Kapen për ligj
Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë akuzuar ministrin në dorëheqje nga radhët e PDK`së, Ahmet Shalën, për mosmiratimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Ish zëvendës ministri i drejtësisë nga radhët e LDK`së, Arsim Janova, u është kundërpërgjigjur deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se pikërisht MEF ka bllokuar miratimin e ligjit për shkak të kostos së lartë për zbatimin e tij.
Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se Ministria e Drejtësisë ka përgatitur draft-ligjin, por ai nuk është miratuar për shkak të arsyetimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave se ky ligj ka koston e lartë.
Vetëm pak ditë pas deklaratës së zëdhënësit në largim të Qeverisë së Kosovës Memli Krasniqi, i cili për mungesën e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve fajëson Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka reaguar ish-zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë Arsim Janova.
Ai në një konferencë për media ka thënë se ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve ka qenë prioritet në strategjinë e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa ka akuzuar Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave, e cila, sipas tij, është treguar neglizhente dhe nuk ka bashkëpunuar në këtë drejtim.
“Në shkurt të vitit 2010, sipas procedurave të nevojshme, Ministria e Drejtësisë ia ka bërë kërkesën Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave për lëshuarjen e deklaratës për përfshirje buxhetore të këtij ligji. Për fat të keq, MEF me arsyetimin se ky ligj ka kosto shumë të lartë deri më 18 tetor 2010, kur ministri dhe unë si zv/ministër ishim në detyrë nuk e ka lëshuar deklaratën e nevojshme financiare për t’i hapur rrugë miratimit të tij në qeveri”, ka thënë Janova.
Derisa zëdhënësi në largim i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar LDK-në se draft-ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë ka mbetur i pamiratuar për shkak të “mentalitetit joinstitucional të LDK-së”, ish-zëvendësministri Janova fajëson kryekëput Partinë Demokratike të Kosovës për, siç shprehet ai, zvarritjen e këtij ligji të rëndësishëm.
“Hashim Thaçi e di mirë se ky draft-ligj gjendet në sirtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Nga deklarata e djeshme shihet që Partia Demokratike e Kosovës është fajtore e vetme për zvarritjen e këtij ligji shumë të rëndësishëm. Mungesa e vullnetit të qeverisë së shkarkuar për të proceduar më tutje këtë ligj tregon se e njëjta nuk ka gatishmëri për të garantuar sundimin e ligjit në Kosovë, për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe dukuritë tjera negative”, ka thënë Janova.
E Memli Krasniqi ka thënë për Express se mosmiratimi i ligjit ka të bëjë kryekëput me paaftësinë e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Drejtësisë.
“Arsyeja e parë ka të bëjë me paaftësinë e zyrtarëve të lartë të MD`së dhe arsyeja e dytë ka qenë ikja e LDK`së nga koalicioni, s`ka mbet as ministër e as zëvendës”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë.
Ndryshe, akuzat në mes PDK-së dhe LDK-së në lidhje me mungesën e ligjit për dëshmitarë vijnë pasi që anëtari nga Monako, Jean-Charles Gardetto, ka përgatitur një raport për mbrojtjen e dëshmitarëve që kanë të bëjnë me krimet e luftës.
“Nuk ka ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë. Ka një tentim për ta bërë një të tillë. Në rastet më serioze, dëshmitarët dëshmojnë në mënyrë anonime. Por, raportuesit iu bë e qartë se këto masa janë të padobishme përderisa dëshmitarët fizikisht vazhdojnë të mbesin në Kosovë, ku secili e njeh secilin. Shumica e dëshmitarëve identifikohen nga mbrojtja kur japin dëshmitë e tyre, përkundër masave anonime”, thuhet në raport.
Raporti i anëtarit nga Monakoja, Jean-Charles Gardetto, do të kërkojë miratimin e Asamblesë së Këshillit të Evropës, ashtu sikurse edhe raporti i raportuesit tjetër, zviceranit Dick Marty.