Dalje e kënaqshme në zgjedhje
Drejtuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) në konferencën e dytë për media kanë bërë të ditur pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në ora 12.00. Sipas këtyre të dhënave në komunën e Drenasit kanë votuar gjithsej 7 mijë e 694 votues apo 16.49 për qind, në Skënderaj 7 mijë e 100 votues apo 14.40 për qind dhe në Malishevë në një qendër votimi 350 votues apo 11.36 për qind dhe në Lipjan në një qendër votimi gjithsej 370 votues apo 15.70 për qind.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se këto të dhëna janë preliminare të marra nga komisionit komunale zgjedhore, ndërsa pohoi se procesi në të gjitha këto komuna zgjedhjet po shkojnë pa probleme, të cilat do të dëmtonin procesin si tërësi.
Ajo ka dhënë edhe shifrat e daljes së qytetarëve në zgjedhje deri në ora 12 në procesin e 12 dhjetorit të vitit të kaluar, e ku shihet se kësaj pasur një pjesëmarrje më të vogël në zgjedhje.
Gjatë procesit zgjedhor të 12 dhjetorit sipas KQZ-së në komunën e Deçanit deri në ora 12.00 kanë votuar 12.39 për qind, në Drenas 14.67 për qind dhe në Sëknderaj 23.19 për qind, ndërsa sa i përket Lipjanit në po të njëjtën qendër votimi ka pasur 25.59 për qind dhe në Malishevë 10.39 për qind.
Në këtë rast, Daka edhe një herë në emër të KQZ-së i ka ftuar të gjithë anëtarët e këshillave të vendvotimeve të emëruar nga KQZ dhe vëzhguesit e akredituar që të veprojnë sipas ligjit dhe rregullave për zgjedhje.
Ndërkaq zyrtarët e KQZ-së kanë mohuar raportimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, për disa parregullsi në fshatin Kopiliq të Skënderajt.
Kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Xhemajl Peçani tha se këtu bëhet fjalë për numër të madh vëzhguesit dhe disa pa ID të reja.
“Raportet që ne kemi marrë nga zyrtarët dhe ekipet tona monitoruese që kanë të bëjnë edhe për komunën e Skënderajt, është bërë e ditur se vetëm se ka pasur një numër të madh vëzhguesit në fshatin Kopiliq, ku disa vëzhgues kanë pasur bexha të 12 dhjetorit, kurse tani ka bexha të rinj”, ka thënë ai.
PDK: Vetëvendosje po gënjen
PDK’ja ka njoftuar se procesi i sotëm zgjedhor në pesë komuna të Kosovës po shkon i qetë. Por, kjo parti ka denoncuar parregullsi në fshatin Kopiliq të Ulët të Skenderajt.
“Në qendrën e votimit në fshatin Kopiliq të komunës së Skenderajt ka pasur një grup të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk janë nga komuna e Skenderajt dhe që kanë tentuar të hyjnë në qendrën e votimit, përkundër rregullave që e ndalojnë një gjë të tillë, ku edhe është tentuar të prishet procesi i votimit. Por, fatmirësisht, komisionerët e partive tjera politike, vëzhguesit lokalë dhe në radhë të parë vëzhguesit ndërkombëtarë që kanë qenë prezentë aty që nga fillimi i procesit, e kanë evituar një gjë të tillë dhe procesi nuk është cenuar”, ka thënë në një konferencë për gazetarë zyrtari i PDK’së, Memli Krasniqi.
Ai i ka quajtur të rreme deklaratat e Vetëvendosjes së në këtë qendër votimi vëzhguesit kanë hasur në kuti gjysmë të mbushura, ende pa filluar procesi i votimit.
Më herët, Vetëvendosje ka thënë se vëzhguesit e saj nuk janë lejuar të hyjnë në qendrën e votimit në Kopiliq të Ulët dhe se ata ishin kërcënuar nga militantë të PDK’së.
