E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Fletët e votimit, në Komisionin e Venecias

Kreu socialist ka bërë se pranon kompromisin e ofruar nga ndërkombëtarët për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore

Partia Socialiste ka bërë publike dje nëpërmjet kryetarit të saj, Edi Rama, ofertën për kompromis të ardhur nga ndërkombëtarët, ku në thelb të saj qëndron propozimi për të hapur dhe hetuar kutitë e materialeve zgjedhore dhe marrja e opinionit të Komisionit të Venecias për kutitë të votimit.


Në një bashkëbisedim me gazetarët, dje kreu socialist ka theksuar se "ne jemi gati për zgjidhjen: transparencë përmes një hetimi, i cili mund të fillojë menjëherë duke hapur kutitë e të gjithë dokumentacionin zgjedhor, ndërkohë që kontesti për fletët e votimit mund t'i lihet fare thjeshtë opinionit të një pale që nuk është palë në këtë konflikt dhe që gëzon respektin e të gjitha e palëve Komisionit të Venecias".


Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Rama ka shprehur keqardhje për qëndrimin e kryeministrit Berisha, ndërsa hodhi poshtë variantin që hapja e kutive të materialeve zgjedhore të bëhet paralelisht me djegien e fletëve të votimit.


Ekziston një qëndrim i mazhorancës që hapja e kutive të materialeve zgjedhore të bëhet paralelisht me djegien e fletëve të votimit. Sa e vërtetë është kjo?


Interpretimi, sipas të cilit hapja e kutive të dokumentacionit zgjedhor duhet të kushtëzohet me djegien e fletët e votimit është i gabuar. Kjo është një krizë e rëndë që kërkon kompromis në funksion të interesit publik dhe të transparencës së domosdoshme politike. Ajo çka ne mund dhe duhet të arrijmë përmes transparence ka një rëndësi kombëtare, strategjike për demokracinë, për shtetin e së drejtës dhe për ekonominë.


Ç'ka do të thotë se palët e kanë këtë një detyrim karshi shqiptarëve dhe nga ana tjetër mjafton vullneti i palëve që kjo çështje të zgjidhet menjëherë, ndërkohë që këto arsyetime dhe interpretime shumë të sipërfaqshme të mos bëhen pengesë për zgjidhjen.


Zgjidhja po vonon ndërkohë që gjendja fizike e grevistëve po rëndohet çdo ditë e më tepër, çfarë do ndodh me grevën?


Gabon kush mendon se kufiri fizik i atyre që sot po dëshmojnë vullnetin tonë për të hapur një epokë të re është edhe kufiri i grevës dhe i protestës sonë. Nuk është kështu. Greva nuk mbaron, protesta nuk mbaron, populli opozitar nuk ndalet deri në realizimin e transparencës.


Apeli im për Sali Berishën është: këtu askush nuk po kërkon asgjë tjetër, përveç asaj që zotrote je i pari që ke detyrimin të garantosh për Shqipërinë dhe shqiptarët transparencë në funksion të interesit kombëtar dhe publike, për një Shqipëri e cila të bëjë një hap themelor për të hapur një epokë të re, e cila do ta bëjë jo vetëm zgjedhje më të mira, por edhe qeverisjen më të mirë.


Ju i bëni apel kryeministrit që të pranojë kompromisin, për të cilin thatë se e keni pranuar?


Është një kompromis i arsyeshëm që nuk cenon parimin e transparencës, që nuk cenon interesin publik për transparencë, i cili hap kutitë e dokumentacionit zgjedhor dhe krijon të gjitha kushtet që për kutitë ku gjenden fletët të ketë një gjykim të pavarura që do t'u vinte në ndihmë palëve për të përmbyllur një proces që duhet të përmbyllë një epokë, atë të zgjedhjeve të padenja për Shqipërinë anëtare të NATO-s, për shqiptarët që nuk duhet të varen nga qeveria.


Të gjithë duhet ta kuptojnë se beteja jonë nuk është beteja e radhës mes një pale dhe palës tjetër në një histori sherri politik, por është një betejë që sot shkon përpara me forcën e vetëdijes se këtu ne po japim një kontribut shumë më të madh se sa ajo që ne do të fitojmë si palë, një kontribut për të gjithë vendin, për të gjithë njerëzit.



Në ç'rrugë duhet kuptuar gjykimi i Komisionit të Venecias, pasi Kryeministri Berisha e shmangu mundësinë që të kërkohet nga kryeministri, kryetari Kuvendit apo Presidenti Republikës?


Është për të ardhur keq dhe më shumë se sa kaq është e vajtueshme që Shqipëria sot ka mbetur në dorën e këtij pushteti që nuk sheh se çfarë Shqipëria ka nevojë sot dhe nuk kupton që kjo nuk është një tufë gjelash, por kjo është një përpjekje, e cila duhet të çlirojë energji pozitive për vendin, e cila duke u bllokuar, bllokon gjithë vendin. Nuk është protesta jonë që pengon integrimin. Por është e gjithë problematika e rëndë që ka penguar integrimin që ka nxitur protestën tonë.


Ne jemi në këtë protestë, sepse nuk janë garantuar kushtet që Shqipëria të ketë zgjedhje, pushtet të së drejtës, të ketë një ekonomi të lirë, që Shqipëria të jetë një vend i konkurrencës së lirë mes forcave politike, të hapësirave të tregut, të shkollës, në punë e kudo tjetër. Këto janë të pamundura sot se ato këtu mbahen të mbyllura. Ne nuk lëvizim, nuk tërhiqemi, nuk ndalemi. Është e kotë.


