E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Prokuroria, instrument politik në duart e opozitës”

30-01-2012 / Gazeta 55

Deputeti i Partisë Demokratike dhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi

Kreu i Partisë Demokratike për Tiranën dhe njëherazi ministri i Kulturës, Aldo Bumçi u shpreh dje se Prokuroria është kthyer në një instrument politik në duart e lidershipit të Partisë Socialiste. Hetimet për dhunën e 21 janarit, sipas deputetit demokrat u zvarritën qëllimisht nga organi i akuzës, me qëllim fshehjen e provave dhe shmangien nga përgjegjësia e tentativës për “grusht shteti” të drejtuesve të opozitës.
Bumçi tha se inskenimi i 21 janarit nisi që nga video-montazhi Meta-Prifti dhe vijoi me përdorimin e çështjes për interesa politike, duke shkuar deri në heqjen e imunitetit për ish zëvendëskryeministrin edhe pse s’kishte asnjë provë kundër tij.
“Gjithçka për 21 janarin nisi nga videoja Meta-Prifti. Nga këtu duket qartë një qëndrim i prokurorisë për ta kthyer çështjen në politike. Nga kontrolli i ekspertëve të huaj dhe shqiptarë doli se në të nuk gjendej materiali origjinal, kishte ndërprerje, montime dhe pjesë që nuk dëgjohen. Edhe vetë Ina Rama ka deklaruar se në atë video nuk dëgjohet asgjë. Atëherë si u kërkua heqja e imunitetit kur provat nuk ekzistonin? Gjykata hetoi dhe nuk gjeti faktin. Ndërkohë, nga ekspertimi u gjet një video e dytë, ku ishte prezent vetë z. Prifti me vartësin e tij. Çështja për këtë nisi në të njëjtën kohë me atë të z. Meta. Por sot kemi dy realitete të ndryshme. Atëherë pse për z. Meta kemi një hetim dhe një vendim gjykate, ndërsa për videon e Priftit me vartësin e tij, ende s’ka një hetim nga Prokuroria? Organi i akuzës  bëri gjithçka për të devijuar hetimet”, u shpreh Bumçi.
Duke u ndalur te demonstrata e 21 janarit të një viti më parë, ai theksoi se Edi Rama dhe drejtues të tjerë të opozitës bënë thirrje për protestë të dhunshme.
Sipas tij, për sa kohë Prokuroria s’ka ngritur asnjë hetim ndaj organizatorëve të dhunës që rrethuan selinë e Këshillit të Ministrave për 5 orë radhazi dhe depërtuan brenda perimetrit të sigurisë, do të thotë se organi i akuzës është palë me të interesuarit për rotacion pushteti pa votën e shqiptarëve.
“Protesta e 21 janarit ishte një demonstrim i organizuar nga fillimi në fund, pasi deklaratat e eksponentëve politik të opozitës janë konkrete dhe flasin për dhunë. Ka qenë vetë Edi Rama që ka deklaruar në ‘Top Story’ dy ditë para demonstratës se Sali Berisha do shkelë mbi të vdekur. Kryetari i opozitës dhe deputetë të tij dolën derë më derë duke shpërndarë fletushka ku bëhej thirrje për dhunë masive kundër institucioneve. Pse Edi Rama nuk doli në krye të turmës dhe të tërhiqte protestuesit? Kemi një protestë ku u sulmua selia e Këshillit të Ministrave; u thye porta e sigurisë së Kryeministrisë përmes një automjeti që u lëshua mbi të; u rrethua institucioni për 5 orë radhazi dhe gjithçka u përkthye në anarki totale, ku bëhej thirrje nga organizatorë që, ‘hajdeni të hyjmë brenda’. Deklaratat për dhunë, të bëra nga Edi Rama dhe drejtues të opozitës, paralajmërimi i bërë nga ambasada e SHBA një ditë para protestës, sjellja përballë këtyre fakteve publike, për fatin e keq ishte një tragjedi pasi u godit jo vetëm kryeministria, por u godit siguria e gjithsecilit prej nesh. Nëse atë ditë Kryeministria nuk do të qëndronte, atëherë ky institucion nuk do kishte më integritetin e vet dhe gjithkush nga ne do ishte i rrezikuar, të nesërmen do kishim të bënim me një Shqipëri tjetër. Në Tiranë mbizotëronte terrori, por Kryeministria rezistoi, shteti ligjor dominoi”, tha më tej ministri Bumçi.
Ndërkaq, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi foli edhe për vizitën në Kosovë në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Sipas tij, shqiptarët duhet të përfaqësohen në një aktivitet dinjitoz për 100 vjetorin e Pavarësisë.
“Do hapen ekspozita për flamurin edhe në Kosovë, pasi edhe atje ka dokumente dhe të dhëna dhe Kosova është pjesë e rëndësishme e kremtimeve për shkak të kontributit dhe hapave vendimtarë të saj për Pavarësinë e Shqipërisë”.
Ministri Bumçi theksoi se Shqipëria ka parashikuar fondet për 100 vjetorin e Pavarësisë, ndërsa do ketë edhe mbështetje të përbashkëta të këtyre aktiviteteve.
“Kosova dhe Shqipëria janë një komb i vetëm me një gjuhë të përbashkët. Në këtë Jubile duhet të nderojmë jo vetëm figurat e së kaluarës, por duhet të shohim përpara, pasi të paktën gjysma e shqiptarëve ndodhen jashtë trojeve të tyre në Europë, SHBA dhe Turqi dhe duke qenë se Diaspora është një element i rëndësishëm, duhet të hapet një zyrë e përbashkët e përfaqësimit kulturor në diasporë”, tha ai.
Një tjetër çështje e trajtuar nga ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve ishte dhe numri i lartë i turistëve në Shqipëri gjatë 2011-ës.
Sipas tij, gjatë këtij viti në Shqipëri kanë hyrë shumë turistë nga rajoni dhe të huaj.
Bumçi theksoi se vendi ynë ka të gjitha potencialet turistike për të tërhequr turistët, si parqet arkeologjike, muzetë, kalatë dhe monumentet e Kulturës, ndërsa një interes i veçantë për turistët përbën turizmi malor si Thethi dhe Valbona, që sipas tij, ky lloj turizmi sjell edhe rritje të ekonomisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›