E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimi i autostradës dëmton të mbjellat, në protestë banorët

PROTESTA/ Rreth 4 mijë ullinj dhe rreth 80 ha vreshta e drurë frutorë janë mbuluar nga pluhuri i ngritur nga automjetet

VLORË - Rrezikojnë t'iu dëmtohet prona dhe të mbjellat me të cilat ushqehen dhe i vetmi burim fitimi që kanë për shkak të pluhurit që ka mbuluar prej kohësh zonën dhe që s'po lejon lulëzimin. Bëhet fjalë për dëmtimin e rreth 4 mijë rrënjë ullinjve dhe rreth 80 hektarë vreshta e agrume të tjera.


Një fakt i tillë ka bërë që 50 përfaqësues të mbi 300 familjeve të fshatit Oshëtimë të komunës Qendër në Vlorë të dalin në rrugë dhe të bllokojnë për mbi tri orë automjetet e firmës që merret me ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë. Ata nuk kanë lejuar lëvizjen, ndërsa kanë kërkuar shtrimin e rrugës me çakëll dhe spërkatjen e saj me qëllim mosngritjen e pluhurit.

Dje paradite, mbi 50 banorë të fshatit Oshëtimë kanë protestuar duke bllokuar automjetet e firmës që merret me ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë.


Ata nuk kanë lejuar lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë, duke u shprehur se kjo lëvizje ka bërë që mbi 4 mijë rrënjë ullinj, si dhe 80 ha vreshta të mbushen me pluhur dhe të dëmtohen. "Pluhuri i dendur që ngrihet si pasojë e punimeve, të cilat po shkelin parametrat e duhura, po varros gjithë prodhimet tona.


Kemi mbi dhjetë vjet që bëjmë investime në këto prona dhe tani po shkatërrohen, - u shpreh një nga protestuesit. - Janë rreth 4 mijë rrënjë ullinj, rreth 80 ha me vreshta, por edhe frutore të tjera. Tani që është sezoni i spërkatjes, ne nuk mund ta bëjmë këtë sepse janë mbushur të gjitha me pluhur, dhe me ullinjtë nuk mund të procedohet në këtë mënyrë.


Ullinjtë po fillojnë që tani të thahen, ndërkohë që rrushi, që tani nis sezonin e çeljes së sythave dhe kërkon spërkatje dhe krasitje, nuk mundemi dot se i ka mbuluar pluhuri. Ne nuk mund të bëjmë spërkatjen e prodhimeve tona, dhe për pasojë vreshtat tona janë të destinuara të thahen, çka do të thotë se janë miliona lekët tona, të cilat na ikin kot. Ne ushqehemi me këtë prodhim që nxjerrim gjatë vitit. Është djersa jonë dhe gjithçka që kemi".

Protestuesit kanë kërkuar ose shtrimin e rrugës, shtrim me çakëll, që mos të krijojë më probleme të tjera, ose dëmshpërblimin 100% të prodhimeve të tyre, të cilat sipas tyre janë të destinuara të humbasin.


Vlera e vetëm një rrënje ulli është rreth 5 milionë lekë. Megjithatë banorët shprehen se ata dëshirojnë thjesht shtrimin e rrugës në mënyrë që mos t'iu dëmtohet i vetmi burim fitimi që kanë, pasi jetojnë me paratë që marrin nga shitja e ullirit, rrushit e frutoreve. Premtimi i përfaqësuesve të firmës se që sot në mëngjes do të nisë shtrimi i rrugës, si dhe ndërhyrja e kryeplakut të fshatit Panaja (në kufi me Oshëtimën) ka çuar edhe në lirimin e rrugës nga protestuesit pas tri orësh bllokimi.


Këta të fundit u shprehën se në rast se premtimi s'do të mbahet, ata nuk do të kërkojnë më thjesht shtrimin me çakull, por me asfalt të 20 kilometrave rrugë që bëjnë automjetet e tonazhit të rëndë dhe do ta bllokojnë rrugën derisa shtrimi i saj të realizohet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›