Dalin në dritë pasuritë nënujore të Gjirit të Vlorës
DURRËS - Gjiri detar i Vlorës ka qenë për tre javë radhazi stacioni i kërkimeve nënujore arkeologjike në kuadër të projektit italo-shqiptar, "Liburna". Që nga viti 2007 kur ka nisur të materializohet ky projekt janë zbuluar me dhjetëra objekte të rëndësishme që nga antikiteti e deri në mesjetën e vonë, por mbi të gjitha është krijuar baza për fillimin e turizmit arkeologjik nënujor.
Gjatë një konference për shtyp të organizuar dje në mesditë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, bashkëdrejtori i këtij projekti, Dr. Adrian Anastasi tha se “rezultatet e këtyre kërkimeve nuk ndalen vetëm në rrafshin akademik, por mundësojnë nismën për krijimin e siteve nënujore, falë bashkëpunimeve të gjëra dhe projekteve të inkuadruara në UNESCO”. Dr. Anastasi nënvizoi bashkërendimin që ka nisur mes strukturave shkencore arkeologjike me policinë kufitare bregdetare dhe Rojen Begdetare të Forcave tona Detare për bllokimin e grabitjes së objekteve të rëndësishme arkeologjike që ndodhen nën ujë.
Turizmi arkeologjik nënujor në bregdetin shqiptar është krejtësisht i mundshëm,- tha Anastasi. Pasuritë antike dhe mesjetare që fshehin detet Jon dhe Adriatik mund të jenë në të ardhmen pjesë e guidave nënujore, gjatë të cilave turistët mund të zhyten për të vëzhguar nga afër objektet arkeologjike dhe pse jo, ndoshta edhe një muze të vogël nënujor ku do të ekspozohen enë prej qeramike, amfora, spiranca anijesh të mbytura,etj. Prof.Giuliano Volpe, bashkëdrejtues i projektit dhe rektor i Universitetit të Foggias (Itali) tha se “Gjiri detar i Vlorës paraqitet si një port i madh, ku në të gjitha periudhat nuk mungojnë vendet e ankorimit të anijeve, si në gadishullin e Karaburunit dhe në zonën e bregut të Vlorës. Porto Palermo ishte gjiri detar që u bë objekt i fushatës së parë arkologjike nënujore për tre javë radhazi në gusht të vitit 2007.
"Ne kemi kontrolluar me kujdes në një thellësi prej deri 40 metra, ndërsa thellësitë në mesin e gjirit detar të Porto Palermos arrijnë në 70-80 metra,"- tha prof. Volpe. Materialet arkeologjike të zbuluara janë depozituar tashmë në Muzeun e Durrësit dhe përfshijnë një periudhë kohore gati 2 mijëvjeçare. Amfora korintike, greko-romane, të tjera të ardhura nga ishulli i Rodit, madje edhe nga bota Siro-Palestineze janë dëshmi e shkëmbimeve të fuqishme tregtare mes porteve të brigjeve të Ilirisë jugore më ato të Mesdheut dhe më gjerë,-thotë prof. Giuliano Volpe.Ai përmendi zbulimin e objekteve të ndryshme si statueta, spiranca anijesh, monedha, amfora të periudhave të ndryshme, të cilat janë gjetur në Orikum, Triport, gjirin e Gramës, etj. Sipas prof. Volpes gjatë këtyre tre vjetëve arkeologët zhytës me mbështetjen e forcave detare të Guardia di Finanza, Rojes sonë bregdetare dhe institucioneve kërkimore shkencore shqiptare kanë kryer 327 zhytje me rreth 314 orë qëndrimi nën ujë. Laboratori i ngritur në Orikum dhe pjesëmarrja e studentëve shqiptarë në ekspedita është një arritje tjetër e projektit "Liburna,-shtoi prof. Volpe.Ekspedita që zgjati nga 25 korrik-9 gusht të këtij viti ka hedhur bazat për realizimin e hartës arkeologjike në katër zona ujore nga Durrësi deri në Sarandë. Vitin e ardhshëm ne do fillojmë zhytjet kërkimore edhe pranë Durrësit, ndërsa po përgatitet edhe ngritja e një kantieri arkeologjik në brigjet e Vlorës. MTKRS shqiptare, Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë dhe rajoni i Puljas kanë qenë mjaft aktivë në mbështetjen e projektit tone,-u shpreh prof. Giuliano Volpe. Bregdeti është i mrekullueshëm, ndërsa pasuritë arkeologjike nënujore të pafund-përfundon prof. Volpe.
11 Gusht 2009