Basti i Kuzhe: Më shumë pikë se Bariçi
Euro 2012
Grupi D, ku Shqipëria do të luajë në eliminatoret e Euro 2012, i ka rezervuar përfaqësueses sonë përballje thuajse të njëjta me edicionin e mëparshëm të aktivitetit kontinental. Rumania, Bjellorusia dhe Luksemburgu janë skuadra me të cilat kuqezinjtë u ndeshën në kualifikueset e Euro 2008, ndërsa Franca dhe Bosnjë-Hercegovina kanë zëvendësuar Holandën e Bullgarinë (grupi i mëparshëm ishte me shtatë skuadra e aty luante edhe Sllovenia). Pasi ka mësuar kundërshtarët, trajneri Josip Kuzhe ka vendosur një bast në distancë me bashkëkombësin e tij, Oto Bariç. Tekniku kroat grumbulloi 11 pikë në një grup “ferri”, me Shqipërinë që u klasifikua e pesta, ndërsa drejtuesi aktual i skuadrës kërkon të arrijë rezultate më të larta dhe natyrisht të grumbullojë më shumë pikë. “A ndodhemi në një grup më të lehtë për Kampionatin Europian në krahasim me edicionin e mëparshëm kur trajner ishte Bariç? Nuk mund ta them këtë. Personalisht vazhdoj të këmbëngul se ndodhemi në një grup mjaft të vështirë. Duhet të shohim se çfarë ecurie do të kemi duke i marrë ndeshjet me radhë, përpara kohe nuk mund të parashikosh asgjë”, deklaroi Kuzhe. “Me Bariç Kombëtarja shqiptare grumbulloi 11 pikë, por unë mendoj (kërkoj) më shumë. Plani im është që t’i kalojmë 11 pikë në grup dhe pse jo të pretendoj më shumë sesa Bariç”. Gjithsesi, qëndron fakti se në përballjet me Rumaninë dhe Bjellorusinë në Euro 2008, kuqezinjtë morën vetëm një pikë. “Eksperienca e kaluar kundër këtyre dy skuadrave do të më ndihmojë të jem më i përgatitur kur të ndeshemi me to. Pas shortit, zhvillova një bisedë me trajnerin e Bjellorusisë (gjermanin Bernd Shtange), i cili më tha se fitorja 4-2 e tyre në Shqipëri nuk tregon forcën e vërtetë të skuadrës sonë. E vërteta është se kemi një skuadër më të fortë nga ajo që të gjithë panë në ‘Qemal Stafa’ në nëntor të vitit 2007”, përfundoi drejtuesi i stolit shqiptar.
#