E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shqiptare dhe KfW nënshkruajnë marrëveshjet për ndërtimin e linjës energjetike Tiranë - Prishtinë dhe për linjën e unazës së jugut

Financimi i këtyre dy projekteve kap shifrën rreth 90 milionë euro. Gjithashtu, përurohet edhe hapja e zyrës rajonale të Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, në Tiranë.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së zyrës rajonale të Bankës gjermane për Zhvillim KfW, në Tiranë, si dhe nënshkrimit të dy marrëveshjeve me këtë bankë; marrëveshja për ndërtimin e linjës energjetike 400 kilovolt Tiranë-Prishtinë dhe linjës 110 kilovolt të unazës së jugut.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Zëvendëskryeministri, z. Genc Pollo, Ambasadori i Republikës Federale gjermane, z. Bernd Borchard, ministri i Financave, z. Ridvan Bode, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Genc Ruli, përfaqësues të GTZ-së në Shqipëri (Shoqëria Gjermane për bashkëpunim Teknik), përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, etj.
Ambasadori gjerman në Tiranë vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare, duke u shprehur se ky bashkëpunim nuk qëndron thjesht në akordim fondesh, por është konkretizuar në vepra që janë të prekshme për qytetarët. Ambasadori përmendi një sërë projektesh të realizuara me investimet gjermane, ku ndër më të kryesorët qëndron Aeroporti “Nënë Tereza”, projekt i realizuar suksesshëm nga një shoqëri e KfW-së. Gjithashtu, ai përmendi disa projekte të realizuar nga KfW në Shkodër, në Korçë, Sarandë, Kavajë, etj. Ai vlerësoi se dy marrëveshjet e nënshkruara sot për linjat energjetike janë projekte strategjike me rëndësi për zhvillimin ekonomik në Shqipëri.
Kryeministri Berisha theksoi se 20 vjetori i bashkëpunimit Shqipëri – Gjermani kremtohet në lartësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe me një bilanc të madh suksesesh. “Shqiptarët u janë thellësisht mirënjohës qeverisë dhe taksapaguesve gjermanë, të cilët gjatë këtyre viteve kanë investuar me qindra projekte, tashmë të konkretizuara, me një vlerë rreth 800 milionë euro”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri vlerësoi se hapja e zyrës rajonale të KfW-së, këtu në Tiranë, është një ngjarje shumë e madhe dhe e rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin, ndërsa nënvizoi se financimi i linjës elektrike me Kosovën dhe i unazës së jugut janë një ndihmë e jashtëzakonshme në fushën e energjisë, që do të mundësojnë optimalizimin e përdorimit të energjisë elektrike.
Duke iu referuar projekteve të shumta të investuara nga KfW dhe GTZ, Kryeministri tha se ato nuk kufizohen vetëm në Shkodër, Korçë apo Sarandë, por shtrihen deri në Kukës, Krumë dhe janë përqendruar në fushat dhe nevojat më jetike të qytetarëve shqiptarë, ujë, energji elektrike, kanalizime, duke përfshirë edhe arsimin, rendin, kulturën, bujqësinë. “Nuk ka ndonjë fushë zhvillimi ku të mos jetë shtrirë mbështetja gjermane”, tha Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi ndihmën që GTZ ka dhënë për komunitetin në zonën e Thethit, duke theksuar gjithashtu nevojën për mbështetjen e mëtejshme të këtyre banorëve, përmes kredive të buta, me qëllim zhvillimin e turizmit malor në këto zona. “Tre ditë më parë, ne inauguruam rrugën e Bogës, që shkon drejt Thethit dhe te banorët atje gjeta një gëzim shumë të madh për këtë rrugë, por ata më parashtruan vetëm një kërkesë: A mund të na mundësohen kredi të buta që të përgatisim shtëpitë tona për turistë”, tha Kryeministri. Në këtë drejtim, ai nënvizoi se Shqipëria është një vend kryesisht malor, me një potencial turistik malor, kryesisht të pashfrytëzuar. “Thethi është bërë një shembull shumë pozitiv në këtë aspekt, Valbona gjithashtu, por si këto dy vende ka edhe shumë zona të tjera”, vijoi Kryeministri.

Fjala e Kryeministrit Berisha në këtë ceremoni:
“Së pari, dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për mënyrën se si ne së bashku festuam 20 vjetorin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve tona. Ky 20 vjetor u kremtua në lartësinë që janë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Vizita që unë bëra në Berlin, takimi që pata me Kancelaren Merkel, ministrin Steinmeier dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Republikës gjermane, për shqiptarët dhe Shqipërinë ishin një ngjarje shumë e rëndësishme.
