Flora, një militante e gruas së Koços dhe mercenare e Edvinit
Hanelli e matematikës zbulohet se ishte angazhuar më herët si kandidate në partinë e blertë të Brixhildës së Koços, kur se të hënën u kuptua se ishte në misionin e radhës, atë për të errësuar humbjen flagrante të Edi Ramës
Në filozofinë puniste të Edvinit dhe Koço Kokëdhimës, antimitingu është një mjet për të luftuar “armikun” e për të mos ta lënë atë të bëjë shpalosjen e programit politik. Sidomos tani që ka dalë edhe teoria e votës me “plumb ballit”, incidentet shihen si rruga më e mirë për t’u përballuar me humbjen e 8 majit. Duke kërkuar ngado militantë apo trazovaçë për të prishur takime apo mitingje, Edi Rama dhe Koço Kokëdhima gjetën me vështirësi një pedagoge. Kjo pedagoge natyrisht nuk vinte nga hëna, jetonte mes nesh, ishte e majtë e kuqe flake dhe kush do thoni ju? Pikërisht nga partia e grave e gruas së Koços, një parti e quajtur Lidhja e Blertë Shqiptare, e cila kandidoi në zonën nr. 94 në Vlorë në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 pedagogen Flora Hanelli. Duhet të jesh shumë i guximshëm të deklarosh se të blertët e kuq nuk janë me Edi Ramën. Në atë kohë, gruaja e Koços tuboi në një gjasme parti disa militante të kuqe, të cilat i prezantoi “shoqëri civile” apo kushedi se çfarë. Pavarësisht gunës jeshile që ia hodhën vetes, e kuqja i dukej edhe mbi lëkurë.
E quajtura Flora demonstroi në formën më qesharake “protestën” e saj. Ajo nuk ishte si 100 kalamajtë e FRESH-it që çonte Edvini para Ministrisë së Brendshme para disa javësh, por ishte krejt e braktisur dhe e harruar në kohë, pavarësisht se përpiqej të imitonte “shamizezat e 1997-s”.
Përveç të tjerash mediokriteti i një pedagoge të tillë është për të vënë alarmin se çfarë edukatoresh ka brezi i ri. Është për të vënë në dukje se pedagogia në fjalë imagjinon funksionet e Ministrisë e Brendshme të barabarta me ato të kohës së Kadri Hazbiut. Këtu është edhe fatkeqësia. Pedagogë të tillë me këtë formim kulturor, që nuk kanë lexuar as kushtetutën e këtij vendi, nuk meritojnë të japin as mësim.
Ministri i Brendshëm i një vendi demokratik siç është Shqipëria nuk merret me anën operacionale të gardës apo policisë. Ministri as ka në kompetencë të japë urdhër apo të udhëzojë këto organe se si të ushtrojnë detyrat e tyre funksionale të parashikuara në ligj.
Kaq ishte e bollshme për të thënë diçka rreth “trimërisë” që tregoi e quajtura Flora.