Dalin në dritë veprat e panjohura të Jakup Kerajt
Petrika GROSI
Nesër, (24 tetor) në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë do të përurohet ekspozita retrospektive e piktorit të njohur shqiptar Jakup Keraj. Lajmin e bën të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtypin kuratorja dhe studiuesja e artit pranë GKA-së, Suzana Varvarica Kuka. E veçanta e kësaj ekspozite që do të çelet ditën e premte në Galerinë Kombëtare të Arteve është se për herë të parë do të paraqiten para publikut dhe medias punë të panjohura të autorit, të cilat janë pjesë e një koleksioni privat. Veç këtyre punëve që ekspozohen për herë të parë, do të ketë edhe vepra të tjera të piktorit Keraj, të cilat janë pronë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve apo e familjes së artistit. Kuratorja Suzana Varvarica Kuka, pohon se pikturat janë përzgjedhur në bazë të vlerave të tyre të larta artistike. Në këtë ekspozitë do të jenë rreth 60 tablo, punime në vaj, laps dhe akuarel. Ato do të ekspozohen në sallën e vogël dhe janë të kuruara simbas idesë së përzgjedhjes retrospektive të kombinuar me kapitujt e trajtuar nga piktori gjatë gjithë jetës së tij krijuese. Piktori Jakup Keraj ka krer liceun artistik në Tiranë, më pas Akademinë e Arteve të Bukura në San Petërsburg, në Ish Bashkimin Sovjetik. Ai ka punuar si artist i pavarur, por edhe si pedagog ku ka nxjerrë disa breza piktorësh të rinj të talentuar. Në konkurse ndërkombëtare ka fituar medalje bronzi në Bienalen e Aleksandrisë së Mesdheut. Mban urdhrin “Naim Frashëri”, Klasi i tretë , titullin “Piktor i Merituar”, urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”.
KOMPETICIONI
Çelet në Ferizaj, Festivali i Teatrove të Kosovës
“Hajnat nuk vijnë gjithmonë për të keq”, shkruar nga autori Daroi Fo, me regji të Sabri Pajazitit, ka hapur edicionin e 38-të të Festivalit të Teatrove të Kosovës, gjatë të cilit do të jepen shfaqje teatrore të zhanreve të ndryshme nga trupa teatrore të qyteteve të ndryshme shqiptare. Para dashamirëve të artit skenik, flakadanin e hapjes së Festivalit e kanë ndezur aktori nga Ferizaj, Ismail Rama dhe kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli.
Ky i fundit, para se të shpallte të hapur këtë eveniment me rëndësi, ka thënë se pjesëmarrja e trupave teatrore nga Tetova dhe Korça shton kënaqësinë e publikut që atdheun e ndarë politikisht të paktën ta ndiejnë si një bashkim në rrafshin shpirtëror dhe kulturor. Në këtë ngjarje kulturore, do të ngjiten në skenë deri më 27 tetor shtatë shfaqje teatrore të zhanreve të ndryshme, si dramë, komedi, tragjikomedi, monodramë, nga trupa teatrore të qyteteve të ndryshme shqiptare. Përveç trupave nga Korça dhe Tetova, do të paraqiten në skenë edhe Teatri “Dodona” me dy vepra skenike, ndërsa me nga një vepër do të prezantohen trupat teatrore nga Ferizaj, Prizreni dhe Gjilani. Çmimet e festivalit do të jenë disa llojesh, si shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori dhe aktorja më e mirë, roli i dytë i mashkullit, roli i dytë i femrës, roli më i mirë episodik dhe çmimi i mediave të Ferizajt, që do t'i ndahet shfaqjes, apo ndonjë individi të dalluar. Festivali është mbështetur financiarisht nga Kuvendi Komunal i Ferizajt me një shumë prej 6.500 eurosh, si dhe nga disa donatorë të sektorit privat.
23 Tetor 2008