Godo: Të mos përsëritet historia e Shën Naumit për marrëveshjen ujore me GreqinëNga Bledar LumaniKryetari i Nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, shprehet se marrëveshja ujore me Greqinë është e nxituar dhe ajo duhet të analizohet më kujdes nga e
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Godo: Të mos përsëritet historia e Shën Naumit për marrëveshjen ujore me GreqinëNga Bledar LumaniKryetari i Nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, shprehet se marrëveshja ujore me Greqinë është e nxituar dhe ajo duhet të analizohet më kujdes nga ekspertët. Godo thotë se kjo marrëveshje, e cila nuk është bërë në mënyrë transparente, nuk duhet të kalojë për miratim në Kuvend, deri në momentin e sqarimit të plotë, nëse vërtet i falen ujërat Greqisë apo jo. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, Godo pohon se do të ishte një gabim i madh historik, i njëjtë me atë të Shën Naumit
Zoti Godo, cili është mendimi juaj për marrëveshjen aq të diskutuar mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin ujor?
Marrëveshja e nënshkruar për kufirin ujor është diçka ende e paqartë. Unë kam dëgjuar këta që e kontestojnë këtë marrëveshje, sipas të cilëve qeveria shqiptare ka bërë një lëshim në favor të Greqisë. Qeveria nga ana e vet shprehet në mënyrë kategorike se nuk ka dhënë asnjë pëllëmbë kufi ujor. Për këtë arsye kërkohet një ballafaqim mes atyre që kontestojnë marrëveshjen ujore me Greqinë dhe qeverisë që e mbron atë. Gjithsesi, mendoj se këtu ka diçka për t’u shqetësuar dhe për këtë arsye duhet që ta analizojmë këtë marrëveshje. Duhet të kuptojmë se ku qëndron problemi në këtë marrëveshje. Nëse ka diçka që nuk shkon, duhet që të gjejmë një zgjidhje. Sepse tashmë është nënshkruar një marrëveshje me Greqinë, dhe për këtë arsye duhet kërkuar nga kjo e fundit rishqyrtimi i marrëveshjes.
Si mund të zgjidhet kjo situatë?
Sipas mendimit tim, zgjidhja më e mirë e këtij problemi do të ishte të kërkonim asistencë teknike të huaj. Ka autoritete që merren me çështjet e konflikteve ujore në botë. Të kemi parasysh që të dy shtetet, si Greqia, ashtu edhe Shqipëria, janë shtete anëtare të NATO-s. Për këtë arsye mendoj se mund të diskutohet edhe në ndonjë strukturë të NATO-s kjo çështje. Mund të kërkohet gjithashtu edhe asistenca e Parlamentit Evropian, në mënyrë që ky konflikt të zgjidhet sa më mirë dhe më saktë dhe që mos të krijojë acarim mes dy shteteve.
Mendoni që kjo marrëveshje është nënshkruar në mënyrë jotransparente nga ana e kryeministrit Berisha?
Unë mendoj që është një marrëveshje e nënshkruar në mënyrë të nxituar. Dhe tashmë ajo që duhet të bëhet imediatisht është që të shtyhet shqyrtimi i saj në Kuvendin e Shqipërisë, derisa opinioni publik, por edhe deputetët, të cilët janë ata që edhe do të votojnë marrëveshjen, të qartësohen, nëse janë cenuar interesat kombëtare me këtë marrëveshje apo jo.
Nëse kjo marrëveshje prishet në mënyrë të njëanshme nga vendi ynë, mendoni që marrëdhëniet diplomatike me Greqinë do të ftoheshin?
Nuk mund të them që kjo marrëveshje duhet të anulohet. Kjo marrëveshje së pari duhet që të rishqyrtohet. Një marrëveshje për kufijtë ujorë duhet dhe është e nevojshme që të bëhet nga të dyja palët, në mënyrë që të përcaktohen qartë kufijtë dhe vija detare e të dyja vendeve, në bazë të konventave ndërkombëtare për kufijtë ujorë. Kështu që mendoj se kjo marrëveshje duhet që të rishqyrtohet dhe të sqarohet, në mënyrë që të mos ekzistojë asnjë fije dyshimi tek opinioni publik në Shqipëri, mbi faktin e faljes së kufirit ujor Greqisë.
