E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalin sondazhet, PD-ja fillon festimet

29/06/2009  Simpatizantët e PD-së nisin festën e fitores së zgjedhjeve rrugëve të kryeqytetit

Zyrtarët demokratë përpiqen të ulin vrullin e simpatizantëve të partisë

Festa e mbështetësve të Partisë Demokratike nisi shumë më herët. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve të sondazheve nga televizionet vendase, sipas të cilave PD-ja rezultonte fituese e zgjedhjeve, rrugëve kryesore të Tiranës nisën të lëviznin automjete, ku njerëzit në to mbanin flamujt blu. Simpatizantët e PD-së duke i rënë borive, duke mbajtur në duar flamujt e PD-së, por edhe ata kombëtar nisën festën e madhe. Pjesëmarrja me kalimin e minutave rritej akoma e më shumë. Rreth orës 23.00 sheshi “Skëndërbej” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u zaptua nga mbështetësit e PD-së. Ata thërrisnin për fitoren e zgjedhjeve dhe mbi të gjitha emrin e liderit të tyre politik, Sali Berisha. Rrugëve të Tiranës forcat e policisë përpiqeshin të mbanin sadopak rregullin, por e kishin të vështirë. Në sheshin “Skëndërbej” kishin dalë edhe disa zyrtarë të lartë të PD-së, të cilët përpiqeshin të ulnin vrullin. Madje, kryetari i degës së PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi, na tha se gjithë ajo festë nuk ishte organizuar absolutisht nga partia, por gjithçka kishte nisur në mënyrë sporadike nga vetë përkrahësit e PD-së. “Sondazhet e Gani Bobit dhe Zogbit sollën gjithë këtë situatë. Ne u kërkojnë që të ruajnë qetësinë”, tha Bumçi. Por, situata u kishte dalë nga dora dhe ishte e vështirë për t’u kontrolluar. Ndërsa në selinë e PD-së, e cila gjendet në krahun tjetër të sheshit “Skëndërbej” atmosfera ishte krejt ndryshe. Para oborrit të selisë blu me dhjetëra e dhjetëra mbështetës të PD-së, të veshur me bluza, ku dukshëm dallohej sigla e kësaj force politike, ose të mbuluar me flamurin e PD-së. Oborri i selisë blu ishte i ndriçuar si për festë dhe në fakt pritej të ndizej festa e vërtetë. Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, megjithëse thoshin se duhej pritur rezultatet që vijnë nga procesi i numërimit të votave, shprehin besimin për fitoren e zgjedhjeve. Por, sondazhet kishin infektuar të gjithë.

Publikimi i sondazheve për zgjedhjet 2009

Atmosferë e zymtë në PS

Selia rozë “e qetë” deri në publikimin e rezultateve nga qendrat e numërimit të votave. Kjo të paktën ishte atmosfera që përfaqësuesit e Partisë Socialiste u përpoqën që të shfaqnin gjatë mbrëmjes së djeshme, duke dashur në këtë mënyrë që të mbajnë në formë mbështetës dhe militantë të saj të mbledhur në oborrin e kësaj partie. Kështu, pas publikimit të rezultateve nga tre exit poll-e, në televizione të ndryshme, socialistët ndër të tjera i kushtuan rëndësi krijimit të një atmosfere të kundërt me atë çfarë rezultoi nga këto të dhëna, ku sikundër dhe u vu re këto zgjedhje i kryesonte Partia Demokratike. Madje, po në këtë linjë kundërshtuese ndaj kampit blu, ku militantët e këtij të fundit nisën festimet, që në momentin kur u publikuan sondazhet, përfaqësuesit socialistë iu kundërpërgjigjën po me festë. Në oborrin e Partisë Socialiste ku ishte ngritur një video projektor, përmes të cilit militantët e saj njiheshin me të dhënat më të fundit mbi procesin votimeve, u shtua në mesnatë dhe një foni ku filloi të transmetonte muzikë. Por në këtë minifestë ishin pjesë vetëm një numër i vogël mbështetësish dhe militantësh të PS-së, dhe jo përfaqësues të saj, e aq më pak me ndonjë kandidat për deputetë. Ndërkohë kreu socialist, Edi Rama, ishte i pranishëm gjatë mesnatës në ambientet rreth partisë, pra veç zyrës së tij, ai jo pak momente lëshonte mesazhe kurajuese për mbështetësit socialistë që ishin vendosur në lokalin pas kësaj selie. Në këtë mënyrë, duke mos pranuar asnjë nga exit poll-et, socialistët u përpoqën që në forma të ndryshme të mund të largonin sadopak pesimizmin që kishte mbërthyer radhët e tyre. Por festa qe vetëm për pak minuta, pasi e gjithë vëmendja ishte e fokusuar tek numërimi i votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›