E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur një grua me karrierë flet për gra me karrierë

Teksti në vijim është parathënia që shkrimtari Ramiz Kelmendi ka shkruar për librin “Ecje nëpër kujtesë” të publicistës Sanije Gashi. Nga Ramiz Kelmendi më 09 janar 2011 në ora 13:51


Pas librit monumental “Histori të tmerrit 1998-1999”, sa trishtues, lemeritës, pothuajse të paparë, po aq edhe brilant, mbase unikal në llojin dhe sojin e vet, një dosje krimesh të luftës me rrëfime rrëqethëse të grave, shkruar nga emblema e gazetarisë femërore ndër ne, gazetares veterane, publicistes, editores, themelueses së dy revistave prestigjioze për femra dhe luftëtares së paepur për emancipimin e gruas, zonjës Sanije Gashi, pata thënë: shkurt – u tmerrova! Tash, tek na vjen me një libër të ri, një surprizë gjithandej shumë të rrallë, të titulluar “Ecje nëpër kujtesë”, me tregime jete të grave me karrierë, që në nismë të këtyre përshtypjeve të mia, pas leximit të dorëshkrimit, s’kam sesi të mos them, po ashtu shkurt – u krenova!
Gjen në këtë libër 27 perla me jetëshkrime, bashkëbisedime, rrëfime dhe përjetime të 27 grave shqiptare me karrierë, që një tjetër grua, edhe kjo sishoqe e tyre me karrierë, Sanije Gashi, na vë në sofër t’i lexojmë, t’i njohim, t’i kujtojmë dhe t’i çmojmë. Një lloj memoaresh sui generis.

Ç’kërshëri më gllabëroi dhe pllakosi dorëshkrimi më i ri i Sanije Gashit “Ecje nëpër kujtesë” me tregime jete të grave me karrierë, mbase e dëshmon kjo një si, ta quaj, “blasfemi” imja: po lexoja, gjithandej, romanin më të ri, “Aksidenti”, të shkrimtarit Ismail Kadare dhe kisha arritur në faqen 202, teksa më kishin mbetur vetëm edhe 70 faqe për t’i dalë në fund, thashë: pale t’ia hedh një sy, fluturimthi, dorëshkrimit që më dha Sanija për të parë se ç’emra të njohur femrash shqiptare ka zgjedhur.

Saora më zgjoi kërshërinë dhe zura të lexoja më të parën, poeteshën Adelina Mamaqi, së cilës ia kisha botuar vëllimin me poezi të një femre shqiptare – “Ëndrra vashërie” - mbi 50 vjet më parë, dhe – do ti – nuk e flaka derisa i dola në fund me të 333 faqet – pa e vijuar “Aksidentin”!

Patologjikisht i etur, prej shumë e shumë vjetësh, për të pasur edhe emra femrash shqiptare të arrira, sidomos në letra, poetesha të paktën, pale pastaj prozatore a, “qoftë larg”, romanciere (!), se më gazetare, botuese, aktore, piktore, kompozitore a, ruana Zot, politikane (!!), unë – që në vitin aq të largët, 1969, pra këtu e mbi 40 vjet më parë, botova librin “Femrat shkruajnë”, krijime të femrave shqiptare me vargje, tregime, dramë dhe pikturë. Mezi mblodha disa, kryesisht fillestare, duke nisur nga Adelina Mamaqi, më e para, Klara Kodra, Natasha Lako e ndonjë tjetër nga Shqipëria dhe Ganimete Nura, Sevdije Boshnjaku e Nusrete Vula nga Kosova – me vargje. Pastaj Elena Kadare, Eglantina Mandia, Dhurata Xoxe, Ollga Pipa e ndonjë tjetër nga Shqipëria dhe Flora Mullaymeri, Melihate Hasani e Sadete Vigani nga Kosova – me tregime. Dhe, së fundi, Mimika Luca - me pjesën e parë të dramës “Drita”.

Në librin e Sanije Gashit, kryekreje e deri në fund me femra shqiptare karriere, gjithsej 27 dhe – sipas idesë nismëtare - që të gjitha t ë g j a l l a, ndërkohë që, deri në këtë çast që po shkruaj këta rreshta, kanë vdekur: Mbretëresha Geraldina, Hyrie Hana, Melihate Ajeti, Nermin Vlora Falaski, Luçie Miloti, Hajrie Curri dhe Myzafere Hatipi, do thënë se një vëllim i dytë i këtij libri të Sanije Gashit, që pres ta shkruajë edhe ta botojë, do të përfshinte jo më pak se edhe po kaq – në mos edhe më shumë – emra femrash të tjera më se të njohura dhe me karrierë për lavd e për lakmi.

Edhe pse të renditura sipas rendit alfabetik, duke nisur nga Adelina Mamaqi e duke përfunduar me Vaçe Zelën, tregimet, rrëfimet dhe bashkëbisedimet e Sanije Gashit janë, në njëfarë mënyre, perla të çmuara të publicistikës sonë me disa nga gratë më të njohura shqiptare të, tashmë, dy shteteve tona – të burrave!