Flitet që pas kësaj marrëveshjeje ka interesa ekonomike. A cenohen interesat ekonomike të Shqipërisë, nëse zbatohet kjo marrëveshje?
Dihet që ujërat në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të ngushta. Për këtë arsye, qoftë edhe një pëllëmbë sipërfaqe ujore që mund t’i falet Greqisë nga shteti ynë, ka një ndikim negativ në aspektin ekonomik.
Dhe, përveç interesave ekonomike, duhet thënë se kjo marrëveshje ndikon negativisht edhe në aspekte të tjera. Nëse, siç thonë ekspertët, Greqisë i falen mbi 300 kilometra katrorë kufi ujor, çka nënkupton që kufiri ujor grek afrohet 900 metra larg Sarandës, atëherë kjo gjë është e papranueshme dhe e dëmshme për vendin tonë në çdo aspekt, jo vetëm atë ekonomik. Në këtë marrëveshje duhet të merren parasysh edhe interesat e shtetit italian, pasi me dhënien e territorit ujor Greqisë, bregu i Sarandës kthehet në një pikë që bashkon të tria vendet dhe kjo mund të na sjellë probleme edhe me Italinë, që mund të jetë kundër marrëveshjes. Duhet pra që të këshillohemi edhe me palën italiane, e cila mund të ketë kontestimet e veta dhe të bëhet një marrëveshje e denjë, e cila t’u shërbejë dhe mos të bjerë ndesh me interesat e të tria shteteve. Për mendimin tim, për ta zgjidhur në mënyrën e duhur këtë problem, pa prekur interesat e asnjërës palë të përfshirë, do të ishte mirë që të kërkonim një ekspertizë të huaj.
Duket se politika është përpjekur që këtë çështje ta kalojë në heshtje, pasi vetëm në ditët e fundit ka pasur reagime të tilla...
Reagimi politik për këtë çështje ka qenë i paktë dhe në këtë rast duhet vlerësuar media, e cila e ka ngritur si çështje. Në ditët e fundit edhe politika ka reaguar në lidhje me këtë marrëveshje, pasi edhe Partia Socialiste reagoi. Por për mua e rëndësishme është që kjo çështje të mos politizohet, të mos bëhet çështje e partive për të fituar pikë ndaj njëra-tjetrës. Kjo është një çështje ndërkombëtare dhe mbarëshqiptare. Është një ngjarje dhe një marrëveshje që duhet trajtuar me kujdesin më të madh, pasi, nëse bëhet gabim, nuk mund të shlyhet më dhe do të ishte e pafalshme për politikën shqiptare po të gabonte.
Me disa veprime dhe vendime duket se qeveria shqiptare e ka humbur ndjenjën nacionale. A mendoni se kjo qeveri ka vepruar në disa raste kundër interesave kombëtare, p.sh., në rastin konkret, por edhe në botimin e librave shkollorë, ku mbështeten tezat antishqiptare, favorizimi i biznesmenëve serbë etj.?
Këto janë çështje të ndryshme. Në lidhje me çështjen e marrëveshjes së kufirit ujor me Greqinë, mendoj se këtu përfshihen gjithë shqiptarët. Askush nuk duhet ta përdorë këtë çështje për propagandë. Do të ishte një gabim dhe një rënie në banalitet dhe nuk do t’i bënte nder askujt, nëse njëra palë do të përpiqej të sulmonte palën tjetër nisur nga kjo pikë Do të ishte e neveritshme. Duhet që të gjitha palët të mbrojnë interesat kombëtare, pa futur ideologjinë partiake në mes, sidomos në çështje të tilla kaq delikate, të cilat kanë një ndikim historik. Me këtë punë dhe me këtë çështje mendoj se duhet të merren ata që janë me të vërtetë ekspertë të fushës, për të shmangur përdorimin politik.
