E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis puna për dekorin e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës



GJIROKASTËR - Skena e Festivalit Folklorik Kombëtar, në kalanë që dominon qytetin jugor të Gjirokastrës, po rikonstruktohet me një fond mbi 3 milion lekësh, akorduar nga Ministria e Turizimit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Rikonstruksioni i skenës së kalasë shënon dhe ndërhyrjen e parë në këtë objekt, në kuadër të Festivalit që do të organizohet nga 24- 29 shtator në qytetin jugor. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare për qarkun e Gjirokastrës, Spartak Drasa, pohoi për agjencinë shtetërore të lajme se ndërhyrjet kanë filluar disa ditë më parë në skenën e festivalit, pasi aktualja ndodhet në parametra të kalbëzuara. Për këtë qëllim Ministria Turizmit, ka akorduar një fond limit prej 3.333.310 lekësh të reja, që ri-vijnë pas pesë vjetësh prej organizimit për të fundit herë të FFK 2004.
“Dekori i festivalit do të përgatitet nga skenografët e caktuar, të cilët do të ndryshojnë “look”-un e skenës dhe logon e festivalit të këtij viti. Një ndërhyrje mjaft efikase është parë edhe nër muret rrethues të kalasë, që prej vitesh janë veshur nga bimësia dhe që sipas mjeshtrave të gurit gjirokastrit, janë burim potencial i deformimit të bedenave të kështjellës”, tha Drasa.
Sipas tij, aktualisht pjesa lindore e kalasë është pastruar nga bimësitë e ndryshme dhe në pah kanë dalë gurët, ashtu siç është ndërtuar kalaja shekuj më parë. Festivali Folklorik Kombëtar organizohet një herë në 5 vjet. Edicionin e kaluar në këtë aktivitet morën pjesë mbi 1 mijë festivalistë nga i gjithë trevat shqiptare në mbarë botën.
Ndërsa, këtë edicion festivalistët pritet të jenë më të shumtë në numër pasi do të marrin pjesë edhe përfaqësues të folklorit shqiptar përtej kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë.
Festivali Folklorik Kombëtar është zhvilluar fillimisht në qytetin e Tiranës në vitin 1957 me siglën "Festivali Kombëtar i Këngës Muzikës dhe Valles". Për herë të parë në Gjirokastër ky aktivitet u zhvillua në vitin 1968, për t’u organizuar çdo 5 vjet deri në vitin 1988. Në vitin 1995, Festivali u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit dhe në vitin 2000 u rikthye në qytetin e Gjirokastrës.

11 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›