LDK: Parregullsi në Drenas
Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, njoftoi se procesi zgjedhor në Drenas po dëmtohet nga komisionerë të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Në qendrat e votimit në fshatrat Trestenik, Polluzhë, Orllat, si dhe në shkollën “Skënderbeu” në Drenas, vëzhguesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë penguar të vëzhgojnë procesin zgjedhor. Ata nuk janë lejuar të hyjnë fare në qendrat e votimit, ndërsa votimi ka vazhduar. Vëzhguesit janë penguar nga menaxherët e qendrave, si dhe nga grupe militante të PDK’së”, thuhet në komunikatën e LDK’së.
“Në Trestenik komisionerët e LDK’së nuk po lejohen as të lëshojnë qendrën e votimit, meqë janë kërcënuar nga grupe militante të armatosura të PDK’së që po qëndrojnë para qendrës së votimit gjatë tërë kohës”.
Po ashtu, sipas LDK’së, në qendrën e votimit në Trestenik deri më tani nuk ndodhet asnjë vëzhgues ndërkombëtar.
“Në qendrën e votimit në Polluzhë është vërejtur se është falsifikuar kartela e vëzhguesi të LDK’së dhe në vend të tij në qendrën e votimit ka hyrë një vëzhgues që nuk i takon LDK’së. Lidhja Demokratike e Kosovës bën thirrje që partitë politike të respektojnë kodin zgjedhor dhe kodin e mirësjelljes. Kërkon që menaxherët e qendrave dhe komisionerët të sillen konform ligjit dhe detyrimeve qe kanë, që institucionet kompetente, Komisionet Zgjedhore Komunale dhe Policia e Kosovës, të garantojnë procesin. Ndërsa, vëzhguesit ndërkombëtarë e vendës të kontribuojnë që procesi i përsëritur i votimit të mos dëmtohet si më 12 dhjetor”, thuhet në komunikatën e LDK’së.
Rivotimi ka filluar me kohë
Procesi i rivotimit në Deçan, Drenas, Skenderaj dhe ai i pjesshëm në Malishevë dhe Lipjan ka filluar ka filluar në ora 7.00, ndërsa nuk është shënuar asnjë parregullsi.
Zyrtarët e KKZ-ve kanë njoftuar se materiali senzitiv dhe jo senzitiv është shpërndarë me kohë dhe në hapjen e qendrave të votimit nuk është shënuar asnjë parregullsi.
Për shkak të parregullsive të evidentuara në procesin zgjedhor të 12 dhjetorit, sot në pesë komuna të Kosovës po përsëriten zgjedhjet.
Zgjedhjet do të monitorohen nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Janë akredituar 2.679 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
KQZ-ja ka konfirmuar se numri i përgjithshëm i votuesve në komunat ku do të përsëriten zgjedhjet është 138.657.
Rivotimi do të bëhet në 62 qendra votimi dhe 185 vendvotime në komunat Skenderaj, Drenas dhe Deçan dhe në nga një në Lipjan dhe Malishevë.
Vendvotimet janë hapur në ora 7.00 të mëngjesit dhe do të mbyllen më ora 19.00
Gati për rivotim
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka vendosur për datën e përsëritjes së zgjedhjeve në Mitrovicë. Por, për rivotimet e sotme në Skenderaj, Drenas dhe Deçan thuhet se gjithçka është gati. Procesi i rivotimit do të vëzhgohet nga dhjetëra monitorues vendas dhe ndërkombëtarë.
Nga Faton Ismajli
Kryetarja e Panelit të Gjykatës Supreme, Vjosa Nimani-Zylfiu, e cila ka dërguar shumicën e qytetit të Mitrovicës në rivotim, ka gabuar gjatë formulimit të emërtimeve në aktgjykim se në cilat vende do të ketë përsëritje të zgjedhjeve.
