E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 2012 shpeton kafshet

Falenderime nga zemra për Euro 2012-n nuk vijnë vetëm nga njerëzit. Sidomos në Ukrainë, janë kafshët e rrugëve, ato që kanë shpëtuar gjallë pas masakrave që u bënë në këtë republikë ish-sovjetike për të pastruar qytetet në prag të kampionatit. Më në fund, autoritetet ukrainase kanë vënë dorën në zemër dhe kanë ndërtuar një azil apo strehimore për qentë dhe kafshët e tjera të rrugëve, të paktën në qytetin e Harkivit, duke mos i dhënë dënimin kapital. Ndikimin e europianit e pranon edhe drejtoresha e azilit, Julia Shapovalova.
 “Mendoj se prania e ndeshjeve të Euro 2012 në Harkiv ka shpejtuar shumë në ndërtimin e kësaj strehimoreje. Ne do ta kishim ndërtuar gjithsesi, por do të kishte dashur më tepër kohë”,  u shpreh Shapovalova.
Shapovalova thotë se vetëm ndërtimi i strehimores nuk do ta zgjidhë këtë problem.
“Në të ardhmen duhet të mësojmë më shumë nga vendet që e kanë zgjidhur këtë problem, duhet të marrim përvojën e tyre. Nuk kemi për të bërë ndonjë shpikje. Veçse, kjo kërkon një trajtim kompleks. Vërtet duhen kapur kafshët dhe ndërtuar azilet, por edhe duhen edukuar njerëzit që të mos i hedhin kafshët në rrugë. Duhet rregulluar legjislacioni për të dënuar ata që braktisin kafshët e tyre shtëpiake”, shtoi ajo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›