E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzaka i dyzuar: Dinamo apo Skënderbeu

Po flitet shumë në lidhje me të ardhmen e Gjergj Muzakës me fanellën e Skënderbeut, pasi mes korçarëve dhe bluve ka filluar një luftë e ftohtë në lidhje me shërbimet e mesfushorit këmbëshpejtë. Vetë Muzaka sqaron gjithçka: “Është e vërtetë. Vjet unë nënshkrova një kontratë trevjeçare me Dinamon. Normalisht unë kam dhe dy vjet kontratë me këtë skuadër. Në janar u transferova në formë huazimi te Skënderbeu, ku përfshiheshin dhe ndeshjet e Kupave të Europës. Normalisht që jam duke pritur të luaj këto ndeshje. Dinamo? Çdo gjë mund të ndodhë. Nuk e dimë akoma gjendjen e skuadrës si është, pasi sapo është mbyllur sezoni. Kemi dëgjuar në media deklarata të ndryshme. Personalisht nuk jam ulur për të biseduar me drejtuesit. Për momentin jam këtu i grumbulluar me kombëtaren dhe nuk mund të përqendrohem diku tjetër,” deklaroi mesfushori, që më pas u fokusua vetëm te kombëtarja dhe ndeshja e radhës me Bosnjen. “Për ne është e rëndësishme që të vijmë këtu në gjendjen tonë optimale dhe t’i shërbejmë ekipit kombëtar për të arritur maksimumin. Ekipi kombëtar nuk është si nëpër klube, ku shkon, paguhesh dhe jep kontributin tënd, si për ekipin dhe për veten, por këtu vijmë të gjithë për të dhënë kontributin për ekipin tonë kombëtar, pavarësisht kush luan nga fillimi. E rëndësishme është të arrijmë maksimalen, duke pasur parasysh gjithë kontingjentin që kemi. Bosnja? Për mendimin tim, sa e vështirë, aq edhe i lehtë mund të jetë, për vetë faktin se janë dhe ata si edhe ne ballkanas, duke iu referuar dhe ndeshjes që luajnë me Rumaninë. Edhe këtë nuk mund ta parashikoj, mund të jetë pozitiv ky fakt, apo negativ, sepse në rast të një rezultati pozitiv të atyre ndaj rumunëve kjo mund të ndikojë si për mirë dhe për keq, pasi janë ballkanas dhe mund t’i marrë euforia. Kështu që nuk mund të bëj ndonjë lloj parashikimi për këtë ndeshje. Kësisoj, ndeshje të tilla të paparashikueshme mund të jenë dhe të vështira.” Në fund Gjergji shpreson që të shënojë edhe në këtë sfidë, siç bëri në Rumani. “Si për mua dhe për skuadrën ai gol ishte i rëndësishëm, për nisjen e eliminatoreve, sepse pas atij takimi na priste ndeshja me Luksemburgun dhe ku trepikëshi ishte më i lehtë. Tani dëshira e çdo lojtari është të kontribuojë sa më shumë për ekipin, qoftë duke shënuar, qoftë duke luajtur mirë. Nuk është e rëndësishme të shënoj me kokë ose me këmbë, unë apo ndonjë tjetër, e rëndësishme është të marrim maksimumin nga kjo ndeshje. Nuk mund të them tri pikë, një pikë ose zero pikë. Llogaritë bëhen në fund, por për mendimin tim duhet të përqendrohemi dhe të ruajmë përqendrimin që bëmë në ndeshjen me Bjellorusinë, pasi ekipi kombëtar ka dhe këtë të keqe që nuk luan javë pas jave dhe është e vështirë të ruash atë gjendje dhe frymë që ke pasur një ndeshje më parë dhe ku ka kaluar një kohë relativisht e gjatë. Por objektivi ynë kryesor është të futemi me këtë mentalitet si me Bjellorusinë, pastaj për rezultatin nuk mund të japim ndonjë parashikim.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›