Në vend se të shkruante emërimin se përsëritja do të bëhet në 24 qendra të votimit, ajo e ka shkruar gabimisht në vendim se zgjedhjet duhet të mbahen në 24 vendvotime, që i bie në rreth 20 për qind e votuesve mitrovicas.
Mirëpo, Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka thënë se i ka kërkuar gjyqtares që të përmirësojë gabimin dhe të sqarojë se nuk bëhet fjalë për vendvotime, por për qendra të votimit.
“Pasi që janë krijuar disa konfuzione në KQZ, unë kam kontaktuar me kryetaren e kolegjit që ka vendosur për këtë çështje dhe atje ka dalë se është bërë një gabim se nuk kanë qenë 24 vendvotime, por 24 qendra të votimit, ku duhet te përsëriten zgjedhjet”, ka thënë Hasani për Express.
“Sot pasdite ka mbetur të korrigjohet gabimi”, ka thënë ai.
Ai ka sqaruar se komplet në komunën e Mitrovicës janë më shumë se 180 vendvotime, nga gjithsejtë 34 qendra të votimit.
Ndryshe, Gani Mikullovci nga Komisioni Komunal Zgjedhor në Mitrovicë ka thënë se në pjesën e banuar me shqiptarë janë 29 qendra të votimeve me 104 vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pranuar vendimin e Gjykatës Supreme, por nuk ka vendosur se kur do të përsëriten zgjedhjet në Mitrovicë.
Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se vendimi do të merret pasi të konsultohet me vartësit e saj për kohën që duhet për përgatitje teknike të zgjedhjeve.
Në komunikatën e lëshuar nga KQZ thuhet se shumë shpejt do të publikohet data e mbajtjes së rivotimit në Mitrovicë dhe do të bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të pasur një proces zgjedhor në përputhje me infrastrukturën ligjore në fuqi për zgjedhjet.
Gjatë ditës KQZ ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e një rivotimi të rregullt në komunën e Skenderajt, Drenasit, Deçanit dhe pjesërisht në komunat Lipjan e Malishevë.
Në mbledhjen e fundit të KQZ’së, ata bënë të ditur se gjatë së dielës në pesë komunat në fjalë do të jenë të pranishme gjashtë ekipe nga ky komision, derisa është paraparë edhe krijimi i një të ashtuquajture dhomë operative që do të kujdeset për monitorimin e gjithë procesit dhe zbatimit të planit të sigurisë.
Për zgjedhjet e 9 janarit, KQZ ka akredituar gjithsej 2 mijë e 679 vëzhgues.
Xhemalj Peçani nga Sekretariati i KQZ’së ka thënë se krejt përgatitjet teknike kanë përfunduar, duke treguar se gjithçka është gati për ditën e diel.
“Është verifikuar funksionimi i llambave ultra-vjollce, baterive dhe materialeve të tjera zgjedhore”, ka thënë Peçani.
Megjithëkëtë, Kryetarja e KQZ’së, Daka nuk ka treguar se kur pritet të certifikohen zgjedhjet.
“Tash nuk mund të jap ndonjë datë apo ndonjë muaj, mirëpo nëse marrim parasysh se do të ketë rivotim edhe në Mitrovicë, me siguri që muaji shkurt do të jetë ai kur do të bëhet certifikimi i rezultateve”, shpjegoi Daka.
Ajo ka thënë se, edhe pse ishte paraparë të diskutohej raporti i QNR’së për rezultatet e rinumërimit të votave, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të festave ortodokse.
“Presim që të dielën të jetë gati raporti”, ka thënë Daka.
Ndryshe, gjatë ditës së shtunë ka pasur heshtje zgjedhore, por se LDK’ja ka mbajtur një konferencë, ku ka replikuar për akuzat e PDK’së për ligjin për dëshmitarët.
Kjo konferencë nga “Demokracia në Veprim” është konsideruar si thyerje e heshtjes zgjedhore, e cila ka filluar të premten dhe përfundon të dielën pas mbylljes së vendvotimeve në komunat ku do të përsëriten zgjedhjet.