E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dalim nga koalicioni me PS-në nëse s’bëhen ndryshimet e kërkuara në Kod”

30-01-2012 / Gazeta 55

Paskal Milo, kreu i PDS-së, kërcënon

“Partia Demokracia Sociale mund të mos jetë në koalicion me PS-në në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, nëse nuk bëhen ndryshimet e kërkuara në Kodin Zgjedhor”. Kështu u shpreh dje Paskal Milo, kreu i PDS-së, duke paralajmëruar daljen nga koalicioni.
Sipas tij, partia që ai drejton, bashkë me Gjinushin, Koçin dhe parti të tjera të spektrit të majtë do të krijojnë një koalicion më vete bazuar në 120 mijë votat e marra më 8 maj, po aq sipas Milos, sa dhe LSI nga koalicioni i mazhorancës.
“Ne u kemi parashtruar kërkesat tona, unë në emër të PDS u kam kërkuar katër çështje kryesore që duhet të jenë në vëmendjen e tyre: E para, korrektimi kombëtar i sistemit proporcional rajonal, që është një e drejtë kushtetuese e qytetarëve shqiptarë, siç është barazia e votës. E dyta, u kërkova që të përsosin mekanizmat e identifikimit të listave zgjedhore, duke u mbështetur te regjistri biometrik i kartave të identitetit; e treta, për të identifikuar votuesit në mënyrë elektronike, duke iu referuar kartës së identitetit dhe shenjës së gishtit; e katërta, duke kërkuar numërimin elektronik të votave, sepse aty ka degjeneruar procesi zgjedhor dhe e pesta që të kemi një tjetër Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, jo partiak, jo politik, por me përfaqësues jashtë politikës, duke ia lënë më pas Komisionit për Reformën për të gjetur formën e kompozimit”, tha Milo.
Ai pranoi se nga PS ka vetëm një mbështetje publike dhe kurrsesi ligjore apo politike në komisionin për reformën zgjedhore.
“Deri tani kemi një mbështetje politike publike dhe në tavolinë nga kryetari i PS-së dhe përfaqësues të veçantë të PS-së, përfshirë këtu zotin Gjiknuri, për të mbështetur kërkesat tona të drejta nga të dy spektrat politike, por nuk kemi një përgjigje eksplicite të qartë se PS-ja do ta kushtëzojë ecurinë e mëtejshme të reformës zgjedhore me elementin e korrektimit kombëtar në sistem. Kjo argumentohet me faktin se nuk mund të sakrifikohet e gjithë reforma zgjedhore që pritet të konkludohet me PD-në, për shkak të një kërkese të tillë që ata e konsiderojnë se është vetëm e partive të vogla. Unë mendoj se e kanë gabim, pavarësisht se në fund të fundit ata shohin llogaritë e tyre partiake. Këtu kemi të bëjmë me një çështje parimore dhe kushtetuese, që ka të bëjë me barazinë e votës së qytetarëve shqiptarë dhe nëse një parti, si PS-ja, shkel parimin e barazisë së votës, atëherë nuk ka pse ajo të kërkojë dhe pretendojë, siç ka bërë pas vitit 2009, që të ankohet për vjedhjen e votës, sepse vetë ka shkelur Kushtetutën”, tha më tej ai.
Megjithatë, dakordësia e mazhorancës e opozitës për ndryshime në kodin elektoral që parashikon financimin nga buxheti i shtetit të partive në varësi të votave të marra favorizon mbi të gjitha të vegjlit. Por për kreun e PDS-së, Paskal Milo edhe plotësimi i këtij kushti nuk është kryesori për partitë e vogla, të cilat mbi të gjitha presin korrektim të sistemit zgjedhorë.
Për ish kreun e KQZ-së Kristaq Kume ky ndryshim i kodit për financimin e partive është i vonuar.
“Një zhurmë që duhet të realizohej më përpara. Kjo mënyrë financimi lidh më mirë fuqinë elektorale të subjekteve zgjedhore”, ka theksuar Kume.
Ndryshimet në kodin zgjedhor përcaktojnë se 95 për qind e fondeve , i përfitojnë partitë që kanë marrë mbi 0.5 për qind të votave dhe 5 për qind ato që kanë marrë më pak se 0.5 për qind të votave në rang kombëtar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›