Dallku: Të gjitha skuadrat kanë shanse të barabarta
Deklarata
Plotësohet dëshira e mbrojtësit për të luajtur në grup me Francën
Armend Dallku është i kënaqur me verdiktin e goglave në Varshavë, që e pozicionuan Shqipërinë në Grupin D. Kjo pavarësisht faktit se ndeshjet eliminatore përballë skuadrave si Franca, Rumania, Bosnja e Bjellorusia (të cilave u shtohet edhe Luksemburgu) nuk do të jenë aspak të lehta. Gjithsesi, 26-vjeçari mendon se grupi është mjaft i balancuar, kundërshtarët janë të përballueshëm dhe të gjitha skuadrat pjesëmarrëse do të kenë shanse të barabarta. “Në përgjithësi jam i kënaqur me këtë short. Shanset për kualifikim janë të barabarta për të gjitha skuadrat e grupit tonë. Shpresoj të kemi edhe fat, dhe pse jo të kualifikohemi, në mënyrë që ta realizojmë ëndrrën e përhershme”, deklaroi Dallku për kosovaren “Express”. Përpara shortit, mbrojtësi kuqezi kishte shprehur preferencën që të luante në grup me Francën ose Italinë, si edhe që Kombëtarja të evitonte përballjet me skuadrat skandinave. Dëshira e tij është realizuar: “Kam pasur një parandjenjë që do të kishim si kundërshtar Francën ose Italinë. Më vjen mirë që do të luajmë kundër Francës, por edhe sepse nuk do të përballemi me ekipe nga shtetet skandinave, me të cilat kemi bilanc negativ”. Në analizën për kundërshtarët e veçantë, numri 4 i përfaqësueses mendon se Shqipëria është e barabartë për nga cilësia me Rumaninë, Bjellorusinë e Luksemburgun, ndërsa Franca dhe Bosnjë-Hercegovina janë më kualitative. “Jemi të barabartë me Rumaninë, e cila ka lojtarë mjaft cilësorë, por që gjatë viteve të fundit nuk po funksionon mirë si skuadër, shtoi Dallku. Franca është një superfuqi në futbollin europian dhe atë botëror, por në ndeshjen ndaj francezëve sigurisht do të jemi shumë të motivuar dhe do të luajmë mirë. Edhe Bosnja ka ekip cilësor, por kjo për ne nuk ka shumë rëndësi, sepse edhe vetë jemi ballkanas, pra kemi të njëjtin mentalitet”.
#