E Shtunë, 31 Tetor 2026

Markeljan Koçibelli: “Të jetosh me violinën në Gjermani”

INTERVISTË/ Flet artisti korçar i Kamersolistëve të Augsburgut

Petrika GROSI
Solisti shqiptar me origjinë nga Korça, i cili është pjesë e orkestrës së Augsburgut në Gjermani, Markeljan Koçibelli rrëfen në një intervistë për gazetën rrugën e tij të vështirë drejt artit dhe mënyrën sesi arriti që sot të bëhet një instrumentalist i njohur në një vend ku talentet nga gjithë bota nuk mungojnë dhe konkurrenca nuk bie asnjë çast. Familja ka vuajtur, ka punuar dhe ka hequr shumë që djali të studionte për violinë, por tani ajo gëzon dhe krenohet për artistin, sakrifica ia ka vlejtur.

Markeljan, kur fillojnë lidhjet tuaja me muzikën?
Që kur isha tre vjeç, kam mësuar kitarrën. Vëllai im, Renatoja, këndonte serenata dhe mua më pëlqente shumë të shoqëroja këngët me kitarrë. Aty familja vendosi të më fuste në shkollë muzike. Bëra konkurs për piano por babai nuk deshte të vazhdoja atë degë, ndaj nisa për violinë. Deri në klasë të shtatë studiova në Korçë. Një vit më vonë bëra konkurs për të vazhduar shkollën në Tiranë. Aty njoha maestro Zhani Cikon, i cili ishte pjesë e jurisë. Fitova konkursin dhe mu dha mundësia që katër vitet e tjera të studioja në liceun “Jordan Misja” në Tiranë. Në këto vite mësova shumë. Gjatë kësaj kohe në lice u krijua një formacion prej nesh. Arritëm të interpretonim me sukses pjesë tepër të vështira. Luanim muzikë dhome si dhe dhamë disa koncerte. Në ’89-n hyra në Institut, ndërsa në vitin 1991 me trazirat që filluan ika jashtë shtetit, drejt Gjermanisë. Aty vazhdova studimet në Universitetin e Mynihut për katër vite. Që nga ajo kohë e deri më sot kam punuar në Gjermani por mendimi dhe dëshira ime më e madhe ishte që të vija një ditë të jepja koncert në Shqipëri.

Ishit emigrant pa asnjë dokument në një tokë të huaj. Si arritët që të hynit dhe të vazhdonit studimet e larta në atë kohë në Gjermani?
Unë mendoja vetëm për mbijetesën. Ishte merita e familjes, kryesisht e vëllait, që erdhi me mua në Gjermani dhe më tha: “Unë do të punoj, ndërsa ti do të studiosh”. Është një sakrificë që nuk e harroj kurrë dhe që të bën të ndihesh krenar për traditat tona dhe dashurinë familjare që shprehet në një mënyrë kaq sublime. Këto gjëra nuk mund të ndodhin në vendet e tjera. Pasi krijova kontaktet e mia dhe hyra në rrethet e atjeshme, mu krijua mundësia për të marrë bursë studimi, megjithatë, dua të them se fillimi ka qenë tepër i vështirë. Vëllai im Aureli punonte natën dhe ditën për të mbajtur familjen e tij dhe mua që studioja.

Më në fund dëshira juaj e madhe për të dhënë një koncert në Shqipëri realizohet. Si ndiheni, ç’mund të thoni për koncertin?
Shumica e kolegëve të mi që do të interpretojnë në këtë koncert janë pjesë e orkestrës së Augsburgut. Shpesh, në bisedat tona, ata më pyesnin për Shqipërinë. Më thoshin se kur do të vemë... Pas një viti e pak përpjekjesh të shumta, më në fund u realizua projekti që pas turneut në Brazil, të bënim të njëjtën gjë në Shqipëri. Për këtë gjë duhen falenderuar sponsorat dhe drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit, Zhani Ciko, i cili dashamirës dhe gjithmonë i papërtuar na ka dhënë një ndihmë të madhe.

Prej sa kohësh jeni pjesë e formacionit të Kamersolistëve të Augsburgut?
Të them të drejtën nuk është tamam një formacion muzikor, por saherë që ne kemi kohë të lirë dalim dhe japim koncerte nëpër vende të ndryshme. Punë jonë kryesore është ajo që bëjmë në orkestrën e Augsburgut. Ne luajmë në mbrëmje të ndryshme që zhvillohen atje në teatër, balet, opera e koncerte.

Cilat janë pjesët që keni përzgjedhur për koncertin e sotëm?
Kryesisht janë emra që i përkasin kulturës gjermane si Johan Sebastian Bach, Moxart. Shoqja ime Michaela Kuntz luan në oboe ndërsa unë në violinë. Do të luajmë gjithashtu edhe “4 stinët” e Vivaldit, ku unë luaj dimrin.

Sa e lehtë është të jetosh në Gjermani me artin?
Nuk është dhe aq e lehtë pasi çdo vit konkurrenca rritet dhe artistët vijnë për punë nga e gjithë bota. Megjithatë, me talent, punë dhe dëshirë të mirë mund të arrihet gjithçka.

A ka ndonjë personazh shqiptar apo të huaj, me të cilin do të donit të bashkëpunonit në një koncert?
Në fakt, bashkëpunimet mund të jenë të llojeve të ndryshme, sinqerisht nuk e kam menduar ndonjë emër në veçanti.

A është vështirë tërheqja e publikut duke qenë se muzika klasike nuk pëlqehen nga masat dhe rinia?
Publiku gjerman ka një kulturë të veçantë dhe janë shumë të sinqertë. Ata janë edhe shumë të vëmendshëm e të ndjeshëm ndaj asaj që ndodh në skenë. Njëherë kur mbaroi një opera, ata e fishkëllyen regjisorin pasi nuk u pëlqeu regjia e tij, ndërsa duartrokitën orkestrën...

Babai i violinistit rrëfen peripecitë e komunizmit

Behar Koçibelli: “Kadareja na ndihmoi që djali mos digjej”

Kadareja ka qenë mik i Beharit, babait të Markeljanit dhe ka bërë që me ndërhyrjen e tij, djaloshi i talentuar të vazhdonte shkollën në Liceun Artistik në Tiranë. Rruga ka qenë e vështirë dhe plot pengesa nga sekretarët e Partisë. Të paktën kështu e kujton historinë Behari, teksa rrëfen kujtimet për gazetën “Albania”. Ai thotë: “...Djalin e kam pasur të talentuar për muzikë por nuk e linin të vazhdonte të studionte pasi unë kisha ca kontradikta me sekretarin e parë. Fati im i madh është që në atë kohë erdhi Ismail Kadareja, (e kam mik të vjetër) për të bërë një artikull mbi Borovën. Ishte megjithë Helenën dhe e dëgjoi djalin që i binte violinës. I pëlqeu dhe tha se djali do vinte në liceun e Tiranës. Pas tri telegramesh të Kadaresë nuk kishin si të na sorrollasnin më tej. Lejuan djalin të vazhdonte studimet.”

23 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›