E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skenderbeu fiton 4-1 ndaj Shkumbinit

Skënderbeu nuk ka pasur asnjë mëshirë dhe ka dërrmuar Shkumbinin në ndeshjen e parë të Grupit A në Kupën e Shqipërisë. Fitorja 4-1 e kampionëve është arritur, madje, brenda në Peqin, duke qenë në epërsi gjatë gjithë kohës.
Korçarët kaluan në epërsi në pjesën e parë me anë të sulmuesit Plaku dhe pastaj rritën epërsinë në 2-0 me golin e mbrojtësit Bici.
Në pjesën e dytë, nuk vlejti ngushtimi i shifrave nga Lluca, pasi sërish Plaku dhe nigeriani Orelesi shënuan dy gola të tjerë për skuadrën mike.
Me këtë fitore, Skënderbeu tregoi edhe një herë forcën e tij këtë sezon, madje duke qenë më bindës sesa dy edicionet e kaluar kur doli gjithashtu kampion.
Gjithashtu, ekipi i drejtuar nga trajneri Mirel Josa dëshiron që këtë herë t’i fitojë të dy trofetë e mundshëm, pra edhe kampionatin, edhe Kupën e Shqipërisë.
Sot është në program edhe ndeshja e grupit B, mes Flamurtarit dhe Bylisit, ndërsa nesër do të zhvillohen dy përballje të tjera: Kukësi-Kastrioti e grupit A dhe Laçi-Teuta në grupin B.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›