Dallku: Do të veprohet në krahun e majtë
Mbrojtësi i rikthyer pas pezullimit ka zbuluar diçka nga taktika e kroatit Kuzhe, që ka gjetur pikën e fortë dhe të dobët të Bosnjës
Armend Dallku, mbrojtësi me energji të pashtershme, ndihet i lumtur që është sërish pjesë e skuadrës kombëtare. Lojtari që militon në radhët e Vorskla Poltavës në kampionatin ukrainas, nuk mundi të ishte i gatshëm për sfidën me Bjellorusinë, për shkak dëmtimesh, ndaj kjo është edhe çështja e parë që Dallu prek. “Natyrisht që është kënaqësi gjithmonë të jesh pjesë e ekipit, kur kihet parasysh që ndeshjen e fundit ekipi ka bërë një ndeshje shumë të bukur dhe ka marrë një rezultat shumë të mirë. Besoj dhe shpresoj që edhe në ndeshjen e radhës të bëjmë një festë për tifozët tanë dhe të gjithë popullin tonë. Entuziazmi në ekip është shumë i mirë dhe shpresoj që me punën që kemi bërë gjatë këtyre ditëve të shkojmë të bëjmë një ndeshje të bukur,” komenton ish-lojtari i Elbasanit në konferencën e djeshme për shtyp dhe shton: “Bosnjën nuk e kemi frikë, por dihet që ata kanë një ekip ofensiv, lojtarë shumë cilësorë, që luajnë me ekipet e mëdha në Europë. Megjithatë, edhe ata kanë mangësitë e tyre, pikën e dobët, mbrojtjen. Mirëpo ne në çdo ndeshje kemi treguar vlerat tona, forcën tonë, kështu që frika s’mund të jetë pjesë jona. Ne kemi luajtur mirë ndaj tyre në ndeshjen e parë në fushën tonë. Besoj se po të rreshtohemi mirë në fushë dhe të bëjmë lojën në grup mund edhe t’ia dalim.” Më pas, mbrojtësi kosovar tregon diçka edhe nga taktika e trajnerit Kuzhe. Dihet që krahu i majtë i mesfushës, aty ku operon Miralem Pjaniç, është edhe forca e vërtetë e boshnjakëve, prej nga nisen aksionet sulmuese që furnizojnë Xekon dhe Ibiseviçin. “Trajneri e ka parë si pikë kyçe krahun e majtë të Bosnjës, pasi është shumë ofensiv dhe i fuqishëm krahu i tyre i majtë. Por në të njëjtën kohë atyre u krijohen shumë boshllëqe, pasi mbrojtësi i tyre i majtë është ofensiv dhe ne mund ta shfrytëzojmë këtë mangësi. Kjo edhe për sulmuesit tanë që të spostohen në këtë krah. Ne e kemi parë këtë dhe trajneri do të kërkojë një vendosje me përpikëri në fushë. Me kalimin e ditëve ai do të na urdhërojë ç’do të bëjmë,” përfundon Dallku.