Henry: Selmanllari ma solli Ylli Pinarin
SKANDALI
Ortaku amerikan i Delijorgjit në Gërdec, Patrick Henry, ka pohuar se nuk është takuar asnjëherë me Selmanllarin por e ka emëruar në atë post sepse kështu ka kërkuar Pinari
TIRANË- Presidenti i kompanisë së demontimit të municioneve të vogla "Southern Ammunition Company Inc" (SAC), Patrick Henry, i cili bashkë me të pandehurin Mihal Delijorgji ngritën fabrikën e "ferrit" në Gërdec, ka "rrëfyer" lidhjet me mikun e ngushtë të djalit të kryeministrit Sali Berisha, shtetasin Rrahman Selmanllari. Ai është pyetur nga agjentët e FBI-së në zyrat e saj në shtetin e Florida-së në SHBA, për llogari të Prokurorisë së Përgjithshme.
Henry ka shpjeguar se ishte i pandehuri Ylli Pinari personi i cili i ka sugjeruar që Selmanllari të jetë përfaqësues i SAC-it në Shqipëri. Me atë në një faksi të dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes, Henry ka emëruar Selmanllarin si përfaqësuesin e tij në Gërdec.
Por i pyetur nga prokuroria në lidhje me këtë çështje presidenti i SAC-it është përgjigjur: "Unë nuk e njihja këtë qytetar që thoni.
Nuk e di pse ai u zgjodh që të jetë përfaqësues. Sugjerimi dhe autorizimi mu dërgua me faks nga Ylli Pinari, të cilin e kam firmosur. Mesa di unë, nuk e kam takuar kurrë Rrahman Selmanllarin".
Gjithashtu, në procesverbalin e mbajtur nga agjentët e FBI-së për llogari të Prokurorisë Shqiptare, presidenti i SAC-it i është përgjigjur edhe pyetjeve për njohjet me Ylli Pinarin dhe Mihal Delijogjin, ku ky i fundit, pas nënshkrimit të kontratës mes MEICO-së dhe SAC-it për demontimin e municioneve u bë nënkontraktor i firmës amerikane duke ndarë fitimet me përqindje të ndryshme.
Në pyetjen e prokurorisë, drejtuar Henrit në lidhje me njohjes mes tij dhe ish-drejtorit të MEICO-së Ylli Pinari, presidenti i SAC-it përgjigjet se "më ka prezantuar shtetasi zviceran Henry Thomet (presidenti i firmës ndërmjetësuese të Qiprosë, "Evdin ltd").
"Ai më ka prezantuar, duke më thënë të mbaja kontakte me të pasi njiheshin bashkë që nga viti 1990 dhe kishin punuar bashkë disa herë",- ka thënë presidenti i SAC-it për llogari të hetimit të tragjedisë së Gërdecit.
Kjo dëshmi pritet të lexohet në Gjykatën e Lartë në procesin gjyqësor ndaj 29 të pandehurve të kësaj dosjeje, të akuzuar si përgjegjës të shpërthimit të punishtes së Gërdecit mesditën e 15 marsit 2008, ku për pasojë gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u gjymtuan dhe plagosen.
Sipas kësaj dëshmie, mësohet se ka qenë ish-drejtori tashmë i MEICO-së i pandehuri Pinari, ai që e ka prezantuar në qendër të Tiranës, presidentin e SAC-it me të pandehurin Mihal Delijorgji.
"Pasi ramë dakord që kompania ime të demontojë municione në Shqipëri, Ylli Pinari gjatë ditëve të para të qëndrimit tim në Tiranë më prezantoi me Mihal Delijorgjin. Jemi takuar në një lokal në qendër të Tiranës.
Pinari më tha se ai kishte çmilitarizuar tanke për MEICO-në dhe ishte shumë i familjarizuar në drejtimin e biznesit në Shqipëri dhe me MEICO-në. Gjithashtu, mu tha se ai kishte një kompani ndërtimi që mund të ndërtonte çdo ambient të nevojshëm.
Delijorgji siguronte fondet, personelin dhe ambiente, ndërsa unë pajisjet teknologjike që i dërgova në Shqipëri"- ka thënë Henry në dëshminë e tij. Ndërsa, i pyetur nga prokuroria se pse ishte futur në biznes me Mihal Delijorgjin, presidenti i SAC-it ka sqaruar se atë e detyroi Pinari.
"Më thanë, se do ishte më mirë nëse do kisha një partner shqiptar në këtë biznes. Shumica e këtyre takimeve u mbajtën nëpër restorante të ndryshme nëpër Shqipëri ku ishte Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji",- ka përfunduar një pjesë të dëshmisë së tij presidenti i SAC-it Patrik Henry që bashkë me kompaninë "Albademil" të të pandehurit Mihal Delijorgji demontuan municione në Gërdec nga qershori i 2007 deri më 15 mars 2008, kur ndodhi shpërthimi i kësaj punishte.