Dallas në finalen e madhe
Dirk Nowitzki përmbylli serinë finale të Konferencës perëndimore që e dërgoi Dallas Mavericks në finale të NBA ligës me fitore 100-96 ndaj Oklahoma Cityt.
Dallasit iu nevojitën vetëm pesë ndeshje për të eliminuar Thunder dhe siguruan kalimin në finalen e kampionatit për herë të dytë në historinë e klubit.
Mavericks do të luajnë me Miami Heat ose Chicago Bulls për kurorën e kampionit në NBA. Miami ka epërsi 3-1 në finalen e Konferencës lindore.
Dallas ishte takuar me Miamin në finalen e ligës më 2006 dhe fitoi dy ndeshjet e para por pësoi humbje në katër të tjerat.
Nowitzki ishte sërish vendimtar për Mavericks duke realizuar një treshe 1 minutë e 14 sekonda para fundit që ishte pjesë e serisë 10-2 që përcaktoi fituesin.
Nowitzki përfundoi ndeshjen me 26 pikë po aq sa realizoi edhe Shawn Marion.
Te Oklahoma, Russell Westbrook shënoi 31 pikë ndërsa realizatori më i mirë i sezonit të rregullt Kevin Durant shtoi 23.
Dallas Mavericks - Oklahoma City 100:96 (4-1)
Dallas: Nowitzki, Marion 26
Oklahoma City: Westbrook 31