Shkarkohet drejtori i Burgut të Rrogozhinës pas videos
I shkarkuari Ylli Zdrava dhe vëllai i tij, u filmuan duke negociuar për marrjen e parave
Një grup inspektimi i Burgjeve dhe i Ministrisë së Drejtësisë po verifikon lejet e dhëna në këtë institucion
TIRANË- Shkarkohet nga detyra drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Ylli Zdrava, një ditë pas publikimit të skandalit me lejet e të dënuarve që jepeshin nga autoritetet e këtij burgu. Vendimi për shkarkimin e drejtorit të burgut është firmosur dje nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pas publikimit të fakteve, ku ndaj tij hidhej hije dyshimi për korrupsion.
Lajmi është bëri i ditur gjatë ditës së djeshme nga burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, të cilat sqarojnë se Ministri pasi është njohur me faktet rreth dhënies së lejeve për të dënuarit në Burgun e Rrogozhinës, ka vendosur për shkarkimin e Ylli Zdravës.
Shkarkimi vjen pas publikimit të dokumenteve dhe të dhënave mbi dhënien e lejeve shpërblyese për të dënuarit, ku një i dënuar duhej të paguante deri në 500 euro për të përfituar pesë ditë qëndrim jashtë burgut.
Po sipas të njëjtave burimeve nga dikasteri i Drejtësisë, vetë drejtori i këtij burgu i ka kërkuar më parë dorëheqjen ministrit të Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, vetëm një ditë pas publikimit në Top Channel, në emisionin "Fiks Fare", fakteve mbi pagesat që bëheshin për të dhënë një leje në burg.
Pasi Alibeaj ka marrë kërkesën e Ylli Zdravës për dorëheqje, ka vendosur menjëherë që ta pranojë, duke e firmosur atë.
Ekspertë në Rrogozhinë
Pas publikimit të lajmit komprometues, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë dërguar një grup ekspertësh në Burgun e Rrogozhinës për të verifikuar lejet që janë dhënë gjatë muajve të fundit. Grupi i kontrollit, sipas burimeve, ka verifikuar të gjitha lejet e të burgosurve që janë dhënë kohët e fundit, duke verifikuar dhe procedurat e dhënies së këtyre lejeve.
Në emision investigativ u transmetuan dy ditë më parë pamje filmike që vërtetonin se shoferi i drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, njëkohësisht dhe vëllai i tij, ndërmjetësonte për të siguruar leje për të dënuarit në këmbim të parave. Shuma që duhet të paguanin personat që interesohen për një leje pesë ditore ishte deri në 500 euro.
Nga pamjet filmike të transmetuara dhe nga bisedat, duket qartë se shoferi i drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, kërkonte nga 100 euro për çdo ditë leje për një të dënuar. I dënuari për të cilin negociohej për të marrë një leje pesë ditore, është liruar menjëherë.
Ky i fundit ka deklaruar se në të shumtën e rasteve të burgosurit merrnin leje, kundrejt parave. Publikimi i këtij rasti, ka nxjerrë në shesh të hapur korrupsionin dhe shkeljen e ligjit, në rastin kur të dënuarit përfitojnë leje.
I dënuari që përfitoi nga leja gjatë ndërhyrjes së shoferit të drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, ka lënë qelinë më datë pesë maj duke mos u shoqëruar nga asnjë polic.
Sipas rregullores së burgjeve, leja shpërblyese nuk mund të jepet më shumë se 10 ditë dhe në total nuk mund të jetë për më shumë se 20 ditë gjatë një viti. Këto kritere janë vetëm për burgjet e sigurisë së ulët, ndërsa ata të sigurisë së lartë kanë të tjera rregulla për dhënin e lejeve për të dënuarit.
Nga lejet që jepen nga drejtuesit e burgjeve, jo të gjithë të dënuarit mund të përfitojnë. Ata të dënuar që kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë për shoqërinë si dhe respektojnë rregulloren e burgut, janë më të favorizuarit për të marrë një leje shpërblyese.
Por me publikimin e skandalit të lejeve për të burgosurit e Burgut të Rrogozhinës, duket se lejet nuk bazohen mbi kritera të përcaktuara me ligj, por me të abuzohet duke i dhënë kundrejt pagesës që mund të bëjnë të afërmit e të dënuarve.
Lejet që kanë dhënë drejtuesit e burgjeve gjatë kohëve të fundit, janë shfrytëzuar nga të dënuarit për të fituar lirinë. Të shpeshta kanë qenë rastet kur të dënuarit janë arratisur pas mbarimit të afatit të lejes së dhënë nga autoritetet e burgut, duke mos u kthyer në qeli.
Tre persona arrestohen nga policia, u kapën në flagrancë duke vjedhur
TIRANË - Policia e Tiranës arreston gjatë 24 orëve të fundit tre persona që janë kapur në flagrancë duke tentuar të kryenin disa vjedhje. Specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Biznesit, arrestuan Florent Shtinon, 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka qenë më parë i dënuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, 38 vjeçari është kapur në flagrancë nga efektivat e policisë të Komisariatit nr. 2, duke vjedhur brenda një lokali në kryeqytet. Po dje është arrestuar nga policia, Romeo Shatrolli, 22 vjeç, banor i fshatit Yrshek, i cili ka qenë më parë i dënuar për veprën penale të dezertimit nga ushtria.
I riu është kapur në flagrancë duke vjedhur tapetet e disa hyrjeve të pallateve në Tiranë . Banorët e pallateve ka lajmëruar vetë policinë, sapo kanë parë 22- vjeçarin që po kryente vjedhje.
Për të njëjtin motiv është arrestuar nga blutë e Komisariatit Nr. 1 edhe Durim Onuzi 32 vjeç, i cili dhe ky ka qenë i dënuar më parë për vjedhje. Sipas policisë i arrestuari dyshohet se i ka vjedhur një kalimtareje një varëse, ngjarje kjo e ndodhur një ditë më parë në rrugën "Mihal Grameno", në Tiranë.