Damir Fazlliç: Ina Rama të më kërkojë ndjesë publike
Biznesmeni, mediave: Sulmet ndaj meje, politike. Fitova gjyqin në Londër ndaj botuesit Baze, u dënua 50 mijë paund
Pas vendimit të Prokurorisë së Tiranës për pushimin e hetimeve për biznesmenin anglo-boshnjak, Damir Fazlliç, vjen reagimi i parë nga vetë biznesmeni. Përmes një deklarate për shtyp, Fazlliç ka kërkuar një ndjesë publike nga ana e Kryeprokurores Ina Rama, për shkak të hetimit politik përgjatë 7 muajve dhe mbylljes së tyre për mungesë provash për një aktivitet kriminal, siç ka pretenduar organi i akuzës. “Çështja ime duhet t’i bëhet mësim Kryeprokurores Ina Rama, nga e cila kërkoj një ndjesë publike për hetimet e pabaza dhe politike ndaj meje. Besoj se 7 muaj hetime me akuza të pabaza, më japin të drejtën për të kërkuar prej saj ndjesë publike. Ka përbaltur imazhin tim”, - deklaroi dje biznesmeni Fazlliç, i cili pretendoi se prokurorët me anë të profesionalizmit në punën e tyre, arritën të pastronin figurën e tij nga sulmet politike dhe mediatike. “Ina Rama shkoi pyeti në çdo vend të botës për mua dhe bizneset e mia, por nuk i rezultoi asnjë aktivitet kriminal, ndaj dhe u vendos pushimi i hetimeve. I bëj thirrje znj. Rama të bëjë punën e saj dhe të qëndrojë larg ndikimeve politike dhe të respektojë bizneset dhe investitorët e huaj”, - vijoi deklaratën e tij para mediave biznesmeni Fazlliç, i shoqëruar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj. Fazlliç ka theksuar se bizneset e tij janë plotësisht të ligjshme dhe se akuzat e ngritura ndaj tij kanë qenë të motivuara politikisht. Më tej, biznesmeni ka folur për përplasjet mes tij dhe botuesit të gazetës “Tema”, të cilin ai e akuzoi publikisht për shpifje, ndërkohë që deklaroi se e kishte paditur në Gjykatën e Lartë të Londrës, e cila pas thirrjeve të vazhdueshme për pjesëmarrje në gjyq, e ka dënuar z. Mero Baze me 50 mijë paund. “Nuk më duhen paratë e tij. Madje, kur t’i marr kam deklaruar se do t’i fal për bamirësi. Por, ju bëj të ditur se nuk kam mbaruar punë me Mero Bazen, do vazhdoj betejën ligjore me të. Ju bëj të ditur se kjo ishte vetëm çështja e parë me të, të tjerat më pas”, - u shpreh Fazlliç në deklaratën e tij për shtyp.