Dalin rrogat, ndalet bojkoti
Më në fund, duket se qetësia ka nis të rikthehet në skuadrën e Lirisë. Futbollistët e mbetur të Lirisë tash e tutje përgatitjet për edicionin e ri do t’i zhvillojnë në mënyrë të rregullt, pa i bojkotuar seancat stërvitore, pasi të premten kryesia e klubit e ka shlyer një pjesë të borxhit ndaj tyre.
Në fakt, drejtuesit e klubit bardh e zi nuk i kishin kryer obligimet ndaj futbollistëve të tyre për pesë muaj. Por, ata të premten u kanë dhënë lojtarëve nga dy paga të mbetura borxh, derisa pjesën tjetër të borxhit kanë premtuar se shpejt do ta shlyejnë.
“Futbollistëve ua kemi dhënë nga dy paga. Shumë shpejt besoj se do t’i kryejmë edhe obligimet tjera. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe jemi optimistë se Liria do të jetë një ekip shumë i mirë dhe kompakt në sezonin e ri”, deklaroi për Express drejtori i Lirisë, Hatmi Gashi.
Për shkak të krizës financiare, deri tash nga Liria janë larguar gjashtë futbollistëve kryesorë: Roland Duraku, Debatik Çarkaxhija, Alban Dylazeka, Fatih Karahoda, Luigj Buqaj e Agron Skeraj. Rrugën e tyre e ndoqi edhe kryetrajneri Behajdin Gjinali, i cili nuk e mori përgjegjësinë që ta udhëheqë skuadrën pa ata futbollistë. Kështu, Gjinali kaloi në ekipin junior, derisa në skuadrën e parë shef i shtabit teknik u emërua trajneri i deritashëm i ekipit të juniorëve, Ali Maralusha.