Ne kremtojmë 20 vjetorin e marrëdhënieve tona, të nënshkrimit të protokollit të parë të bashkëpunimit ekonomik, me një bilanc të madh suksesesh. Shqiptarët u janë thellësisht mirënjohës qeverisë dhe taksapaguesve gjermanë, të cilët gjatë këtyre viteve kanë investuar me qindra projekte, tashmë të konkretizuara, me një vlerë rreth 800 milionë euro. Në krye të kësaj bujarie qëndron Banka Gjermane për Zhvillim KfW, e cila ka realizuar shumicën dërrmuese të këtyre projekteve me rreth gjysmë milionë euro.
Hapja e zyrës rajonale të KfW-së, këtu në Tiranë, është një ngjarje shumë e madhe dhe e rëndësishme për ne dhe rajonin. Ne jemi të kufizuar me 2 vende mike, si Maqedonia dhe Kosova, vende që e kanë jetik bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Vetëm financimi i linjës elektrike me Kosovën përbën një ndihmë të jashtëzakonshme në fushën e energjisë për të dy vendet, që do të mundësojë optimalizimin e përdorimit të energjisë, pasi burimet energjetike janë krejtësisht të ndryshme. Ky projekt vendos gjithashtu një komandë të përbashkët të sistemeve energjetike. Në Shqipëri, 95 për qind e prodhimit të energjisë sigurohet nga burimi ujor, ndërsa në Kosovë, po kaq për qind, vjen nga burimi i qymyreve. Piket e konsumit energjetik në të dy vendet janë të ndryshme. Po kështu do të jetë edhe për linjën elektrike me Malin e Zi.
Ju përmendët sot këtu disa nga projektet e realizuara gjatë viteve në Shqipëri. Ato janë vetëm një pjesë e një numri shumë të madh projektesh të realizuara. Por dua të theksoj se ato projekte kanë ndryshuar shumë pozitivisht jetën e shqiptarëve. Çdo vend ka nevojë për ndryshime pozitive, por asnjë vende tjetër në Europë, sesa Shqipëria, nuk ka nevojë për ndryshim, për shkak të një trashëgimie vërtetë të tmerrshme që shqiptarët kanë pasur nga e kaluara e tyre.
Projektet e KfW-së dhe GTZ-së nuk kufizohen vetëm nga Shkodra, Korça apo Saranda, por ato shtrihen deri në Kukës, Krumë dhe janë përqendruar në fushat dhe nevojat më jetike të qytetarëve shqiptarë, ujë, energji elektrike, kanalizime, duke përfshirë edhe arsimin, rendin, kulturën, bujqësinë. Pra, nuk ka ndonjë fushë zhvillimi ku të mos jetë shtrirë kjo mbështetje.
Në takimin që pata në Gjermani me Kancelaren Merkel, ajo u shpreh se Gjermani e ka ndihmuar Shqipërinë, por edhe më shumë do t’ju ndihmojë. I shpreha asaj mirënjohjen e thellë në këtë drejtim, sepse nevojat tona janë shumë të mëdha. Ne po investojmë 32 për qind të buxhetit për ndërtimin e infrastrukturës, por sado që ne të investojmë, pa ndihmën e miqve tanë, është e pamundur që të realizojmë objektivat e ndryshimit të shpejtë të vendit, që janë shumë të domosdoshme.
Tre vjet më parë, me Ambasadorin gjerman në atë kohë, unë kam inauguruar impiantin e përpunimit të ujërave të zeza në Kavajë. Gjatë atij aktiviteti unë kisha vetëm një mendim në mendje; ishte i pari impiant i ujërave të zeza në Shqipëri. Por, ky impiant hapi siparin e një seri impiantesh të tjera. Së bashku do të inaugurojmë së shpejti impiantin e përpunimin e ujërave të zeza në Pogradec, ndërkohë që po ndërtohen edhe impiante te tjera në qytete të tjera.
Ju përmendët këtu zonën e Thethit dhe ndihmën që GTZ-ja i dha këtij komuniteti. Tre ditë më parë, ne inauguruam rrugën e Bogës, që shkon drejt Thethit. Te banorët e Bogës gjeta një gëzim shumë të madh për këtë rrugë, por ata më parashtruan vetëm një kërkesë: A mund të na mundësohen kredi të buta që të përgatisim shtëpitë tona për turistë? Ne jemi një vend kryesisht malor, me një potencial turistik malor, kryesisht të pashfrytëzuar. Thethi është bërë një shembull shumë pozitiv në këtë aspekt, Valbona gjithashtu, por, si këto dy zona ka edhe shumë të tjera.
Sot ne nënshkruajmë 2 marrëveshje shumë të rëndësishme për një financim prej rreth 90 milionë euro. Suksesi i madh i projekteve të realizuara gjatë këtyre viteve, me financimin e KfW-së dhe ato të GTZ-së, janë garanci e suksesit të sigurt të këtyre dy projekteve jetike për vendin.
Edhe njëherë, dua t’ju shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time më të thellë dhe t’ju siguroj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që bashkëpunimi i shkëlqyer midis dy vendeve tona të zhvillohet dhe konsolidohet më tej. Faleminderit”.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›