Dalin kandidatët për kreun e KQZ-së, Lleshi-Celibashi të preferuarit e palëve
Partitë politike tashmë kanë vendosur se kush do të jenë kandidatët për të zënë vendin e Arben Ristanit në krye të KQZ-së. Mbetet vetëm përzgjedhja me konsensus. Burime të sigurta për gazetën bëjnë të ditur se dosjet e të gjithë kandidatëve janë dorëzuar në zyrat e kryesisë së Kuvendit dhe pritet nisja e shqyrtimit e secilit në Komisionin e Ligjeve. Mësohet se opozita ka në plan të parë ish kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili është kryetari që drejtoi institucionin në vitin 2005 kur u bë rotacioni politik. Nga mazhoranca veç Bylykbashit ka dal dhe emri i Lefteri Lleshit, që është anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Kandidatët favorit
Sipas informacioneve që kanë dal nga partitë, Oerd Bylykbashi ka pak gjasa të marrë postin e kreut të KQZ-së për shkak se është këshilltar i Berishës dhe shihet si figurë shumë e njëanshme. Jozefina Topalli po mbështet fortë kandidaturën e Lefteri Lleshit, e cila më parë ka qenë bashkëpunëtore e saj në Kuvend. Opozita ka dërguar disa emra që nuk janë të panjohur për publikun. Në krye qëndron Ilirjan Celibashi, i cili ka qenë më parë në këtë post. Po ashtu është dhe emri i Sajmir Vishës. Kandidat të tjerë në listë janë dhe Agron Haxhimalin, Anton Lleshajn, Kastriot Frashërin, Kristaq Kumen, Sokol Hasanajn, Sokol Agon, Myrteza Myftarin, Muharrem Nokën dhe Etleva Paplekajn. LSI në këtë garë mbështet kandidaturën e Kristaq Kumes që dhe ky si Celibashi dhe Gjata e ka drejtuar më parë këtë institucion.