E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahen çmimet e “DokuFest 2009” në Prizren, rrëmben trofe edhe Gentian Koçi



PRISHTINË - Në Prizren ka përfunduar mbrëmë vonë festivali ndërkombtar i filmit dokumentar "Dokufest 2009", me ceremoninë e ndarjes së dhjetë çmimeve nga juria dhe nga publiku. Filmi më i mirë dokumentar i gjatë është shpallur "Rene" i Helena Trestikova nga Çekia, ndërsa dokumentari më i mirë i shkurtër ishte "Solitary Life of Cranes", i Eva Veber nga Britania e Madhe. Filmi më i mirë i shkurtër artistik është shpallur "The Dinner" i Karçi Perlmann nga Hungaria. Në garën ballkanike ka fituar filmi "Sisters of Lilith" i Emel Çelebi nga Turqia, në garën kombëtare filmi më i mirë është vlerësuar "Antena" i Gentian Koçit nga Shqipëria, ndërsa në garën e gjelbër (green docs) - "A Sea Change", i autores Barbara Ettinger nga SHBA-ja. Çmimin për filmin më të mirë që trajton të drejtat e njeriut e ka marrë "The Glass House", i autorit amerikan Hamid Rahmanian. Çmimin e publikut e ka fituar filmi "Bloody Mondays & Strawberry Pies", i autorit Coco Shrijber nga Holanda. Çmimi “DokuKids” i është ndarë filmit "Orgesticulanimus" të Methju Labej nga Belgjika, dhe çmimi "Sorra prize" i është dhënë filmit "Tik Tak" të Adea Grezdës nga Kosova.
Gjatë shtatë ditëve të festivalit, i cili është hapur solemnisht të hënën e kaluar në mbrëmje, në katër kinema u shfaqën 184 filma nga 36 shtete të botës, përfshirë rreth 40 filma nga Shqipëria dhe Kosova.
Festivali u mbajt në atmosferën e shndërrimit të qytetit historik të Prizrenit në kryeqytet botëror të filmit, ku shiritat filmikë dhe simbolet e tjera të ngjarjes së madhe të kulturës ishin vendosur e ngritur kudo rrugëve, shesheve dhe urave të gurta. Me një shirit të madh filmik, të improvizuar nga një pëlhurë, ishte mbështjellë edhe minareja e Xhamisë së Sinan Pashës, një prej monumenteve të shumta të qytetit muze.
Organizatorët kanë vlerësuar se ky edicion i tetë i festivalit ndërkombëtar të filmit "Dokufest" është më i suksesshmi dhe më i shikuari, me më shumë se 4 mijë bileta të shitura gjatë javës, e me qindra pjesëmarrës nga vendi e bota, emra të njjohur të kulturës kombëtare e ndërkombëtare.
"Dokufest", festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, i themeluar në vitin 2002, është ngjarja më e madhe filmike në Kosovë. Festivali mbahet çdo gusht në qytetin historik e turistik të Prizrenit me shfaqjen e filmave dy herë në ditë në katër kinema, dy nën qiell të hapur dhe në dy në ambiente të mbyllura.

ÇMIMET E FESTIVALIT “DOKUFEST 2009”

Filmi më i mirë dokumentar
"Rene" i Helena Trestikova

Dokumentari më i mirë i shkurtër
"Solitary Life of Cranes" i Eva Veber

Filmi më i mirë i shkurtër artistik
"The Dinner" i Karçi Perlmann

Gara për filmin më të mirë ballkanik
"Sisters of Lilith" i Emel Çelebi

Gara për filmin më të mirë shqiptar
Antena" i Gentian Koçi

Gara për filmin dokumentar “Green docs”
"A Sea Change", i autores Barbara Ettinger

Çmimin për filmin më të mirë që trajton të drejtat e njeriut
"The Glass House" i Hamid Rahmanian

Çmimi i publikut
"Bloody Mondays & Strawberry Pies" i autorit Coco Shrijber

Çmimi “DokuKids”
Filmi "Orgesticulanimus" i Methju Labej nga Belgjika

Çmimi "Sorra prize"
Filmi "Tik Tak" i Adea Grezdës nga Kosova

11 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›