A mos po favorizon më shumë se ç’duhet Berisha Greqinë, vetëm për të pasur marrëdhënie të mira me këtë të fundit?
Unë nuk jam kundër kësaj gjëje dhe jam pro Berishës në rastin e favorizimit të grekëve dhe jo vetëm të tyre, por edhe italianëve. Madje, do të isha pro edhe në rastin e krijimit të marrëdhënieve dhe favorizimit të tyre me serbët. Por dua të theksoj që kjo gjë nuk duhet të bëhet në kurriz të interesave kombëtare për konjuktura të politikës së ditës. Kjo gjë do të ishte e pafalshme për politikën dhe qeverinë.
Berisha ka deklaruar dhe ka bindjen se në lidhje me marrëveshjen për kufirin ujor me Greqinë, nuk i ka prekur interesat kombëtare. Kjo gjë tashmë duhet që të sqarohet, nëse vërtet interesat kombëtare nuk janë prekur nga marrëveshja ujore me Greqinë apo është e kundërta.
A duket se Shqipëria po shfrytëzohet dhe përdoret nga fqinjët e vet më të fuqishëm?
Shqipëria gjithnjë është përdorur nga fqinjët e vet më të fuqishëm dhe shqiptarët gjithnjë kanë vuajtur nga kjo gjë, sidomos gjatë 150 vitet e fundit, sepse kemi qenë në një pozitë inferiore ndaj të tjerëve. Shpresoj dhe uroj që kjo gjë të mos ndodhë më dhe politikanët tanë të kenë vënë mend nga gabimet e së shkuarës. Për këtë arsye uroj që çështja e ujërave të kanalit të Otrantos që do t’i jepen Greqisë, të mos kthehet në një njollë të zezë për politikën shqiptare, si ajo e Shën Naumit, që iu dha Serbisë. Më vjen mirë që në vend ka një reagim të gjerë dhe opinioni publik është i shqetësuar për këtë ngjarje. E theksoj që politikanët duhet që të jenë shumë të kujdesshëm në këtë çështje, pasi, nëse bëhen gabime, ato janë të pashlyeshme pastaj.
Politikanët shqiptarë mos ndoshta janë treguar në disa raste të papërgjegjshëm në lidhje me interesat e kombit?
Në rastin konkret, atë të marrëveshjes ujore me Greqinë, duhet pritur, pasi ende nuk dihet, nëse vërtet ka pasur dhënie të ujërave shqiptare dhe do të ishte e pafalshme për ta, nëse këtë problem dhe diskutim kombëtar do ta kthenin në një diskutim partiak. Por duhet thënë se në të kaluarën ka pasur mungesë përgjegjësie të theksuar nga ana e politikanëve shqiptarë. Rastet janë të shumta, si ai i Kosovës, apo shqiptarëve të Maqedonisë, për të cilat politika shqiptare nuk ka vepruar si duhet dhe nuk i ka mbrojtur me forcë të drejtat e tyre. Politika jonë ka ulur zverkun, ka pranuar diktatin e të tjerëve, madje edhe dhunën. Ndoshta do të vijë një ditë që politikanët tanë të jenë më të kujdesshëm dhe të mendojnë më shumë kur është fjala për fatet e kombit, pasi jo pak herë kanë punuar kundër këtyre interesave. Duhet mbajtur parasysh se ai që është në krye dhe formulon politikën në shtetin tonë, gjendet shpeshherë në vështirësi dhe i duhet të jetë më tolerant, me elastik. Por kjo nuk i jep të drejtën të veprojë në kundërshtim me interesat kombëtare.
