E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tim Xhuda: Ndarja e Kosovës është e papranueshme



Ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë nuk është i pranueshëm edhe në rrafshin ndërkombëtar. Një gjë e tillë do të sjellë probleme zinxhir edhe në Maqedoni dhe Bosnje. Një mendim të tillë e ka shprehur eksperti i çështjeve ballkanike, Tim Xhuda, i cili është kundër propozimit të kongresmenit amerikan për shkëmbim territoresh mes Prishtinës dhe Beogradit. Ati tha në një intervistë për Radio Europa e Lirë se "gjendja në Veri të Kosovës tash 10 vjet është një konflikt i ngrirë me pak gjasa të integrimit të plotë në sistemin qeverisës të Kosovës".

Zoti Xhuda, ta fillojmë bisedën me disa ide që janë shfaqur së fundi për shkëmbim territoresh midis një pjese të veriut të Kosovës dhe jugut të Serbisë. Si e shihni ju këtë çështje?

Mendoj se kjo ide qëndron prapa rastit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mendoj se strategët në Serbi, të cilët e kanë zhvilluar idenë për ta çuar rastin e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, e kanë pasur pikërisht këtë ide në mendje, duke imagjinuar skenarin ku Serbia do ta fitonte rastin në Gjykatë dhe pastaj do të përpiqej ta riabsorbojë Kosovën.
Ideja e shkëmbimit territorial ka qenë prapa këtij procesi gjatë gjithë kohës. Ka pasur shumë njerëz në Serbi, të cilët mund të parashikonin që veriu të merrej, por kurdo që përmendej fakti se kjo do të ishte e papranueshme për Prishtinën dhe se vetëm nëse Prishtina e merr Preshevën, marrëveshja do të ishte e pranueshme, ata gjithmonë përgjigjeshin prerazi, duke përmendur rrugët strategjike, hekurudhat etj.
Ajo që është interesante, është fakti se tani në Serbi ka njerëz, të rëndësishëm mund të them, të cilët janë të gatshëm të “zbaviten” me idenë e shkëmbimit dhe jo vetëm me marrjen e Veriut. Dhe, kjo është ajo që është thelbësore.

Por, në rrafshin ndërkombëtar, a mendoni se kjo është e pranueshme?

Jo, nuk mendoj se është e pranueshme, të paktën jo për një të ardhme të afërt. Dhe, jo për shkak të Kosovës. Po të ekzistonte Kosova dhe Serbia në një lloj vakuumi ose po të ishin të dyja në një ujdhesë, mbase do të ishte e mundshme. Problemi në këtë kuadër, siç e dinë të gjithë, nuk është Presheva dhe as veriu, problemi qëndron në Maqedoni dhe në Bosnjë.
Prandaj, deri në një të ardhme të afërt, nuk mendoj se kjo është e mundshme, por kush e di se ç’mund të ndodhë me kalimin e viteve.

Dhe sërish vijmë tek çështja, e cila vazhdimisht është duke u ngritur – si të trajtohet Veriu dhe status quo-ja prej më shumë se dhjetë vjetësh atje?

Unë nuk jam dhe aq optimist. Mendoj se gjërat në këtë pjesë do të vazhdojnë të zhvillohen pak a shumë ashtu siç janë tani. Mendoj se është mjaft e mundshme që të gjendet një formë më e mirë e “modus vivendit” pas një viti, veçanërisht nëse ka rënie të ndikimit të njerëzve, siç është Marko Jakshiq.
Megjithatë, më duhet të them se nuk jam edhe aq optimist për integrimin e plotë të Veriut në sistemin e qeverisjes së Kosovës. Kjo më duket se ka pak gjasë të ndodhë. Por, ka gjasë që të zhvillohet një formë më e mirë e “modus vivendit” për të gjithë.

A mendoni se kjo pjesë rrezikon të shndërrohet në një konflikt të ngrirë deri në gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë?

Nuk mendoj se është çështje e shndërrimit në një konflikt të ngrirë, sepse e tillë ka qenë tash e dhjetë vjet. Mendoj se situata atje do të mbetet pak a shumë në këtë formë që është sot.

Nuk besoj se veriu papritur do të bëhet pjesë që ndjen, frymon dhe jeton në Kosovë, ashtu siç bëjnë pjesët tjera. Kjo qartazi nuk do të ndodhë.

Të flasim për integrimin evropian të rajonit. Disa kanë kritikuar Bashkimin Evropian se ka hapur dyert gjerësisht për Serbinë, ndërkohë që i ka mbyllur për Kosovën. A e shihni edhe ku këtë çështje kështu?

Deri në një pikë po. Është e vërtetë se ata duan të integrojnë tërë Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, është fakt se Serbia ka bërë më shumë për të përmbushur kriteret, ashtu siç kanë bërë edhe Kroacia dhe Maqedonia, më shumë seç kanë bërë Bosnja dhe Kosova.
Për shkak të problemeve të tjera të Kosovës, siç ishte përqendrimi në pavarësinë e saj, sovraniteti, Kosova ende nuk ka arritur aty ku duhet. Ajo gjendet ende në fillim. Prandaj, mendoj se është e padrejtë dhe e lehtë të fajësosh Bashkimin Evropian. BE-ja është organizatë shumë e madhe, bota është shumë e madhe dhe ajo aktualisht është goditur me një periudhë të rëndë ekonomike, të ngjashme me atë të viteve 1930.
Njëkohësisht, ka jashtëzakonisht shumë probleme në botë dhe Kosova, në rrafshin global, nuk është një prej tyre. Natyrisht, është frustruese dhe e vështirë për njerëzit që jetojnë në Kosovë, por, siç e thashë, bota është shumë e madhe dhe ka probleme tjera të mëdha.

11 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›