Dan Brown rikthehet në Tiranë me Angels and Demons
Dukjet se ka ngjallur kureshtjen tek publiku filmi Angels and Demons , i cili po shfaqet në kinemanë Millenium. Pranë biletarisë pohojë se për filmin ka kërkesa nga publiku, i cili i përket moshave të ndryshme. Vetëm pak ditë pas premierës botërore, filmi Angels and Demons mbërriti edhe në Tiranë. Përshtatja kinematografike e librit me të njëjtin titull të shkrimtarit Dan Brown, është konsideruar një vijim i filmit The Da Vinci Code të shfaqur në vitin 2006 po në kinema Millennium.
Mes dy filmave ka shumë pika të tjera të përbashkëta. Kështu profesori i famshëm Robert Langdon është sërish aktori hollivudian Tom Hanks. Edhe Angels & Demons ashtu si The Da Vinci Code është një vepër e regjisorit Ron Howard, i cili ka premtuar se do të marrë përsipër edhe regjinë e një filmi të tretë bazuar në romanin më të ri që Dan Brown përgatitet të sjellë në shtator të këtij viti. i njëjtë është edhe skenaristi që në të dy filmat mban firmën e Akiva Goldsman, të njohur si autor i shumë skripteve ndër të cilët Beautiful Mind. Edhe kolona zanore është firmuar sërish nga një kompozitor mit i Hollivudit siç është Hans Zimmer. Ngjarjet e filmit sillen rreth profesorit Langdon i cili duhet të zbulojë se çfarë fshihet pas një vrasjeje misterioze dhe të parandalojë një atentat me bombë në zemër të Vatikanit. Filmi pati një premierë italiane të suksesshme më 5 maj, ndërsa premiera amerikane është mbajtur më 15 maj. Fundjava e parë e filmit në kinema e ka renditur në vendin e parë të arkëtimeve me 48 milionë dollarë duke krijuar që në fillim përshtypjen e një filmi po aq të ndjekur sa dhe The Da Vinci Code, i cili në total kaloi shumën prej 217 milionë dollarësh. Prodhimi i drejtuar nga regjisori Ron Howard ka arkëtuar plot 48 milionë dollarë në rreth 3 mijë salla kinemash në kontinentin amerikan duke lënë në vend të dytë filmin Star Trek. Pas premierës filmi po shfaqet për publikun e gjerë në 5 projeksione në ditë. Ndonëse doli në kinematë amerikane në të njëjtën kohë me filma mjaft të fortë, fundjava e parë e Angels &Demons ka qenë mjaft e mirë.