Kryeministri Berisha ka bërë disa deklarata për bashkimin e kombit, të cilat kanë sjellë edhe reagimin e Serbisë dhe Rusisë. Mendoni se këto deklarata e destabilizojnë situatën në Kosovë dhe realisht, a ekziston mundësia që një ditë shqiptarët të bashkohen në një shtet të vetëm?
Bashkimi i shqiptarëve në një komb të vetëm ka qenë një ide që ekziston prej shekujsh. Por mundësia e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm aktualisht është e pamundur, pasi ata që rregullojnë mbarëvajtjen e punëve në botë nuk mendojnë se kjo është gjëja e duhur. Kjo do të ishte një prishje e ekuilibrave në rajon dhe ne duhet që t’i ruhemi kësaj, pasi nuk është koha e duhur. Shqiptarët do të ndihen të bashkuar, kur të vijë koha e inkuadrimit në Evropë. Në lidhje me deklaratat e Berishës, ato më duken normale, pasi duhet që shqiptarët të bashkohen nga ana ekonomike, kulturore, gjuhësore etj., në gjithë trojet shqiptare dhe për një lëvizje të lirë të tyre. Por Berisha nuk ka deklaruar asnjëherë bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm, kështu që nuk mund të themi se këto thirrje destabilizojnë marrëdhënien në Kosovë. Ai ka folur vetëm për bashkëpunim më të madh të shqiptarëve dhe kjo gjë duhet që të kishte ndodhur që më hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Reagimi i Serbisë është i kuptueshëm, pasi ajo ende nuk e pranon idenë e ekzistencës së dy shteteve shqiptare, ndërsa Rusia, si përkrahëse e saj, natyrisht që do t’i dalë në krah. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar këtu, pasi reagimet e tyre janë të pritshme.
Në lidhje me situatën politike në vend, cili është mendimi juaj për bojkotin e parlamentit nga opozita?
Qëndrimi i opozitës është i pakuptueshëm dhe i dëmshëm për vendin në tërësi. Në një vend me një demokraci dhe politikë jo shumë të stabilizuar, ky veprim mendoj se është i gabuar, pasi ndikon për keq në situatën politike në vend. Përveç anës politike, mendoj që ky veprim ka pasoja negative edhe në aspektin ekonomik. Sipas disa informatave të mija, bankat në Shqipëri kishin filluar që të jepnin sërish kredi disa muaj më parë. Por, menjëherë pas vendimit të opozitës për të mos hyrë në Kuvend, ato vendosën që të ndërpresin kreditimin. Dhe mendoj që ky veprim është ndikuar direkt nga vendimi i opozitës.
Çfarë i kushton mazhorancës për të hapur kutitë, duke qenë se pretendimet për vjedhjen e votave kanë ekzistuar në të gjitha zgjedhjet dhe me këtë veprim mund të bëhej për herë të parë transparencë?
Këto janë probleme që u takojnë mazhorancës dhe opozitës. Këto të fundit kanë mendime të ndryshme për këtë çështje dhe unë nuk mund të hyj në këtë mes. Ajo që mund të them unë është fakti se, ashtu siç janë shprehur edhe ndërkombëtarët në disa raste, kjo çështje duhet të zgjidhet në parlament dhe jo në rrugë, siç në fakt po bën edhe opozita.
Si e shihni bashkëqeverisjen e PD me LSI? A iu duket normal bashkimi i tyre?
Mendoj që bashkëqeverisja e PD me LSI do të jetë e suksesshme, pasi objektivat e tyre janë të njëjta. Synimi i tyre është integrimi në Bashkimin Evropian, gjë që natyrisht nuk është e lehtë, pasi nuk është fushë e shtruar me lule. Në lidhje me faktin nëse është normal ky bashkëpunim, mendoj se kjo gjë u përket ta analizojnë ata vetë dhe kjo do të aprovohet apo mosaprovohet nga ana e elektoratit, sidomos për LSI, e cila konsiderohet edhe tradhtarja e së majtës, pasi për PD kjo marrëveshje nuk mendoj se do të ketë një ndikim negativ tek elektorati.