E Shtunë, 31 Tetor 2026

Danc dhe vetëm danc

Nëntë kompani teatrore të dancit modern dhe atij bashkëkohor, nga vende të ndryshme të botës, janë ngjitur në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit për disa net me radhë. Festivali Ndërkombëtar i Dancit ka hyrë në ditën e gjashtë të tij. Skena që mban emrin e Moisiut të madh ka rënë pre e interpretuesve të danc-teatrit botëror, duke sjellë magjinë e këtij arti, ende pak të njohur në Shqipëri. Nga prezantimet e deritanishme, publiku i zgjedhur dhe specialistët ka vlerësuar kompaninë teatrore të Prishtinës, kompaninë zvicerane "Linga", me pjesën "Emballe moi" dhe kompaninë "Diade", me pjesën "Comment eteindre une bugie". Këto, si dhe shfaqja "Rytm en ba tresh" e trupës suedeze, "Rythm ba", janë vlerësuar si momentet kulmore të deritanishme të këtij edicioni. Drejtori i këtij festivali, Gjergj Prevazi, që këtë vit ka edicionin e tretë të tij, në një prononcim për mediat tha se ky edicion ka paraqitur një shumëllojshmëri formash dhe teknikash bashkëkohore, pa lënë asnjë çast mënjanë interpretimet mjaft cilësore. Festivali u çel me "Performance" të kompanisë së baletit të Prishtinës, prezantim që u duartrokit dhe komentua gjatë për paraqitjen dinjitoze, ndërsa mbrëmja e së shtunës ka ngjitur në skenën e teatrit të Durrësit trupën shqiptare të Akademisë së Arteve të Bukura të Tiranës. Kjo trupë ka prezantuar, sipas Prevazit, njëkohësisht pedagog në këtë akademi, alternativën më të re të dancit bashkëkohor shqiptar. Gjatë netëve të festivalit ndërkombëtar të dancit modern dhe bashkëkohor janë prezantuar edhe kompania maqedonase me pjesën "In/out" nga Ana Josifovska, trupa italo-serbe me shfaqjen "Phren", "Nhandan Circho dhe "Cieli sgangherati" nga kompania italiane "X". Mbrëmja e së premtes ka sjellë para artdashësve të dancit kompaninë italiane "CDG Danza Company" me pjesën "Il divenire delle onde", si dhe kompaninë kroate "Silvia Marching EKS-Scena", me pjesën "Cardio-adapter". Natën e fundit të këtij festivali do të jepet edhe Çmimi i Karrierës. Organizatorët e kanë zbuluar paraprakisht emrin fitues. Fituesi i këtij çmimi është Faruk Koka. Këtë përzgjedhje organizatorët e kanë motivuar me kontributin që Koka ka dhënë në baletin shqiptar, si një prej pionierëve të tij dhe kontributin në fushën pedagogjike dhe historike të koreografisë kombëtare. Shfaqja me të cilën është menduar të ulet sipari i festivalit në mbrëmjen e së dielës është "No rush, really" e kompanisë turke të dancit modern, e cila vjen nga Ankaraja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›