Një shqiptare, e vetmja nga Ballkani në Vjenë
Vetëm ajo guxoi. Është e vetmja shqiptare që do të ngjitet në skenën e lakmuar për çdo artist – në Vjenë, në festivalin ndërkombëtar të “Frederik Chopin”. Lule Elezi, pianistja nga Kosova, është ftuar të marrë pjesë në këtë festival mes shumë të tjerë të njohur në rang botëror. Ajo do të përfaqësojë Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa është femra e parë në Ballkan që merr pjesë në këtë festival. Dy ditë më parë ajo mbajti një koncert recital në Teatrin e Operës, ndërsa në intervistën e mëposhtme, ekskluzive për “standard”, e tregon si një prej eksperiencave më të këndshme.
Sapo keni dhënë një koncert në Teatrin e Operës. Na tregoni diçka, impresionon tuaj mbi këtë mbrëmje?
Kam kaluar një prej koncerteve më të bukura. Ishte shumë i këndshëm, si dhe kam marrë vlerësime nga më të ndryshme nga ana e muzikantëve që ishin të pranishëm në atë natë, kur unë kisha koncertin tim recital në piano. Kam vënë re se Shqipëria di të nderojë artistët, e ndërsa artdashësit e vlerësuan jashtë mase praninë time në këtë koncert. Ky koncert vjen në kuadër të një festivali ndërkombëtar që organizohet në Shqipëri. Unë mora ftesën nga drejtoresha artistike e këtij festivali, pedagoge dhe pianiste e njohur, Anita Tartari, si dhe drejtoresha e projektit pianistja Rudina Ciko. Koncerti shkoi shumë mirë, ashtu edhe u prit me shumë ngrohtësi. Repertori që kam interpretuar përfshinte dy nokturno, dy balada shumë të njohura të Chopin-it dhe sonata bemol të po të njëjtit kompozitor.
Çfarë ndjesie ju jep skena shqiptare?
Gjithmonë jam ndjerë shumë mirë. Sigurisht që ky nuk është koncerti i parë që kam mbajtur këtu, pasi që në vitin 1993 kam dhënë një koncert në Akademinë e Arteve, në qendra të ndryshme të Shqipërisë si në Durrës, Korçë, Elbasan etj. Një vit më vonë sërish në Akademinë e Arteve e më pas në sallën e operës në bashkëpunim me orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar. Ka qenë një emocion i veçantë, që nuk do ta harroj asnjëherë, edhe sot e kësaj dite. Po ashtu kam marrë pjesë në shumë koncerte të tjera në Slloveni, Kroaci, Maqedoni, Lubjanë, në festivalin të rinjve në Pullë, në Gjermani e në SHBA.
Paske shëtitur në shumë vende të Shqipërisë, cila prej tyre ju ka pritur më mirë, sigurisht që kemi parasysh publikun klasik?
Përveç Tiranës, vjen qyteti i Korçës, ai që më ka pritur shumë ngrohtë dhe më ka bërë shumë përshtypje për faktin se është një vend me një kulturë e traditë të pasur e të veçantë. Më pëlqen ai vend shumë, pa lënë mënjanë edhe zona të tjera shqiptare.
Si e vlerësoni faktin sa herë jeni në Shqipëri, në raport me skenën e Kosovës?
Artin tuaj do ta vlerësoja me fjalët më maksimale, pasi në fund të fundit ai ka një moshë disavjeçare në një skenë. Ndërsa tek ne, ende nuk ekziston një opera, salla koncertale, pra kushtet e zhvillimit të artit janë shumë të vështira.
Sa ndikojnë këto kushte të vështirë tek një artist? E bën më pak produktiv?
Po, sigurisht. Tek një artist kushtet e vështira ndikojnë jashtë mase. Madje, ne si pianiste nuk kemi as kushtin më minimal, të shtrirjes profesionale. Ne na mungon edhe instrumenti i pianos, flas për një të rregullt, në mënyrë që të luajmë sa më mirë.
Mësuam se do të merrni pjesë ne festivalin ndërkombëtar “Frederik Chopin” në Vjenë, ku këtë vit koençidon edhe 25-vjetori i themelimit të kësaj shoqate.
Po, është e vërtetë, madje unë jam femra e parë në Ballkan që marr pjesë në këtë festival.
Si erdhi propozimi për pjesëmarrjen tuaj në festivalin e Vjenës?
Në Prishtinë unë jam nënkryetare e shoqatës “Frederik Chopin”, ndërsa në Vjenë nuk shkoj me këtë status, por me atë të pianistes, pasi me themelimin e shoqatës luajta edhe disa vepra para presidentit të kësaj shoqate prof. dr. Theodor Kanicer dhe sekretarja gjenerale, Ana Fjalkovska. Pasi ata më dëgjuan, më vlerësuan me një kritikë shumë të lartë dhe që aty ishin të bindur për ftesën që më ofruan për të marrë pjesë në këtë festival, në Vjenë. Është fjala për një ftesë në një festival që zhvillohet me pjesëmarrje të artistëve në rang ndërkombëtar, si nga Japonia, Zvicra, e shumë të tjera. Në këtë eveniment më është ofruar të luaj një program të Chopin që zgjat për rreth 30 minuta.
Çfarë domethënie ka për ju kjo pjesëmarrje në Festivalin e Vjenës?
Mund të them se ky është viti më i suksesshëm i karrierës sime. Jam e nderuar dhe ndihem shumë e vlerësuar që do të përfaqësoj trojet shqiptare. Për këtë mua më pret një punë shumë e madhe, por shpresoj dhe besoj se do të jem një përfaqësues shumë e denjë.
Cilat janë projekte tuaja pasuese?
Në muajin prill kam mbajtur edhe një koncert recital në institutin e kulturës në Bosnje në Sarajevë ku jam pritur shumë mirë nga publiku. Ndërsa tani nuk jam shumë e sigurt, por kam përshtypjen se nga muajt qershor, apo korrik do të mbaj një koncert në Bazel në Zvicër.