Politika e jashtme turke dhe problemet me fqinjët
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu, në një prej netëve të fundit u zgjua i mbytur në djersë. “Pashë ëndërr të keqe lidhur me një krizë në Libi”, kujton ai, duke folur rrugës për në Bruksel. “Kriza e vërtetë ishte në Siri dhe nuk munda të vija më gjumë në sy”. Gjakderdhja në Siri është vetëm një prej kokëçarjeve që po vreros arkitektin e politikës turke “zero probleme me fqinjët”. Këtë javë Senati francez kaloi një projektligj i cili e bën krim në Francë mohimin që vrasjet masive të armenëve në Perandorinë Osmane në vitin 1915 përbënin gjenocid. Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, ka kërcënuar me masa ndëshkuese nëse Senati ndjek Dhomën e Ulët, e cila e kaloi projektligjin në dhjetor. Akoma nuk është shpallur asnjë sanksion - ndoshta ngase ata nuk kanë gjasa të ndikojnë Presidentin e Francës Nikolas Sarkozi, i cili pritet të nënshkruajë kthimin e projektligjit në ligj. Turqisë mund të mos ia ndjejë shumë për pasojat e kësaj në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Negociatat e anëtarësimit të cilat filluan në vitin 2005 kanë ngecur, jo pak për shkak të kundërshtimit të zotit Sarkozi. Bllokimi i vazhdueshëm në Qipro është një problem i madh. Por nuk janë vetëm evropianët që po shkaktojnë probleme. Deri së fundmi, Turqia nuk mburrej me aspiratat e saj për në BE, por me aleancat e saj të shkëlqyera në Lindjen e Mesme, ku demokracia e saj laike e tregut të lirë është model për disa. Anekënd rajonit u liberalizuan vizat dhe tregtia lulëzoi. Zoti Erdoan takonte shpesh Presidentin e Sirisë, Bashar Al-Asad dhe bashkëshorten e tij. Turqia ndihmoi Asadin t’ia hidhte akuzave për rolin e tij të dyshuar në vrasjen e kryeministrit libanez, Refik Hariri, në vitin 2005. Në vitin 2008 ajo pothuajse realizoi një marrëveshje paqeje mes Sirisë dhe Izraelit, por bisedimet dështuan pasi Izraeli pushtoi Gazën në vitin 2008. Në vitin 2010, kur Turqia votoi kundër sanksioneve shtesë ndaj Iranit në OKB për shkak të programit të tij bërthamor, ajo u akuzua gjerësisht se po i kthente shpinën Perëndimit. Kritikët laikë të Davutollusë tashmë kanë një kritikë të re: se ai po farkëton një bllok suni për t’iu kundërvënë ndikimit të Iranit. Sipas tyre, kjo shpjegon mbështetjen turke për kundërshtarët suni të Asadit dhe veçanërisht për Vëllazërinë Myslimane. Turqia po ashtu nuk e fsheh mbështetjen e saj për sunitët e Irakut dhe së fundmi, për kurdët. Kryeministri shiit i Irakut, Nuri Al-Maliki, shkoi shumë larg duke deklaruar se Turqia po nxiste dhunën sektare në rajon. Maliki tërheq vëmendjen se as Turqia, me minoritetin e saj shiit, mund të mos shpëtojë. Komentatori për marrëdhëniet me jashtë, Sali Ozel, thotë se lufta e fjalëve me Malikin lë të kuptohet se Turqia kurrë nuk ka pasur një plan post-amerikë për Irakun. Mbështetësit më islamikë të Erdoanit kanë një tjetër qasje. Edhe pse marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin mbeten të ngrira që prej çështjes së Mavi Marmarasë në vitin 2010, ata shqetësohen se Turqia është bërë mbuluesi i qëllimeve të vërteta amerikane në rajon. Ata përmendin vendimin për të pranuar një sistem radar-mbrojtjeje, i cili sipas tyre ka një qëllim: të mbrojë Izraelin nga një sulm i mundshëm iranian. Davutollu mohon që sistemi radar drejtohet kundër Iranit apo Rusisë; por, çuditërisht ai flet për një periudhë të artë në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Amerikës. Ai po ashtu argumenton se përmbysjet në Lindjen e Mesme nuk mund të vendosen plotësisht në kanatet e Turqisë. Megjithatë, frymëzimi që ajo ka ofruar për masat e shtypura arabe ka qenë i fuqishëm. Teksa forcat e Asadit vazhdojnë të masakrojnë njerëzit e pafajshëm, shumë në Siri dhe përtej saj shpresojnë se Turqia do shkojë t’iu shkojë në ndihmë. Por, turqit do ta bënin këtë vetëm si pjesë e një koalicioni. Me zgjedhjet presidenciale që po afrohen, Amerika ka shumë pak interes në aventurat e jashtme. NATO nuk ka gjasa të ndërhyjë. Kështu që çfarë mund të ndodhë nëse atje kryhet një masakër? A do të dërgonte Turqia trupat e saj përtej kufirit? Dhe si mund të reagonte Irani? Zoti Davutollu nuk ka përgjigje të gatshme. Ajo çka shquhet qartë është se ai do të kalojë shumë net të tjera pa gjumë.