Trashëgimia kulturore, ende në diktaturë
Sa vlejnë objektet e trashëgimisë kulturore shqiptare? Vlerat reale të tregut nuk përputhen aspak me inventarët e muzeve apo fondeve ku ruhen këto objekte. Ato kanë mbetur ende në kohën e komunizmit. Çmime qesharake, që jo rrallëherë kanë nxitur gjatë 20 viteve të fundit edhe shpërdorime të kësaj pasurie, mes të cilës gjenden edhe vlera të rralla. Rasti më i afërt, hetimi mbi trafikimin e veprave të artit në qytetin e Beratit, u jep shkas specialistëve që të ngrenë edhe njëherë zërin. "Gjatë vëzhgimeve nëpër institucionet kulturore të vendit është konstatuar nga inspektorët e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, se objektet e trashëgimisë të ruajtura nëpër këto institucione ekzistojnë në inventar me çmime krejt qesharake që nga koha e regjimit komunist. Ndonëse ka pasur udhëzime të herëpashershme në këto 20 vite nga qeveri të ndryshme për liberalizimin e çmimeve, kur ndërkohë liberalizimi i çmimeve është kryer dhe s‘ka asnjë problem për të gjitha llojet e mallrave sot në vendin tonë, inventarët e këtyre objekteve kanë mbetur mbase të harruara. Kjo nuk e ka favorizuar ruajtjen e objekteve, përkundrazi nxitin humbjen dhe i hapin rrugë shpërdorimit. Së paku, aq sa janë të raportuara, te ne ekziston një katalog me mbi 2 mijë objekte të humbura e të vjedhura në këto 20 vitet e fundit. Edhe kjo shifër nuk është reale për të gjitha humbjet, pasi një pjesë e tyre edhe nuk janë regjistruar", shprehet Izet Duraku, drejtor i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Ligji për trashëgiminë u jep të drejtë titullarëve të institucioneve përkatëse të trashëgimisë në të gjithë vendin që të ngrenë komisione me specialistë për rivlerësimin e objekteve që gjenden në fondet e tyre. Shumica e këtyre institucioneve janë në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe me ndryshimet e fundit, edhe nën varësinë e Qendrës së Studimeve Albanalogjike. Specialistët bëjnë thirrje për një rivlerësim sa më parë të këtyre objekteve, që do të rriste edhe sigurinë e tyre. Vetëm një vit më parë, gjatë një vëzhgimi në muzetë shqiptare, Frederik Stamati, shef i laboratorit të restaurimit dhe arkeometrisë, konstatoi se shifra më e lartë e vlerësimit të objekteve në inventar shkonte deri në 2 mijë lekë. Për objekte të veçanta, si shpata e Sulltan Bajazitit II apo Epitafi i Gllavenicës, pas njohjes së vlerave të rralla të tyre, rivlerësimi shkon në 70-100 mijë lekë. Nga Ministria e Kulturës shprehen se në një pjesë të madhe të institucioneve në varësi të tyre është gati një projekt jo vetëm për katalogimin e objekteve, por edhe për rivlerësimin. Ndërkohë që Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanalogjike (në varësi janë fondi i Institutit Arkeologjik dhe i Institutit të Antropologjisë Kulturore) shprehet se puna e tyre ka ngecur në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë. "Prej një viti ne kemi dërguar shkresa zyrtare në këto institucione që të sjellin një përfaqësues të tyre në komision e specialistëve, që do të rivlerësojnë objektet e trashëgimisë. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje", shprehet Marashi, i cili thekson se janë hartuar projekte edhe për konservimin e këtyre fondeve dhe janë në kërkim të investimeve. Në mes të dhjetorit, një aktivitet i posaçëm, organizuar nga Qendra Albanalogjike, do të shërbejë si një apel në këtë drejtim. Por Marashi bën të ditur që një proces konservimi do të dojë një afat të gjatë kohor për t‘u aplikuar në të gjithë fondin. Gjithsesi, problemi bëhet kompleks kur ndërmarrje të tilla lihen në ndërgjegjen e drejtuesve të institucioneve të trashëgimisë. Përgjatë 20 viteve të fundit, kur praktika e frikës së regjimit nuk mund të funksiononte më, kanë ndryshuar shumë pak gjëra. Ndërkohë që rastet e vjedhjeve apo "zbrazjes" së fondeve nuk kanë munguar. Sidomos gjatë vitit 1997, kur duke përfituar edhe nga mungesa e pasaportave të objekteve, shumë të tilla e kaluan kufirin. Drejtori Duraku kujton se asnjë objekt i marrë asaj kohe nga muzetë e Burrelit dhe Bajram Currit nuk janë kthyer, në të kundërt me atë që ka ndodhur me muzeun e Butrintit, ku disa statuja janë rikthyer sërish. Duraku kujton edhe rastin e para dy vjetëve, kur në Institutin e Kulturës Popullore humbën rreth 200 objekte (etnografike, armë të vjetra si kobure e pushkë të gjata, shpata, kostume tradicionale e zeje të ndryshme). Sipas inventarit, vlera e tyre shkonte në 90 mijë lekë të reja, të cilat INSTAT-i i përktheu si rivlerësim në 111 mijë lekë. "Objektet e trashëgimisë kulturore kanë çmime të veta referenciale që gjithkush mund t‘i gjejë në internet. Po të marrim një shpatë të shekullit XV mund të gjendet në 10 mijë euro, ndërsa në inventarët tanë vlerësohet me 1 deri në 5 mijë lekë të vjetra. Gjithë vlera e inventarit të një muzeu etnografik në një provincë të caktuar nuk i kalon disa milionë lekë. Atëherë, pse duhet të shqetësohen organet e specializuara për ruajtjen e kësaj vlere, e cila është shumë më e ulët se një apartament i zakonshëm", thekson ai. Vitet e fundit, më së shumti objektet i janë nënshtruar një rivlerësimi real vetëm në raste të ekspozimit të tyre jashtë shtetit. Edhe kjo ka qenë një praktikë e panjohur më parë. Sipas Durakut, këto ditë do të shkojë për ekspozim në një muze të Romës statuja e Paolo Emilit, ushtarakut që shkatërroi plotësisht 70 qytete të Epirit dhe komisioni i vlerësimit që u ngrit posaçërisht për këtë objekt e vlerësoi statujën në fjalë me vlerë 50 mijë euro. "Ndonjëri mund të thotë që kjo është një shifër e ekzagjeruar, por sigurisht kjo shumë dekurajon shpërdoruesit për të vënë dorë mbi të dhe siguron në një farë mënyre kthimin e kësaj vepre në Shqipëri kur të mbarojë afati i ekspozimit. Ndërkohë, objekte të tilla analoge vazhdojnë të ruhen në mjediset e Institutit të Arkeologjisë ende me çmimet e vjetra që janë krejt të papërfillshme, madje qesharake dhe është i pashpjegueshëm fakti pse ende nuk kryhet rivlerësimi i tyre", thekson në vazhdim. Por, përderisa ky proces rivlerësimi mbetet në ndërgjegjen e drejtuesve të institucioneve të trashëgimisë, pa një hallkë vëzhguese apo që të ketë fuqi ndikuese, duket se ky problem do të dojë kohë të zgjidhet përfundimisht.