Si doajene e gazetarisë ndër ne, Sanije Gashit ka të ngjarë se as i ka vajtur mendja fare, se pikërisht në prill të vitit 2002, kur bisedoi në Vlorë me Nermin Vlora Falaskin, me këtë shkrim do t’i hidhej fara librit kaq të rrallë, që sot e kemi në dorë. Vetëm ndonjë muaj më pas, në gusht të vitit 2002, bisedoi me Vahide Hoxhën në Prishtinë, paksa më vonë, në shtator të po atij viti, në Tiranë intervistoi bashkëshorten e shkrimtarit Petro Marko, piktoren Safo Marko dhe, së fundi, në tetor 2002, Nënën Mbretëreshë Geraldinë...

E infektuar dhe injektuar me pritjen e mirë që iu bë nga lexuesit e lexueset këtyre katër bashkëbisedave a tregimeve me katër nga femrat më në zë të asaj kohe, Sanije Gashi, sakaq, nuk ndaloi vetëm tek ato. Do të vijojë të na njohë, një vit pas, edhe me Sehadete Mekulin, me Vaçe Zelën dhe me të bijën e Bajram Currit, Hajrien. Më 2004 flet dhe shkruan e përshkruan jetën e Besa Imamit, Luçie Milotit dhe Melihate Ajetit. Më 2005 pi kafenë me Adelina Mamaqin, Anida Taken, Drita Agollin dhe Drita Pelinkun. Për të vijuar më tej me Helena Kadarenë, Margarita Xhepën, Tinka Kurtin, Kozeta Mamaqin, Myzafere Hatipin, Naxhie Devën, Nexhmije Pagarushën, Eglantina Mandian, Marien, të bijën e Lasgush Poradecit, e Liri Berishën, për ta mbyllur me Hyrie Hanën dhe, më së fundi, në prill të këtij viti, 2010, me Leze Qenën.

Në librin “Ecje nëpër kujtesë”, Sanije Gashi - më shumë me afinitet sesa me afeksion, më shumë me piketime sesa me sugjerime, më shumë me shije sesa me hije - ka zgjedhur ato më të arrirat, më të njohurat dhe më të popullarizuarat gra shqiptare me karrierë, që arritën të krijojnë aureola fame në opinion dhe bënë emër shumë të çmuar e të nderuar. Zgjodhi, prandaj, mbretëreshën Geraldinë të Ahmet Zogut, bashkëshorten Liri Berisha të Sali Berishës, të bijën e Bajram Currit, Hajrien, gruan e Ismail Kadaresë, Helenën, të bijën e Lasgush Poradecit, Marien, gruan e Petro Markos, Safon, stërmbesën e Ismail Qemalit, Nermin Vlorën, gruan e Esad Mekulit, Sehadeten etj.

Për nga profesioni i tyre parësor, gratë e përzgjedhura nga Sanije Gashi janë, para gjithë të tjerash, aktore teatri dhe filmi, pastaj shkrimtare, pedagoge universiteti, këngëtare, studiuese, mjeke, dramaturge, gazetare etj.
Pale se me ç’paragjykim, fare-fare të pathemel, lexuesi i thjeshtë, e në veçanti pothuajse çdo e dyta grua, ka mundësi jo vetëm të mburret, të krenohet, të rrahë gjoks e madje-madje edhe t’u ketë lakmi – nga më e para tek më e fundit – që të gjitha grave të përzgjedhura.

Ndër “protagonistet” femra në këtë libër, ka pafate e fatkeqësi, më shumë hidhërime se gëzime, po asgjëmangut edhe përjetime dhe të dhëna krejtësisht të panjohura edhe për ata më të informuarit. Në mënyrë të veçantë zgjojnë kërshëri të madhe lidhjet e tyre shpirtërore dhe jo vetëm – me Kosovën. Pothuajse tek çdo e dyta, në mos tek secila syresh, ka fërkime të thella, intime, me shumë dashuri, ose me lindje, ose me njohje, ose me vizita, ose me koncerte, ose me shfaqje teatrore e miqësi me Kosovën dhe kosovarët.

Autorja e librit, me ç’shihet, na jep të gjalla rrëfimet e 27 grave shqiptare me karrierë, që jo rrallë nuk kanë gëzuar jetë e përjetime për t’u lakmuar. E veçanta, prandaj, dhe mbase më e papritura dhe më e pakëndshmja e këtyre intervistave dhe bashkëbisedimeve janë zezonat, të cilat pjesa më e madhe e grave nga Shqipëria, po asgjëmangut edhe nga Kosova, kanë përjetuar në vitet e totalitarizmit dhe të sistemit komunist. Janë copëza historish individuale, dëshmi të rralla dhe të gjalla autentike, momente kyç, kryesisht të pamira, të hidhura dhe herë-herë edhe tragjike e përplot travaje, dëshmi këto, të dhëna dhe të thëna në vetën e parë, secila më kurioze se tjetra, që lexohen me një frymë.

Shkurt fjala, libri “Ecje nëpër kujtesë” me tregime jete të grave me karrierë, shkruar nga një grua me karrierë, që quhet Sanije Gashi, është një libër-surprizë dhe diç e përveçme, e veçantë, në sojin dhe llojin e vet, jo vetëm këtej, por edhe matanë – “Gardhit”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›