Pakti shterp i Edi Ramës me qytetarët “më votoni që t’iu kthej kurrizin e të merrem me luftën ndaj Saliut”
Në ditët e fundit të fushatës elektorale, Edi Rama gjithmonë e më shumë ka zgjedhur të shfaqet sa më qesharak. Shfaqja e tij qesharake, më shumë se kurrë, duket në mesazhet që ai përpiqet të përcjellë te zgjedhësit e Tiranës, ku edhe kandidon vetë për kryebashkiak. Mes kësaj shfaqje qesharake, pleksur me mesazhet konfuze, Edi Rama, nga njëra anë premton që do të punojë për Tiranën e nga ana tjetër thotë do të luftoj Saliun?!
E thënë më ndryshe, sjellja e Edi Ramës, në ditët e fundit të fushatës elektorale
është e mbarsur me filozofinë e tij, sipas së cilës, “ju mendoni për mua, unë po mendoj për veten time”...
Në këtë kontekst, Edi Rama ju thotë qytetarëve, “më votoni që t’iu kthej kurrizin e të merrem me luftën ndaj Saliut”.
Në fakt, Edi Ramës, nuk është se i ka mbetur shumë në dorë, për të premtuar apo bërë ndonjë gjë konkrete, veç llogjeve e lojërave të fjalëve. Nuk i ka mbetur asgjë më shumë se llogjet e lojërat e fjalëve, sepse nuk ka asgjë se çfarë të premtojë, për më shumë të ofrojë.
Megjithëse, pati, jo pak mundësi dhe kohë, por plot 11 vjet, dhe nuk mundi të bëjë asgjë, tashmë premton se për 4 vjet do të bëjë mbrekullira.
Por edhe këto premtime për mbrekullira, i bënë në mënyrën më të keqe të mundshme, ku duke vuajtur pasojat e shterpësive të ideve, ka zgjedhur, në mënyrën po më të keqe, të kopjojë ato të rivalit të tij Lulzim Basha.
Ndërsa në ditën e parë të çeljes zyrtare të fushatës elektorale, Luzim Basha premtoi hapjen e 30 mijë vendeve të reja të punës, Edi Rama, nxitoi dhe “e bëri të tijën” këtë ide. Por ndërsa në çelje të fushatës edh ai premtoi, por për 200 mijë vende të reja pune, jo më larg se dje në “Paktin” me qytetarët, këtë shifër e çoi në 300 mijë.
Hipotekim pallatesh premtoi Lulzim Basha dhe “papagalli” Edi Rama, këtë premtoi, duke shtuar një “thelë mbi bisht”, e duke premtuar për katër vjet, atë që nuk mundi të bënte për 11 vjet, hapjen e 10 zonave banimi për 400 mijë familje.
Pjesë për të ardhur keq e premtimit të Edi Ramës, ishte edhe pjesa e uljes së taksave, të cilat edhe ai u detyrua ti pranojë që janë shumë në numër, dhe shumë më shumë në vlerë. Por, sërish edhe pas këtij premtimi, ishte Lulzim Basha “që e tërhoqi zvarrë” Edi Ramën.
Duket Edi Ramës, nuk i bënë shumë përshtypje roli i suflerit, për deri sa, nuk resht të përsërisë premtimin e Lulzim Bashës, për hapje shkollash të reja. Këtu Edi Rama, pretendon se do bëjë në 4 vjet, çudinë që nuk e bëri në 11 vjet, të hapë 17 shkolla të reja, nga rreth 0 (zero) që (nuk) ka hapur.
Po për transportin publik, “përmirësim” premtoi Luzlim Basha, këtë premtoi edhe Edi Rama, duke mos harruar të fryjë në ekstrem shifrat e duke “i dhënë gojës” e duke folur për 13 linja e 290 autobusë.
Premtim më prej gjynahqari i Edi Ramës, mbetet ai për tramvajin. Tramvaj Kombinat – Kinostudio, premtoi Lulzim Basha. Tramvaj, jo një linjë, por 6 të tilla premtoi Edi Rama...
... Marrëzitë që Edi rama i quan premtime, mund të vazhdojnë e vazhdojnë të numërohen, por, sa më shumë të përmenden të tilla, asgjë të re nuk është se sjellin, veçse konfirmojnë sjelljen qesharake të Edi Ramës.
Natyrisht, Edi Rama, në këtë mandat të fundit si krybashkiak i Tiranës, i konsumuar në luftën politike me mazhorancën dhe kreun e saj Sali berisha, jo që kohë nuk ka pasur për ulej taksash, ngritje shkollash, kampuas universitar, tramvaj e autobusë, por as për të menduar ndryshe nga rivali i tij nuk ka pasur kohë. Dhe për kohën që Edi Rama është marrë veç me sherre politike, as militantët e PS nuk gjejnë dot të thonë 3 arritje të tij në Tiranë, përgjatë mandatit të tij të fundit si kryebashkiak… Ndaj edhe Edi Rama, që nuk ka më asgjë në dorë të bëjë ndonjë gjë, ka zgjedhur të lutet, “më votoni që t’iu kthej kurrizin e të merrem me luftën ndaj Saliut”.