Man Utd, ende para Cityt

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka pranuar se ekipi i tij ende gjenet prapa rivalit të qytetit, Manchester United.
City takohet me fqinjin e tij në Community Shield në Wembley të dielën, duke filluar sezonin në të cilin synon të luftojë për titull në Premierligë.
Por, skuadra e Mancinit - që edicionin e kaluar triumfoi në FA Cup - përfundoi nëntë pikë prapa kampionit Manchester United dhe italiani i sheh ata si pikën që duhet arritur.
“Manchester United për momentin është në krye. Ata janë ekip i fuqishëm, fituan Premierligën dhe kanë transferuar katër ose pesë futbollistë të mirë. Mendoj se ne jemi shumë afër, por për momentin ata janë mbi ne”, tha Mancini gjatë një konference për shtyp.
Manchester City sërish ka sjellë përforcime në ekip gjatë këtij afati kalimtar të verës, duke paguar rekord 38 milionë funte për transferimin e sulmuesit argjentinas Sergio Aguero nga Atletico Madrid.
Mbrojtësit Gael Clichy dhe Stefan Savic po ashtu i janë bashkuar skuadrës së bashku me portierin Costel Pantilimon. Mirëpo, City përgatitet për largimin e sulmuesit Carlos Tevez, i cili insiston për largim nga Eastlands.