Dallëndyshja Ermonelë
Pas suksesit në Francë, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, interpreton sot rolin e Magdës në operën “La Rondine” në teatrin “Verdi” në Trieste
E sapokthyer nga Franca, ku interpretoi në operën “Manon”, vesh petkat e një tjetër heroine. Një dallëndyshe në vitet ’50. Vetëm pak ditë më parë, sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, mblodhi duartrokitjet e publikut francez. Mediat më të njohura franceze, nuk mund të mos shkruanin për shqiptaren, që së fundi po shëtit skenat më të mëdha botërore “Covent Garden”, “Metropolitan”… Ndërsa sot është në Trieste, në skenën që mban emrin e një prej kompozitorëve më të mëdhenj italianë, të të gjitha kohërave. Luan rolin e Magdës. Një heroinë më e fortë, më reale.
Do të jetë opera më pak e njohur e Giacomo Puccinit “La Rondine” (“Dallëndyshja”) që mbyll sezonin lirik 2007-2008 në Teatrin “Verdi”, një nga teatrot më të mëdha italiane. Opera shfaqet sot në orën 20.30 dhe do t’i ofrohet publikut deri në 11 qershor. Fillimisht e ngjizur si një operetë, “La Rondine” i ishte kërkuar Puccinit nga Carl Theater në Vienë (autorët e libretit ishin Alfred Maria Willner e Heinrich Reichert) dhe vetëm më vonë u transformua në një komedi lirike me ndërhyrjen e Giuseppe Adamit, i cili hoqi dialogjet e folura. Në këtë formë të re “Dallëndyshja” ngjitet në skenë për herë të parë në 27 mars të vitit 1917. Dhe në këtë formë ngjitet sot edhe në skenën e Teatrit “Verdi”. Vepra të kujton nga njëra anë “Traviatën”, pasi historia mes Magdës dhe Ruggeros është strukturuar mbi një konflikt shoqëror të ngjashëm me atë të “Zonjës me kamelie”, por nga ana tjetër të kujton “Lakuriqin e natës” së Johann Straussit, sidomos në linjën e kamarieres Lizetë. Natyra hibride e libretit të “Dallëndyshes”, mes tragjedisë dhe komedisë, sipas muzikologëve nuk e lehtëson divulgimin dhe praninë e operës në kalendarët teatrorë. Opera ofron arie të fuqishme lirike, të cilat gërshetohen me shumë stil me romanca të tipit të operetave, valse, tango dhe ritme të kërcimeve amerikanoveriore si “one step” dhe “sloë fox”.
Drejtuar nga mjeshtri dhe kompozitori amerikan Steven Mercurio, vepra do të ngjitet në një skenë luksoze të dalë nga laboratorët skenografikë të fondacionit lirik triestin. Regjia e Graham Vick sjell një lexim të ri të veprës, në një tjetër ambient. Ngjarjet vendosen në vitet ’50 dhe gjithçka u përshtatet këtyre viteve, ambientet, sallat e dancit, veshjet, që mbajnë firmën e Sue Willmington, koreografia e Ron Howell, etj. Sipas mediave italiane që njoftojnë premierën, “suksesi i veprës është më së shumti në dorën e këngëtarëve lirikë. Një trupë e zgjedhur, duke nisur që nga sopranot, Ermonela Jaho e Elisabeth Caballero, të cilat do të alternohen me njëra-tjetrën dhe do t’i japin jetë personazhit të Magdës, e cila ndryshe nga të gjitha heroinat e tjera të Puccinit, është një figurë moderne dhe e pjekur, tërësisht realiste dhe konkrete, por ku nuk mungojnë edhe ngjyrimet melankolike”. Në rolin e Ruggeros, të dashurit të saj të ri, interpreton tenori Mario Malangini (i alternuar në dy netë nga Roberto De Biasio), ndërsa roli i kamarieres Lizetë, interpretohet nga sopranoja Annamaria dell'Oste. Prunier interpretohet nga Gianluca Terranova e Rambaldo nga baritoni Paolo Rumetz. Një tjetër shqiptar në grupin lirik është edhe baritoni Gëzim Myshketa, i cili së fundi po fiton “terren” në skenat italiane.