Xavi nuk brengoset për Mourinhon

Mesfushori i Barcelonës, Xavi ka thënë se është më tepër i brengosur për futbollistët e Real Madridit se trajneri i tyre Jose Mourinho.
Gjiganti madrilen u mundua, por nuk arriti të ndalë Barcelonën drejt triumfit në La Liga dhe Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.
Si rezultat, Mourinho nuk ka humbur kohë në rifreskimin e ekipit me angazhimin e përforcimeve si Fabio Coentrao dhe Nuri Sahin.
Xavi pranon se derisa kualiteti i rivalit kryesor të Barcelonës është përmirësuar me blerjet e reja, por insiston se nuk ka frikë nga strategu portugez. “Jam më i brengosur për futbollistët e Real Madridit se trajnerin”, tha Xavi për El Mundo Deportivo.
“Ata janë përforcuar mirë, ndërsa kanë edhe përvojë duke luajtur në shkallën më të lartë. Por, janë të fortë edhe në mbrojtje. Reali është shumë i mirë dhe për këtë Barcelona meriton lëvdata për dominimin e saj në La Liga kundër tyre dhe eliminimin e tyre nga Liga e Kampionëve”, përfundoi Xavi.