SOS, po zhytemi në skamje!
Po vërehet rritja e të gjitha çmimeve të produkteve jetike dhe shërbimeve civile. Buka do të rritet përsëri, energjia elektrike do të rritet përsëri, uji gjithashtu. Ndërkohë që haberi tjetër i keq ka ardhur edhe nga sektori i Telekomunikacionit me superçmimin e naftës.
Edhe nga shëndetësia vijnë lajme aspak të mira: tarifat e vizitave të mjekët do të dyfishohen. Kosto më e lartë e arsyetuar zyrtarisht përmes projekteve të lançuara kohë më parë, por fatkeqësisht me të njëjtat kushte mjeruese që ndodhen në shumicën e poliklinikave. Po të shtosh edhe shpenzimet e ilaçeve që normalisht janë të nevojshme për një të sëmurë, i bie që një familje buxhetore ta mbyllë muajin me borxhe (nëse u jep kush) ose të vdesin.
Në një situatë të tillë, kërkohet llogaria për taksat që paguhen, investimet publike, premtimet elektorale, politikën e çmimeve etj.
Por realiteti ynë është në antitezë të plotë mes asaj që deklarohet dhe asaj që jetohet. Po i tregohet botës se me ç’hapa të shpejtë po ecet drejt reformave, ndërkohë që pa mëdyshje, shqiptarët janë njerëzit më të varfër në Europë dhe standardi i jetesës, ulet nga dita në ditë. Për këtë flasin të gjithë indikatorët publikë. Paralelisht me këtë fakt, vjen edhe panorama tjetër pompoze. Politika, aktorët e saj dhe zhvillimet në arenën institucionale. Vazhdon melodrama e lënies pas dore të “Vox-Pop”-it demokratik, duke injoruar zërin e qytetarëve, më shumë sesa nga neglizhenca, nga një lloj apatie e sëmurë për çështjet me rëndësi politike. Politikanët sillen si aktorë të Hollivudit. Pse mos ta bëjnë, derisa nuk po bëhen protesta, sindikatat heshtin, opozita është përçarë, ndërkohë që mijëra e mijëra njerëz po zhyten në skamje.