E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria në mars?

Hashim Thaçi nuk do të arrijë ta formojë Qeverinë e re në fund të janarit, ashtu siç shpresonte. Rivotimi i pjesshëm në Mitrovicë ka shtyrë agjendën e konstituimit të institucioneve. Marrëveshja për koalicionin e ri, sipas analistëve, mund të finalizohet deri në muajin mars. Ditëve të ardhshme pritet përfshirje më e fuqishme ndërkombëtare në këtë proces. Nga Shpend Limoni më 09 janar 2011 në ora 08:10

Vendimi për rivotim të pjesshëm në Mitrovicë i ka dhënë edhe një goditje procesit për krijimin e institucioneve të reja brenda një afati të shpejtë.

Disa ditë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, Kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi kishte parashikuar fundin e janarit si një periudhë të mundshme për konstituimin e institucioneve të reja.
Kjo mundësi kishte rënë poshtë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte vendosur që të çojë në rivotim komunën e Skenderajt, Drenasit dhe Deçanit më 9 janar për shkak të abuzimeve me vota.

E vonesën tjetër do ta shkaktojë votimi në Mitrovicë, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të ndodhë më 23 janar.
Nëse nuk ka vërejtje serioze për këto rivotime, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë rreth dy javë më vonë.

Në këtë mënyrë bisedat formale mes partive politike për krijimin e Qeverisë së re mund të nisin vetëm në fillim të muajit shkurt.
Rezultatet e deritashme të shpallura nga KQZ kanë nxjerrë Partinë Demokratike të Kosovës fituese të zgjedhjeve.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në një intervistë për Express të publikuar të premten ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve PDK’së, si mandatare, do t’i duhen vetëm dy javë për ta krijuar Qeverinë e re.
Analisti politik Shkëlzen Maliqi thotë se krijimi i Qeverisë së re mund të vonohet madje edhe deri në fillim të marsit.

“Me këtë vendimin e ri për Mitrovicën diku par fillimit të shkurtit nuk do t’i kemi as rezultatet përfundimtare nëse nuk ka ankesa tjera. Kështu që krijimi i qeverisë mund të shkojë deri në fund të shkurtit ose në fillim të marsit”, ka thënë Maliqi për Express, të shtunën.

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se është e hapur për koalicione pothuaj me të gjitha subjektet politike. Lidhja Demokratike e Kosovës ka theksuar fuqishëm se nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re, ndërsa AAK ende nuk ka marrë një vendim.

Maliqi thotë se bisedat serioze për qeverinë e re mund të bëhen vetëm pas certifikimit të rezultateve.

“Në këtë fazë edhe ashtu nuk mund të zhvillohen bisedat zyrtare sepse nuk kemi rezultat përfundimtar, nuk ka mandatar zyrtarisht. Për këtë arsye bëhen këto kombinimet e ndryshme, por para se t’i kemi rezultatet e rivotimit, është e paqartë se me sa mandate do të disponojë edhe PDK, edhe partnerët potencialë në koalicion, kështu që jemi ende në fazën spekulative”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, gjatë ditëve të ardhshme pritet edhe një përfshirje më e fortë e diplomatëve me ndikim në Kosovë për çështjen e koalicionit.

“Pritet edhe kthimi i diplomatëve kryesorë pasi zakonisht ata janë pjesë e këtij procesi. Më duket se Christopher Dell kthehet sot ose nesër. Neve na ka ndodhë edhe më herët që pa të huajt nuk ka pasur marrëveshje sigurisht se edhe ata do ta luajnë një rol dhe do ta vlerësojnë cili është opsioni më pragmatik dhe më i realizueshëm”, ka vlerësuar ai.

Maliqi konsideron se ndërkombëtarët mund të shtyjnë edhe një Qeveri më të gjerë.

“Mund të ndodhë që ata ta imponojnë edhe një koalicion më të gjerë, por ka ide të shumta aktualisht, ndoshta javën tjetër do ta kemi pak më të qartë si do të rrjedhin gjërat”.

Maliqi konsideron se një skenar i bojkotit të partive ndaj PDK’së, që do të çonte drejt dështimit të krijimit të qeverisë, nuk është shumë i mundur.
“Është vështirë me paramendu këtë nëse do të ketë një obstruksion ose bllokadë ndaj PDK’së. Atëherë as LDK’ja nuk mundet ta bëjë qeverinë dhe në këtë mënyrë bëhet një marrëveshje për një qeveri të përkohshme jo krejt teknike dhe mund të mbetet edhe kjo qeveria në minorancë, ashtu sikur që është tash dhe mund të shkohet në shpalljen e zgjedhjeve të reja”, vlerëson ai.

Por, sipas tij, ende ka shans që edhe LDK të jetë partner i PDK’së për qeverinë e re.

“Sigurisht se mbetet problem nëse dy partitë që japin qeveri stabile LDK dhe AAK, edhe pse LDK ‘në unë nuk e përjashtoj, edhe pse ata vazhdimisht thonë se nuk hyjnë në qeveri, nëse ata thonë se nuk hyjmë në qeveri. Me AKR’në kjo qeveri ndoshta nuk do të krijohet ose nuk do të jetë shumë stabile kuptohet me partitë minoritare” ka thënë ai.

Vonesa në krijimin e qeverisë së re kanë parashikuar edhe analistët Ramush Tahiri dhe Arben Qirezi. Ata kanë theksuar se vendi nuk pritet të ketë qeveri të re deri në pranverë.

“Mendoj se kjo do të marrë një kohë të caktuar, brenda së cilës, pikë së pari, siç po vërehet, PDK’ja është në kërkim të partnerëve për të krijuar një qeveri të koalicionit. Pra, do të jetë një proces i vështirë, që mund të zgjasë mjaft shumë, e mbase s''mund të presim krijimin e qeverisë së re deri diku në mars apo prill”, ka thënë Qirezi për Radion Europa e Lirë.

Analist Ramush Tahiri thekson se partitë nuk duhet të kenë vija të kuqe kur është fjala për koalicionet.

“Të gjitha partitë politike janë legale, janë të regjistruara në bazë të ligjit dhe konventave ndërkombëtare dhe asnjëra prej tyre nuk e ka veprimtarinë e ndaluar. Për mendimin tim, çdo koalicion është i natyrshëm dhe mendoj se duhet përqendruar në programin qeverisës”, ka thënë Tahiri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›