E Shtunë, 31 Tetor 2026

Synimet poetike pejane

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës, poeti Esat Loshaj, tregon se me asociacionin e tij synon ta pasurojë traditën kulturore të këtij qyteti, por edhe që ta stimulojë këtë krijimtari me shumë aktivitete letrare dhe artistike. Nga Express më 19 korrik 2011 në ora 12:58

Asociacioni më i ri letrar i qytetit të Pejës tani ka një adresë. Shtëpia e Kulturës në këtë qytet është ‘shtëpi’ e të gjithë krijuesve të artit të shkruar të të gjitha komuniteteve.
Poeti pejan, Esat Loshaj, që njëherësh është edhe kryetar i kësaj shoqate, shpalos për Express të gjitha planet, aktivitetet, por edhe brengat dhe përpjekjet e shoqatës për të funksionuar si një formacion i qëndrueshëm i artit letrar. Sipas Loshajt, Peja ka emra të njohur krijuesish dhe talentë të shumtë, andaj me një përkrahje të mëtejme institucionale kjo shoqatë mund të jetë shembull edhe për organizatat tjera simotra.

Express: Z. Loshaj, si u themelua selia e SHSHP`së?
Loshaj: Meqë, prej në vitit 2008 kur është themeluar SHSHP-ja ne nuk kemi pasur një seli për t’i zhvilluar aktivitetet e shoqatës, me kërkesën tonë Komuna na ka dhënë një zyrë në Shtëpinë e Kulturës, në një hapësirë prej 20 metrash katrorë, e cila mendoj se është e mjaftueshme për nevojat e shoqatës.

Express: Kur është themeluar Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës?
Loshaj: Shoqata është themeluar më 14 nëntor 2008, pikërisht në përvjetorin e 100 të Kongresit të Manastirit, me nismën e profesor Xhavit Aliçkajt, Muhamed Kërveshit, Hajdar Mekajt, Rrustem Gërgurit, Ismet Markoviqit e Ali M. Lajçit. Në mesin e tyre kam qenë edhe unë.

Express: Si u zgjodhën organet udhëheqëse të shoqatës dhe si rrodhën zhvillimet që prej atëherë?
Loshaj: Në mbledhjen e parë konstituive, ku ishin të pranishëm shtatë veta, kryetar u zgjodh Muhamed Kërveshi, ndërkaq për nënkryetarë unë dhe Ismet Markoviqi. Ndërsa, në mbledhjen e datës 3 qershor 2009, kryesia e shoqatës mori vendim për riorganizimin e mirëfilltë të këtij asociacioni letraro-artistik e krijues, me ç‘rast bëri zgjerimin e kryesisë prej shtatë në trembëdhjetë anëtarë dhe zgjodhi kryesinë e re. Për kryetar më propozuan dhe më zgjodhën mua, ndërsa si dy nënkryetarë u zgjodhën Xhavit Aliçkaj dhe Ismet Markoviqi.

Express: Çfarë programi ka tani SHSHP-ja, si organizatë e rregullt institucionalisht?
Loshaj: Kjo shoqatë ka një program të ngjeshur për të gjitha format e artit dhe kulturës. Në kuadër të shoqatës funksionon seksioni i letrarëve të rinj, seksioni i studiuesve letrarë dhe këshilli artistik. Puna dhe aktivitetet e shoqatës bazohen në zbulimin dhe përkrahjen e talentëve të rinj, organizimin e tryezave tematike, manifestimet e ndryshme letrare, akademi e përvjetorë të shkrimtarëve, përurime veprash, orë letrare, konkurse letrare, ligjërata letrare, çmime vjetore letrare, çmime për vepër jetësore, botime veprash letrare, revista letrare dymujore, botimin e dy veprave letrare brenda një viti kalendarik, komunikime, kontakte me asociacionet simotra brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, si dhe shumë aktivitete tjera.

Express: A mendoni të rrisni numrin e anëtarëve në të ardhmen?
Loshaj: Numri i anëtarëve të shoqatës sigurisht që shkon drejt rritjes. Peja ka një gjeografi të mrekullueshme dhe plot me talentë të rinj.

Express: Çfarë aktivitetesh ka mbajtur shoqata deri më tani?
Loshaj: Që nga themelimi shoqata ka mbajtur disa aktivitete të rëndësishme, siç është botimi i Antologjisë së poetëve të Pejës, disa orë letrare dhe një sërë takimesh me interes të shoqatës, brenda dhe jashtë Pejës. Kemi promovuar libra, kemi marrë pjesë në takimet letrare Azem Shkreli, në mitingun e poezisë në Gjakovë, në festivalin ndërkombëtar të poezisë ‘Drini i Bardhë’ në Prizren. Pastaj, ishim në simpoziumin ndërkombëtar të poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve ‘Pegasi Albania’, e kështu me radhë. Gjithashtu, kemi dhuruar libra në disa shkolla, bibliotekës së stacionit të policisë në Gjakovë, etj.

Express: A mund të na tregoni ndonjërin prej planeve afatshkurtra të shoqatës?
Loshaj: Kemi pasur në plan që brenda këtij viti të botojmë një leksikon të shkrimtarëve të rajonit të Pejës dhe organizimin e një manifestimi letrar ‘Tirana në Pejë’, një projekt ky që kushton 3.500 euro. Kemi bërë kërkesë për mjete në Ministrinë e Kulturës dhe në Kuvendin Komunal, por nuk na janë përgjigjur. Shpresojmë se me hartimin e projekteve do të na ndihmojnë Komuna e Pejës, Ministria e Kulturës dhe donatorët. Vlen të përmenden edhe vizita jonë në Shkodër, ku jemi pritur nga Skënder Drini, një shkrimtar i mirënjohur dhe nga bashkëpunëtorët e tij. Kjo vizitë është bërë më 5 dhe 6 prill të vitit të kaluar. Atje kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi dhe kemi ndarë nga një mirënjohje të shoqatës.
Në fillim të muajit shtator planifikojmë edhe mbajtjen manifestimit letrar miqësor ‘Elbasani në Pejë’, i cili sipas projektit do të kushtojë 1,750 euro.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›