Mustafaraj: Bashkë me Lushnjën vjen dhe fitorja e Gramshit
Gramshi është ndëshkuar të mërkurën në transfertën e vështirë të Gjirokastrës, ku ka pësuar 4 gola, ndërsa disa ditë më parë humbi në prani të tifozerisë gramshiote me Besëlidhjen, me rezultatin 0-1. Kjo situatë alarmante duket se ka bërë që trajneri Mustafaraj të lëshojë ultimatumin, me qëllim që ditën e diel, në ndeshjen me Lushnjën, skuadra të shfaqet maksimalisht e motivuar.
Nisur edhe nga humbja 2-0 e fazës së parë, gramshiotët premtojnë fitoren në ndeshjen e së dielës, përveç emocioneve që do të dhurojnë për tifozët, të cilët janë mjaft të interesuar. ”Nëse do të gjykojmë nga dy rezultatet e ndeshjeve të fundit, ku Gramshi ka humbur, të gjithë kemi parasysh se dy kundërshtarët tanë, si Besëlidhja, ashtu edhe Luftëtari, janë skuadra që synojnë ngjitjen në superligë.
Edhe Lushnja duket se ka të njëjtën korsi, ndaj dhe ndeshja me të do të jetë shumë e vështirë. Kundërshtari mbart vlera në futbollin shqiptar. Duhet të shtoj se dyfishimi i ndeshjeve brenda një jave i sforcon dukshëm ekipet, që shfaqin në mënyra të ndryshme lodhje, duke lëshuar haptazi terren.
Kam besim të madh se Gramshi do ti rikthehet fitores dhe këtë do ta dëshmojë përmes lojës dhe rezultatit ndaj Lushnjës. Mendoj se grupi i futbollistëve që drejtoj i ka kapacitet ta përballojë Lushnjën, pasi ka për të shkarkuar emocionet negative të dy ndeshjeve të fundit, – u shpreh për Sportin shqiptar trajneri i Gramshit, Edmond Mustafaraj.
Skuadra ka vazhduar me seancat stërvitore pas kthimit nga Gjirokastra, me qëllim që të ketë gjendjen e duhur fizike të dielën. Nuk ka detaje të qarta për formacionin bazë, por edhe për skemën e lojës. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit janë duke shqyrtuar me qetësi grumbullimin e skuadrës për tri ditë, pasi vlerësimi për ndeshjen me Lushnjën është në shkallën maksimale.
