Projekti i harruar
E gjithë bota është duke shkuar drejt hapave të digjitalizimit modern. Në vendet e botës moderne kanë harruar se çfarë janë satelitët, përderisa në Kosovë ekzistojnë akoma. Që nga vitet e 90-ta, kur ka filluar përhapja e satelitëve në Kosovë, gati çdo shtëpi apo banesa e ka pas një të tillë nëpër ballkonet e tyre. E prej atëherë Prishtina ka mbetur e njëjtë. Edhe pse kemi hyrë në vitin 2011, këta satelitë ekzistojnë akoma. Dikush i përdorë e dikush tjetër i ka lënë vetëm si dekor nëpër ballkonet e kulmet e shtëpive.
Hapja e shumë kompanive, të cilat ofrojnë televizione kabllore që i zëvendësojnë vitet dhe programet e satelitëve, ka bërë që Komuna e Prishtinës, para dy vitesh, të merr një vendim. Largimin e gjithë antenave satelitore nga kulmet dhe ballkonet e banesave.
Sipas këtij vendimi, kushdo që dëshiron të mbajë edhe më tutje satelitët në kulmet e tyre, duhet të paguaj një taksë vjetore në vlerë prej dhjetë eurosh. Por, që nga viti 2009 e deri më sot ky vendim ka mbetur vetëm në letër. Madje zyrtarët komunalë e kanë harruar tërësisht këtë çështje.
Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se komuna e ka lënë anash këtë vendim, sepse ka pritur nga vetë qytetarët të marrin iniciativë për heqjen e satelitëve.
“Tani është koha e digjitalizimit, kemi pritur që qytetarët pa pas nevojë të paguajnë taksa, t`i heqin vetë satelitët nga shtëpitë e tyre”, pohon Gashi për Express.
Por, edhe pse komuna ka pritur për një iniciativë të tillë nga qytetarët, asnjë satelit nuk është larguar prej ballkoneve të banesave. E askush nga qytetarët nuk po paguan asnjë taksë komunale.
Duke e parë se nuk u doli ajo që prisnin, Gashi shpreson që gjatë këtij vit komuna do të merret më seriozisht me këtë vendim të marrë qysh para dy vitesh. “Kur të nisim me projektet dhe marrjen e vendimeve për këtë vit, nëse deri atëherë qytetarët nuk i heqin edhe ata satelitë që kanë mbetur, komuna do të shikojë jetësimin e vendimit”, sqaron Gashi.
Por, opozita në Komunën e Prishtinës vazhdon të ketë dyshimet e saj për këtë vendim. Shemsi Veseli, shef i grupit parlamentar nga radhët e PDK’së, shprehet i bindur se një vendim i tillë nuk do të ekzekutohet kurrë. “Jo vetëm që do të jetë i paekzekutueshëm tash për tash, por edhe nuk do të jetësohet kurrë. Madje një hap i tillë ka qenë tepër i ngutshëm. Vendimet nuk merren kështu”, vlerëson Veseli për Express.
Ai thotë se para marrjes së këtij hapi të ngutshëm, komuna është dashur të bëjë ndonjë projekt tjetër, më ideal për qytetin dhe qytetarët e Prishtinës. “Asnjëherë nuk është biseduar për ndonjë mundësi tjetër siç është televizioni kabllor, ku me një antenë kolektive, me anë të së cilës do të shërbeheshin një pjesë e qytetarëve pa e ngarkuar pamjen e qytetit” deklaron Veseli.
E përveç zyrtarëve komunalë, për një vendim të tillë kanë harruar edhe qytetarët.
Granit Kosumi mban mend të ketë dëgjuar mbi tatimin për satelitët, mirëpo nuk di asgjë më tepër lidhur me këtë tatim. “Më kujtohet si nëpër hije ky informacion, po e paskam harru totalisht. Unë prej atëherë e kam një satelit në ballkon, kush nuk ka ardhë me marrë pare për të”, thotë Graniti.
Sipas tij, nëse komunës i bie ndërmend që të nisë ekzekutimin e këtij vendimi gjatë këtij viti, ai do ta heqë satelitin nga vendi ku e ka vënë tash e sa kohë. “Ne e paguajmë komunën për tatime tjera. Nuk e kam ndërmend të jap më shumë pare, më lehtë e kam me e heq satelitin, se edhe ashtu nuk po më duhet”, thotë ai.
Sidoqoftë nuk është i vetmi problem për Prishtinën pamja e shëmtuar nga antenat satelitore. Kontribut për këtë japin edhe shtyllat elektrike, të cilat janë të stërngarkuara me kabllo të kompanive të televizioneve kabllore.
Përveç mosekzekutimit të vendimit për tatim të satelitëve, edhe këtë defekt Shemsi Veseli e quan si përgjegjësi të Kuvendit Komunal dhe Drejtoratit të Shërbimeve Publike.
Sipas tij, në shëmtimin e qytetit kontribut japin edhe tela të telefonit, televizion kabllor dhe internetit, të cilët janë të endura në shtyllat e rrymës. “Jemi duke shkuar drejt botës së civilizuar dhe drejt BE-së, shumica e këtyre telave duhet të enden në tokë. Kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme, meqë po harxhohet kot paraja publike”, thotë i bindur Veseli.