Nuk ka asnjë mundësi që ne të heqim dorë nga kjo kërkesë elementare që ka të bëjë me një problem themelor. Vullneti ynë është i plotë dhe jemi të gatshëm ta zgjidhim sot këtë krizë, duke pranuar kompromisin e bazuar plotësisht mbi të drejtën kushtetuese për të filluar menjëherë hetimin.


Duke u nisur nga dokumentacioni zgjedhor që mbyllet në kutitë e të gjitha qendrave të votimit dhe duke pritur që për kutitë ku gjenden fletët e votimit, të ketë një opinion të pavarur nga një instancë e respektuar prej të gjithëve që është Komisioni Venecias.


Ku është problemi dhe si ka mundësi që ndërkohë që ne jemi të gatshëm ta pranojmë këtë, pala në pushtet nxjerr pengesa për një zgjidhje, e cila nuk çliron thjeshtë këtë nyje, po çliron shumëçka tjetër rreth kësaj nyje. Kjo është tregues i shumëçkaje, por unë nuk dua të bëj asnjë koment. Ne e kemi lënë këtë kohë për një reflektim dhe për një zgjidhje dhe duam zgjidhje në të mirë të gjithëve.


Jeni shprehur se zgjidhja është afër, keni reagime, sinjale pozitive që kjo zgjidhje po vjen dhe në rast se do ketë sot një qëndrim të Km. Berisha pro kësaj që thoni ju, sot merr fund edhe greva e urisë?


Pa asnjë dyshim, në rast se pala tjetër e pranon këtë zgjidhje, çështja është e zgjidhur dhe fillon procesi i transparencës.


Ky është propozimi për të cilën foli edhe z. Bosh që mbështet nga OSBE-SHBA dhe BE?
Ky është besoj unë një kompromis i artë që në fund fiton Shqipëria, fitojnë shqiptarët, fiton demokracia dhe nga këtu nis rruga e një transparence që garanton procesin zgjedhor dhe i vendos palët në një pozicion shumë më detyrues ndaj publikut.


Presidenti Republikës mbrëmë në një emision e ka mohuar të ketë një draft?


Unë dhashë formulën e zgjidhjes. Fakti që kjo është apo jo e shkruar nuk e cenon aspak thelbin për të cilin ne diskutojmë. Kjo është një zgjidhje që ne e pranojmë. Kjo është një zgjidhje që me ta pranuar edhe pala tjetër i jep fund kësaj çështje.


A do t'i drejtoheni ju Komisionit të Venecias, komisionit hetimor apo do të ketë një nga komisioni hetimor një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Komisionin e Venecias.


A është menduar dhe kjo rruga?


Kjo është një zgjidhje që kërkon vullnetin e të dyja palëve. Ne e kemi vullnetin. Pala tjetër nuk e ka.


Ju thatë që nëse mazhoranca pranon këtë kompromis, këtu merr fund greva, merr fund protesta dhe nis hetimi i zgjedhjeve 28 qershorit, por nëse nuk pranon do të vazhdohet me grevë dhe protesta?

Pa as më të voglin dyshim, protesta nuk ndalet pa u zgjidhur problemi i transparencës. Askush nuk duhet të mendojë se ne mund të lodhemi, se ne mund të humbasim durimin, se rezistenca jonë ka një kufi. Rezistenca jonë nuk ka kufi. Është një rezistencë për një të drejtë themeltare. Ky është atdheu ynë.


Në atdheun tonë, ne nuk pranojmë të dorëzojmë asnjë liri dhe të drejtë që na bën palë me të gjithë të tjerët. Kush ushqen iluzionin se kjo është një krizë që mund të shuhet, sepse do të shuhet pasioni ynë për këtë të drejtë elementare, thjeshtë gabon. Ashtu si kundër gabojnë rëndë të gjithë ata, të cilët në vend se të shohin problemin që ne kemi shtruar për zgjidhje merren me ne.


Unë nuk kam asnjë problem me askënd në këtë vend që nuk e voton PS, që nuk e voton asnjërën prej forcave politike që janë në koalicion apo nuk voton mua personalisht, por u lutem të gjithë që të respektojnë veten e tyre, duke u shkëputur për një moment nga lidhja direkte mes shijes dhe përkatësisë së tyre, në raport me ne dhe çështjes që ne shtrojmë.


Kjo është një çështje që duhet zgjidhur, pasi është kthyer në një gangrenë në organizimin e shoqërisë shqiptare prej vitesh. Ne nuk jemi në luftë për pushtet, por jemi këtu në një betejë për transparencë. Dhe për këtë do rezistojmë.


Platforma e paraqitur nga grevistët përmban dhe disa pika të tjera, si do të veproni për plotësimin e tyre?


Platforma e paraqitur nga grevistët është një platformë principesh, e cila shtron për diskutim dhe zgjidhje një sërë problemesh që nuk kanë të bëjnë me sovranitetin e qeverisë për të qeverisur dhe as me ndonjë privilegj që opozita kërkon, por kanë të bëjnë me parimet e bashkëjetesës demokratike.


Duhet t'i bëjmë të qarta rregullat e kësaj bashkëjetese, në mënyrë që të gjitha grupet e interesit dhe individët të jenë të garantuar. Duhet të marri fund Shqipëria e njerëzve të kërcënuar me bukën e qeverisë, e nëpunësve dhe policëve që vendosen nën dilemën që të zbatojnë ligjin apo urdhrin e shefit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›