Damkoset Baloteli

Përveç dhimbjeve të kokës për pozitën jo të mirë të ekipit të tij në grup, trajneri i të kaltërve duhet të shqetësohet edhe për diçka tjetër. Problemi tjetër i madh i tij është Mario Baloteli, sulmuesi të cilin iu desh ta zëvendësonte në nisje të pjesës së dytë ndaj Kroacisë. Çfarë po ndodh me Marion?
“Zëvendësimi i Marios ishte diçka e thjeshtë dhe normale. i thashë në sy të skuadrës se situata ishte e tillë që ai duhej të luante më në thellësi, përtej mbrojtjes. i thashë se është një lojtar i rëndësishëm për ne. Në pjesën e dytë, i thirra për 15 minuta, por nuk ia arrita që të luante siç doja unë”, u shpreh Prandeli.
Ashtu si Roberto Mançini tek Siti, Prandeli merr rolin e një babai apo shoku më të madh.
“Nëse themi se kujdesemi dhe shqetësohemi për këtë djalë, atëherë duhet t’ia themi gjërat, ndryshe nuk do të rritet. Unë shqetësohem për të, ndaj ia them. Për mua, potencialin e ka të jashtëzakonshëm, por duhet të përpiqet më shumë. Është çështje përqëndrimi, të jesh i fortë. Duhet të kuptosh se ke pjesën tënde në skuadër”, sqaroi si.
Por, më e rëndësishmja është ndeshja ndaj Irlandës, një takim që Italia duhet ta fitojë për të pasur sado pak shpresa që të kualifikohet për në çerekfinale. Prandeli thotë me bindje se irlandezët e trajnerit Xhovani Trapatoni nuk do të hapin rrugë me dëshirë. Për të, profesionalizmi i Trapatonit e përjashton një gjë të tillë. Ndaj, Italia duhet të vuajë.