Meteori Manxhukic

Ai është sot një nga heronjtë e mëdhenj të Europianit. Pikërisht në traditën më të mirë të futbollit kroat. Mario Manxhukiç ka shënuar 3 gola në dy ndeshje duke i dhënë shpresë skuadrës kombëtare dhe kombit të tij për lavdi të mëtejshme në Poloni e Ukrainë.
Si ecën historia! Saktësisht 5 vjet më parë, më 23 qershor 2007, Manxhukiç zbriste në fushë për NK Zagreb në një ndeshje të Kupës Intertoto ndaj Vllaznisë së Shkodrës dhe jepte një asist goli. Manxhukiç dhe Zagrebi i tij u eleminuan nga shkodranët dhe heroi në atë kohë ishte Arlind Nora që shënoi dy gola në dy ndeshje, por historia pra, ecën, nuk rri në vend.
Në verën e atij viti, Dinamo e Zagrebit pagoi 1 milion euro për kartonin e Marios 21-vjeçar dhe ndonëse karriera e tij tek të kaltrit ishte me ditë dhe hije, sërish klubi zagrebas fitoi 8 milionë euro kur e transferoi tek Volfsburgu.
Tani, fama dhe vlera e tij janë rritur shumë më tepër. Një ngjitje meteorike. Deri edhe Barcelona e madhe ka kërkuar informacione për këtë kroat të ri dhe bindës, kështu shkruan gazeta katalanase “Sport”.
Që nga pluhuri i NK Zagrebit dhe lagjes Zdrale në Shkodër ku luajti në stadiumin “Loro Boriçi”, Manxhukiç ka mundësi të arrijë majat. Këtë rrugë ai e nuk e ka bërë vetëm, ai është drejtuar dhe edukuar në një sistem futbolli që ndoshta nuk është më në ditët e lavdisë së ish-Jugosllavisë, por që është një shkollë e vërtetë futbolli.