Kuzhe: Dua vendin e tretë në grup
24 orë pas shortit, trajneri bën të ditur objektivin e kuqezinjve në eliminatoret e Euro 2012
Shorti i Shqipërisë nuk është aspak i lehtë. Këtë e rikonfirmon edhe trajneri i kuqezinjve, Josip Kuzhe, i cili në konferencën për shtyp në ambientet e FSHF-së, ka sqaruar që eliminatoret e Euro 2012 prognozohen të jenë të vështira për Kombëtaren tonë, e cila gjithsesi do të synojë vendin e tretë në Grupin D, para Bosnjës së papërmbajtshme, Bjellorusisë në rritje dhe Luksemburgut modest. Ndërkohë që, sipas tij, qëllimi minimal do të jetë vendi i katërt. Kuzhe, duke iu përgjigjur pyetjes për fortësinë e grupit, tha: "Nëse më pyesni mua për të dhënë një vlerësim me nota nga 1 në 10 se sa i fortë është grupi ynë, unë do të thosha se është shumë e vështirë, por në opinionin tim është diçka që unë nuk do të pëlqeja ta thosha. Nuk e di, ndoshta 7 apo 8”.
Zoti Kuzhe, tashmë kundërshtarët tanë për kualifikueset e Euro 2012 janë të njohur: Franca, Rumania, Bosnjë-Hercegovina, Bjellorusia dhe Luksemburgu. Cilat janë objektivat e Shqipërisë?
Objektivat me këtë short nuk janë të lehta. Unë jam trajner dhe më duhet të mbaj një qëndrim realist, por nga ana tjetër më duhet të jap edhe pak shpresë. Ne duhet ta fillojmë startin tonë nga pozicioni ku ishim përpara hedhjes së shortit, nga vazoja e 5-të.
Ju lutem, a mund të jeni më i qartë në këtë që thatë?
Objektivi ynë është përmirësimi i futbollit tonë, të renditemi më mirë në grup se sa ajo që ka bërë Shqipëria në të kaluarën. Përmirësim për ne do të thotë që të ngrihemi në renditje, pra në vend të katërt apo të tretë. Gjithsesi, unë jam trajner dhe më pëlqen të punoj në një atmosferë pozitive. Nuk dëshiroj të them se do të fitojmë ndonjë ndeshje speciale, por ne duam të fitojmë ndeshjet dhe pasi të kalojnë disa prej tyre, mund të përgjigjem më realisht e të bëj një definicion të objektivit tonë.
Objektivi për vendin e tretë apo të katërt është kërkuar edhe nga presidenti i FSHF-së, Duka?
Jo, ne kemi folur bashkë me presidentin në një atmosferë shumë të këndshme rreth këtyre eliminatoreve, por saktësisht nuk kemi folur për objektiva. Të dy, edhe pse ishim të mërzitur nga ekipet që na ranë në grup, ishim optimistë. Unë besoj se do të krijojmë një atmosferë të mirë dhe shpresoj të arrijmë rezultate të mira.
Duket se kualifikimin e konsideroni të pamundur. Shqipëria shmangu Kroacinë, një rival që ju nuk e dëshironit, por gjeti Bosnjën, një skuadër që i ka hapur shumë probleme Spanjës.
Ok, në lidhje me Kroacinë do të ishte një ndeshje shumë speciale, shumë emocionale dhe tepër stresuese për mua. Ju e dini që unë jam kroat. Kroacia është një ekip shumë i mirë dhe nuk është e lehtë të fitosh e të arrish rezultat; së dyti, ju duhet të bëni lojën tuaj dhe të fitoni. Gjithsesi, nëse luanjmë në Zagreb përballë 40-50 mijë shikuesve dhe dikush do të kërkonte të fitoja, nuk do të ishte e lehtë për mua. Nuk do të isha i lumtur të luaja kundër Kroacisë. Ndërsa Bosnja është diçka tjetër. është krejtësisht një ekip tjetër. Unë e respektoj në gjithçka që ka bërë, por nuk ndjej asnjë lloj emocioni kur të përballem me ta.
Ku mendoni se do të merrni pikë jashtë, pasi ato do të na shërbejnë edhe për rritjen në klasifikim?
Kudo, përse jo? Nuk dëshiroj t’u them se ku dhe kundër kujt do të marrim pikë në transfertë, Bjellorusisë apo Rumanisë, apo Bosnjës. Bosnjën e njoh, është një ekip i fortë, kanë pika të forta, por ka dhe pika të dobëta. Ne do të përpiqemi të jemi një ekip shumë serioz nga ana konkurruese, shumë të fuqishëm dhe me lojtarë të fortë. Besoj se do të marrim edhe rezultate jashtë fushës. Natyrisht, nëse ne nuk do të fitonim të dyja ndeshjet kundër Luksemburgut, do ishte një dështim. E kam parë Bjellorusinë në një ndeshje me Kroacinë: ka një ekip të mirë dhe mund të marrë rezultate të mira. Personalisht nuk do të dëshiroja atmosferë vetëm kundër ekipeve të mëdha, por kundër gjithkujt.
Mediat franceze kanë bërë vlerësime pozitive për fortësinë e Shqipërisë, duke përmendur barazimet me Suedinë, Portugalinë dhe Danimarkën. Sa e fortë është Shqipëria?
Ne mund të jemi kundërshtarë seriozë për cilindo ekip. Dëshira ime është që pas këtyre ndeshjeve kualifikuese, shumë ekipe të mëdha në Europë të flasin me respekt të plotë për Shqipërinë. Dëshirojmë t’i bëjmë krenarë shqiptarët për ekipin e tyre.
Mister, tashmë grupi dhe emrat e skuadrave janë të njohura. Dëshironi ta nisni aventurën në kualifikuese me ekipe të mëdha apo të vogla. Cila është strategjia për këtë?
Po punojmë për të ndërtuar strategjinë tonë. Pas pak ditësh do të përcaktojmë edhe kalendarin zyrtar, por mua më pëlqen ta filloj me një ndeshje të vështirë kundër një ekipi të madh, ndoshta Francës. Nëse ju kërkoni kualifikimin, atëherë unë them që na duhen 20-22 pikë.
#