E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salinger, në Shqipërinë e diktaturës?!



Një nga romanet që shënoi kulmin e shkrimtarit amerikan J.D. Salinger, “Rojë në thekërishten buzë greminës”, vjen në shqip bashkë me historinë misterioze të personazhit të tij - që mendohet të jetë një portret që merret “hua” nga një vend i errët, i panjohur - pra ky mund të jetë një shqiptar. Askush nuk e ka pohuar këtë deri tani, por mbështetet në faktin se Salinger, si gazetar korrespondent në vendet e Evropës Lindore, ka kaluar në vitet ’60 nga Shqipëria e diktaturës

Shkrimtari amerikan J.D. Salinger në mënyrë të mistershme përsërit ardhjen në Shqipëri. E para, flitet kalimi i tij në vitet ’60-të, duke qenë korrespondent për vendet e Evropës Lindore. Ndërsa e dyta ka të bëjë me ardhjen në shqip të romanit të tij më të famshëm, “Rojë në thekërishten buzë greminës” në titullin origjinal "The Catcher in the Rye", përkthyer nga Jorgji Qirjako, botimet “OMSCA-1”. Për ardhjen e parë në Shqipëri bëhet fjalë për një miqësi të pazakontë, të mbajtur sekret nga shkrimtari me një shqiptar, me të cilin u njoh në vitin 1960 - kur diktatura kishte kulmin e saj, në vetëizolimin dhe tjetërsimin e shqiptarëve. Mendohet se kjo mund t’i ketë shërbyer shkrimtarit për personazhin e romanit të tij. Por nga ana tjetër, Salinger ka bërë shumë armiq me kritikën amerikane për shkak të librit, që kërkonte të shikonte një paralele me shoqërinë amerikane, adoleshentët e atëhershëm.

Për të na treguar se botuesi në shqip ka kontraktuar për të drejtat e botimit, me shkrimtarin Salinger na thuhet se në kopertinën e shtypur bardhë e zi, titulli i librit dhe emri i autorit ka qenë një kusht i vendosur nga ana e vetë autorit.

“Rojë në thekërishten buzë greminës”, është konsideruar si pasqyrë në dy drejtime; me rininë në gjendje të identifikojë menjëherë të rinjtë e tjetërsuar që përfaqësohen nga Holden Caulfield, dhe disa të rritur në gjendje të shohin vetë majën e tjetërsuar të Caulfield. Grupi i parë që e kapi romanin është cilësuar ironik, ndërsa të dytët ndjehen më të kërcënuar nga tendencat drejt censurës. Recensentët e kanë parë këtë roman si shpatë më dy tehe. Është folur për këtë roman, për simbolikën e tjetërsimit, sidomos tek portreti i personazhit kryesor Caulfield me “kapelen e kuqe të gjuetisë”. Në këtë roman duket se nuk thuhet asgjë, por të gjitha janë thënë në mënyrë të dyfishtë. Flitet edhe për një personazh (që mendohet të jetë vetë Salinger) aty rreth viteve ’50, që është marrë me komisionin e hetimeve për listat e supozuara të komunistëve në shkurt të vitit 1950. Un-i që shkrimtari vendos tek Holden Caulfield paraqitet i përsosur në ndryshim nga personazhi simbolik i shkrimtarit, ku shoqëria vihet në dilema politike. Thuhet se Salinger po na shfaqte me këtë roman disa fenomene të shoqërisë amerikane, për të cilat kishte shkruar dhe dy artikuj në këtë periudhë.

Etiketimet e dyshimta, izolimi, adoleshentët, duke i çuar ngjarjet drejt protestimit janë gjithnjë një lojë e fshehtë. Personazhi simbolik i shkrimtarit përveçse demonstron, është quajtur pa hezitim si artist subversiv. Për këtë, Salinger duhet thënë se ka pasur frikë nga kritika publike. Caulfield është konsideruar kurbani i shkrimtarit, për të izoluar vetveten nga të menduarit të të tjerëve, duke e shndërruar në një përfaqësim të përsosur. Gjithsesi, Salinger për të gjitha aludimet e tij të njeriut të tjetërsuar, të izoluar - nuk kaloi pa pasur armiqësi me kritikën.

Romani është botuar në 1951. Fillimisht i botuar për të rriturit, romani u bë pjesë e librave të këshilluar për shkollat e larta dhe kolegjet në të gjithë botën anglishtfolëse. Heroi kryesor i novelës, Holden Caufield u bë simboli i rebelimit dhe i thyerjes së rregullave nga adoleshentët. Për këtë arsye, shpesh në SHBA libri është bërë objekt për gjuhën blasfemuese të përdorur gjerësisht dhe për interpretimin e seksualitetit e të ankthit të adoleshentëve. Libri i Salinger-it rrëfen për historinë e Holdenit, një adoleshent rebel, i cili ka vështirësi të ndjekë normalisht shkollën e të gjejë shokë. Një i ri që mendonte se nuk kishte asgjë të përbashkët me botën përreth, dhe ndihej i sigurt vetëm në botën e tij të izoluar. I gjithë libri tregon jetën të çrregullt që bën protagonisti, pasi e flakin jashtë kolegjit Pensi, me regresione të vazhdueshme që tregojnë të kaluarën e tij.

