E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca fitoi 2-0 ndaj Ukraines Mekses dhe Kabaj autore te golave

Pritej betejë e fortë në Donjeck, por si fillim luftën e nisi shiu. Reshjet e rënda e shtynë për një orë këtë ndeshje të grupit D që në fund e fituan francezët 2-0, duke luajtur më mirë sesa vendasit e trajnerit Oleg Blohin.
Pavarësisht se pjesa e parë ishte më e barabartë, me raste nga të dyja skuadrat, sërish organizimi më i mirë i Francës ra në sy menjëherë, edhe pse frytet erdhën më vonë.
Gjithsesi, ishte Shevçenko që dha shpresë për tifozët e shumtë në stadumin e “Shahtarit”, duke iu afruar golit, veçse kjo ishte një shkëndijë e rrallë.
Më pas, Franca rrezikoi me anë të mbrojtësit Filip Mekses, por pa arritur të tundte rrjetën, ndërsa 45 minutat e para u mbyllën vrullshëm ashtu siç edhe nisën, me lojë të shpejtë e të bukur, ndonëse jo me shumë raste.
Në pjesën e dytë, u duk sikur Ukraina u nis më mirë dhe Shevçenko pati një moment nga të vetët, edhe pse nuk mundi t’i gëzonte dhjetëra mijërat e tifozëve në Donjeck.
Në të kundërt, ishte Franca që u tregua më e saktë. Pa hyrë mirë minuta e 53-të, Zheremi Menez shfrytëzoi një top të dhënë nga Frank Riberi për të shënuar golin e parë. Mbrojtësi u tregua një sulmues i vërtetë në mënyrën sesi e përgatiti goditjen e tij të saktë.
Tronditja e Ukrainës ishte e madhe, ndërsa skuadra e Blankut u tregua cinike duke shfrytëzuar në maksimum momentin e mirë. Këtë herë shënues goli ishte Johan Kabaj, por një meritë të madhe pati Karim Benzema që iu shmang mbrojtësit dhe pasoi për lojtarin e Njukasëllit. U desh edhe një devijim që topi të shkonte në rrjetë.
Në vazhdim, Kabaj mund të kishte shënuar edhe golin e tretë për Francën, kur goditi shtyllën, por gjithsesi një diferencë 3-golëshe do të kishte qenë krejt e padrejtë ndaj një Ukraine që luftoi fort, por që pësoi humbjen e parë, pas fitores ndaj Suedisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›