E Diel, 1 Nëntor 2026

Dallku-Curri : Nga Vorskla te KombetarjaArmend Dallku dhe Debatik Curri, që luajnë prej tri vitesh me ekipin nga Polltava. Ata kanë një meritë të madhe në ecurinë e Vorsklës. Dallku i ka përligjur deri tani shpresat e trajnerit Nikollai Pavllov

Eshtë e pamundur të flasësh për Vorsklën e sotme, pa pasur parasysh mbrojtësit shqiptarë, Armend Dallku dhe Debatik Curri, që luajnë prej tri vitesh me ekipin nga Polltava. Ata kanë një meritë të madhe në ecurinë e Vorsklës. Dallku i ka përligjur deri tani shpresat e trajnerit Nikollai Pavllov, ndërsa Curri, përveç paraqitjes së mirë, është shfaqur edhe si golashënues. Sezonin e kaluar ai realizoi 9 gola. Aktualisht, Vorskla ndodhet në Turqi, ku po kryen fazën përgatitore. Duke përfituar nga ky rast, uebsajti zyrtar i klubit realizoi një dopiointervistë me mbrojtësit tanë të kombëtares. 
 
Hoteli "Sol Selin", ku jeni sistemuar, nuk duket i rastësishëm për ju, apo jo?
  Curri: Po, sigurisht. Këtu gjen kushte nga më të favorshmet. Këtu kam qenë edhe në vitin 2005, në kohën kur u bashkova me Vorsklën, që atëherë drejtohej nga Vladimir Muntian.
 
Pse zgjodhët pikërisht Vorsklën?
  Sepse nuk pata zgjedhje tjetër më të mirë. Ishte hera e parë që dilja jashtë vendit tim dhe nuk kisha arsye të mendohesha dy herë. Në fillim pata një frikë se nuk do të më ecte, por falë trajnerit Muntian, i cili pati besim tek unë, zura vend në ekip.
 
Po juve, Armend, ju kujtohet kur u lidhët për herë të parë me Vorsklën?
  Natyrisht që më kujtohet. Kam ardhur këtu gjashtë muaj pas Debatikut. Pasi kalova provën, duke u stërvitur 10 ditë në Polltavë, u ktheva sërish në vendin tim, sepse luajta me Elbasanin në Kupën UEFA. Pastaj u ktheva në Ukrainë për të nënshkruar kontratën.
 
 Mendoni se të gjithë futbollistët shqiptarë ëndërrojnë të luajnë jashtë vendit të tyre?
  Po, është e vërtetë. Kampionati shqiptar është i një niveli, të themi, jo shumë të lartë, kështu që atje është e vështirë të bësh karrierë për së mbari. Në planin profesional, do të thoja që është një gjë shumë e mirë të luash jashtë vendit tënd. Mund të përfitosh më shumë, por gjithashtu mund të paguhesh më mirë.
 
Mund të na thoni sa është paga e zakonshme mesatare e një futbollisti në vendin tuaj?
  Curri: Aty te 10 mijë euro në vit.
  Dallku: Unë kam marrë diçka më shumë se kaq dhe them se nuk ka qenë një pagë e keqe. Falë kësaj kam arritur të ndihmoj edhe familjen.

  Në ç'drejtim e patët më të vështirë në fillim?
  Curri: Në stërvitje. Me të ardhur në Ukrainë, iu nënshtrova një stërvitjeje tre herë në ditë. Pas ditëve të para, iu drejtova menaxherit tim, që t'i thoshte trajnerit se isha i befasuar nga gjithë ai ndryshim nuk ndihesha hiç mirë. Më pas, ia dola të përshtatesha me kushtet dhe ngarkesën në stërvitje. Vështirësi kam pasur edhe në komunikim.
  Dallku: Unë e pata disi më të lehtë përshtatjen me Vorsklën, falë edhe ndihmës së Currit. Në fillim ai ishte përkthyesi im. Vetëm pas dy muajsh, arrita ta flisja gjuhën vendase. Sigurisht, mënyra e stërvitjes ishte krejt e ndryshme, por unë e përvetësova shumë shpejt.

  Aktualisht, ju të dy jeni bërë si "veteranë" te Vorsklës. Si ndiheni në Polltavë?
  Dallku: Shumë mirë, gjynah të qahem. Kemi marrëdhënie mjaft të ngrohta me tifozët, të cilët na respektojnë. Kemi një kolektiv të shkëlqyer. Në këtë sezon, ekipi ynë ka arritur rezultate të kënaqshme dhe ka mundësi të luajmë edhe në Kupën UEFA. Gjithçka mund të ndodhë. Në kontratën time parashikohet edhe një pikë, sipas së cilës kam të drejtë të lëviz nga Vorskla, në rast se për mua paguajnë një shumë të caktuar. Gjithsesi, ne gëzojmë besimin e plotë të trajnerit dhe të presidentit. Pra, në rast se na paraqitet ndonjë shans më i mirë për të luajtur diku tjetër, nuk do të kemi asnjë pengesë.
  Curri: Edhe në kontratën time gjendet e njëjta pikë, por me kusht që jo në çdolloj rasti që të më paraqitet. Unë mendoj që edhe në Polltavë kemi mundësi të rritemi si futbollistë. Çdo gjë në kohën e vet. Gjëja më e bukur do të ishte sikur të lëviznim të dy njëherësh në një klub tjetër.
Dallku: Pas një aktivizimi relativisht të gjatë në Polltavë, unë besoj se një pjesë të zemrës e kemi lënë atje. Na rrethon një atmosferë e shkëlqyer në atë vend. 

  Më parë keni pasur edhe probleme disipline, gjatë lojës...?
  Curri: Po, është e vërtetë, por tani nuk ndëshkohem me kartonë, si më parë.
  Dallku: Ne shqiptarët njihemi për gjaknxehtë, madje tek ne ndodh edhe ajo, që arbitrat nuk e kanë për gjë që të debatojnë ashpër me lojtarët. Në Ukrainë është krejt ndryshe.
 
Juve Debatik, ju pëlqen të sulmoni, madje edhe të shënoni...?
  Curri: Sidomos në raste penalltish. (qesh)
 
 Pse, gjuajtjet e tyre jua besojnë juve zakonisht?
- Curri: Në përgjithësi, po. Zakonisht i kam kthyer në gola, por edhe i kam humbur.
 
Kohët e fundit, kombëtarja shqiptare ka pasur një ecuri pozitive. Besoni se do të keni fatin të luani ndonjëherë në ndonjë kampionat europian apo botëror?
  Dallku: Sigurisht që besojmë. Përndryshe, pse duhet të dalim në fushën e lojës? Kombëtarja jonë ka një potencial të konsiderueshëm, që sa vjen e forcohet.
  Curri: Kemi rastin që në ndeshjet e ardhshme, falë një kalendari të favorshëm, të arrijmë më lart. E rëndësishme është që të rrënjosim sedrën e fituesit kundrejt çdo ekipi.
  Dallku: Unë do të theksoja edhe meritën e trajnerit tonë holandez, Ari Han. Pas pak ditësh do të luajmë me Maltën, në fushën e kësaj të fundit, dhe më pas me Hungarinë brenda. Në rast se i fitojmë këto dy ndeshje, kemi mundësi të ngjitemi në vend të parë. Shpresoj dhe besoj që ëndrra jonë e kahershme të realizohet sa më shpejt.

Jorgis Memo (Sporti Shqiptar)

E Shtune, 24 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›