Holdeni është një djalë nga familje e mirë, i cili mbasi e përjashtojnë nga shkolla, vendos pa dijeninë e familjes të kalojë disa ditë duke u sorollatur në lagjet e Nju-Jorkut, me atë pamje të mërzitur, të përvuajtur, për shkak të hipokrizisë e konformizmit, si dhe të “fëmijërisë së shpifur” e “gjërave prej të çmendurish që i ndodhën ditën e Krishtlindjeve”. Mbasi nuk pranon një marrëdhënie me një prostitutë, i rrahur për këtë arsye, Holdeni ndihet edhe më shumë i tradhtuar nga bota e të rriturve. Peripecitë e shumta të personazheve të larmishëm që kalojnë para syve të Holdenit gjatë kthimit të tij në shtëpi, gërshetohen me kujtesën për të vëllain Al, që ka vdekur para kohe nga leucemia dhe takimin me motrën Fobi që na shpalos botën magjike të shpirtit të saj.

Këto dy personazhe janë shumë të rëndësishme, për të kuptuar figurën e Holdenit, që tek i vëllai kishte mishëruar gjithë cilësitë më të mira, duke humbur besimin te vetja e duke u vetëtrajtuar si shembull negativ dhe te motra shikon gjithë pastërtinë e pafajshmërinë që ai i ka humbur gjatë marrëdhënieve të gabuara në kohën e adoleshencës, në kontakt me një botë pa vlera.

Drama është e gjitha këtu, e treguar nga ai zë i veçantë e pa lajlelule. Dhe janë mendimet, humori i tij i keq, që paraqiten në skenë. Pse është i zemëruar Holdeni? Meqë nuk dihet me saktësi, secili mund të lexojë zemërimin e vet dhe ta bëjë protagonistin “shembull jete”. Analistë amerikanë e kanë trajtuar temën e këtij libri si një konflikt të njeriut që ndodhet në kufirin midis adoleshencës dhe moshës së pjekurisë.

“Kush ishte miku shqiptar i Salinger-it?”

Edhe pse ngjarjet e romanit vendosen në Nju-Jork, shumë lexues thonë se protagonisti sikur vjen nga një epokë e errët ose nga një vend i panjohur. Dhe në këtë pikë ata ndoshta mund të kenë të drejtë. Në fakt, libri u shkrua në një periudhë kur “perdja e hekurt” kishte rënë midis Lindjes dhe Perëndimit, dhe Lufta e Ftohtë sapo kishte filluar. Në atë kohë, J.D. Salinger punonte si korrespondent për çështjet e Evropës Lindore pranë disa gazetave, përfshi “New York Timees” dhe revistën “New Yorker”. Kjo të bën të mendosh se Salinger ndoshta e krijoi protagonistin e romanit, duke u mbështetur në përvojën e tij personale si gazetar diku gjetkë dhe e transplantoi atë në një mjedis gjithashtu të njohur, në Nju Jork, për të tërhequr kështu lexuesin amerikan.

Një tregim me të njëjtin emër, personazhi Salinger e kishte shkruar disa vjet më parë. Kurse më vonë, në biseda të ndryshme, ai thoshte se për “Holdenin” një tregim ishte pak; ai meritonte një libër të plotë. Dhe libri “The Catcher in the Rye” doli nga shtypi në 1951, një vit pasi autori ishte kthyer nga një vizitë si gazetar në disa vende të Evropës Lindore. Kolegu i tij, gazetari veteran G. Talese, shkrimtar i njohur e historian, në librin e tij “The Kingdom and the Power”, thotë se në vitin 1950, Salinger kishte ndaluar edhe në Shqipëri. Duke u mbështetur në këtë pohim, mund të thuhet se Salinger është nga të paktët gazetarë amerikanë që ka vizituar Shqipërinë gjatë periudhës së diktaturës. Talese thotë se në dhjetor të vitit 1950 ai e takoi Salinger-in rastësisht në “Union Station”, stacioni qendror i trenave në Nju Jork. Duke ecur e biseduar, Salinger u ndal para një kioske, duke thënë se gjatë qëndrimit në Shqipëri ai kishte njohur një person që e kishte ndihmuar shumë, prandaj po blinte një kartolinë për t’ia dërguar mikut të tij në shenjë mirënjohjeje. Disa vjet më vonë, Talese e takoi përsëri Salinger-in, tashmë i famshëm pas botimit të librit “The Catcher in the Rye”, dhe rastësisht e pyeti se si ishte me shëndet miku i tij në Shqipëri. Salinger u mendua pak dhe i tha se, që nga koha kur i kishte dërguar kartolinën për Krishtlindje, në dhjetor të vitit 1950, nuk kishte marrë asnjë lajm prej tij. Në fakt, që nga ajo kohë, Salinger kurrë nuk mësoi se çfarë ndodhi me mikun e tij shqiptar, thotë Talese.

Këto pohime ngrenë shumë pyetje, për shembull: Kush ishte miku i Salinger-it? A thua se kartolina që i dërgoi shkrimtari amerikan vulosi fatin e mikut të tij shqiptar? Pse Salinger shprehet me shumë mirënjohje ndaj tij? Çfarë ndihme kishte qenë në gjendje t’i jepte një shqiptar i atyre viteve, që nuk guxonte as t’i afrohej një turisti të huaj, veçanërisht amerikan dhe a kanë ndikuar sadopak në librin e tij? Këto pyetje nxitin një sërë përgjigjesh provokuese.

Romani “The Catcher in the Rye” ka hyrë sot në radhën e veprave klasike të letërsisë amerikane. Megjithëse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli nga koha e botimit, debatet rreth përmbajtjes së këtij libri vazhdojnë.

Re.Ku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›