbeten në konkurrencë duke mposhtur Aston Villën, të dielën.

Dalglish nuk beson se Liverpool është shumë larg nga rivalizimi i grupit elitar dhe u ka bërë thirrje futbollistëve të tij të vazhdojnë të punojnë shumë.

“Ne jemi të lumtur me atë që është bërë deri më tani. Do të donim të hyjmë në katër pozitat e para dhe mënyra më e mirë për të bërë këtë është të paraqitemi mirë. Është synimi i vetëm i yni, nganjëherë hapat më të vegjël janë më të mëdhenjtë për t’u bërë”, tha Dalglish për mediet angleze, të shtunën.

Manchester City dhe Manchester United aktualisht udhëheqin në Premierligë dhe Dalglish insiston se ato janë skuadra jashtëzakonisht të fuqishme, pavarësisht eliminimit nga faza e grupeve e Ligës së Kampionëve. “Ato janë eliminuar nga Liga e Kampionëve, por mbeten skuadra shumë të fuqishme”, përfundoi Dalglish.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›